HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-05-28 17:29:19
A+ A- Printo artikullin



Françesku kërkon falje për ndarjet ndërmjet të krishterëve dhe lutet për paqen në Lindjen e Mesme



Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa Françesku, i sapokthyer nga Toka Shenjte, kërkoi ndjesë për ndarjet, nga të cilat vijojnë të vuajnë vëllezërit në Krishtin. E u lut për paqen në mbarë Lindjen e Mesme: për këto vise e për banorët e tyre, që të shpresojnë, edhe kur shpresat duken të humbura.RealAudioMP3

Nxitja e bashkimit të plotë të të krishterëve dhe inkurajimi i paqes, ishin synimet e shtegtimit tim. Desha t’u çoj një fjalë shprese njerëzve të këtyre viseve, por ishin ata që ma dhuruan këtë fjalë, këtë shpresë, vijoi Ati i Shenjtë duke u folur dhjetra mijëra shtegtarëve, që mbushnin, si zakonisht, Sheshin e Shën Pjetrit, për mbresat e pashlyeshme që mori me vete nga ato Vise, duke u kthyer në Romë. Kujtoi posaçërisht përqafimin me Patriarkun Bartolomeu, tek Varri i Shenjtë, 50 vjet pas takimit historik të Palit VI me Atenagorën:
…e ndjemë gjithë hidhërimin dhe vuajtjen e ndarjeve, që vijojnë ndërmjet dishepujve të Krishtit; ndjehesh vërtetë keq, kur i kujton; kjo i bën shumë keq zemrës. Jemi ende të ndarë”.
Më pas, kërkesa për falje, në emër të Kishës, e lutja drejtuar Shpirtit Shenjt, i vetmi që mund t’i mjekojë e t’i shërojë plagët, hapur nga mijëra ngjarje në shtigjet e ngatërruara të historisë së Kishave të krishtera:
“Edhe një herë, ashtu siç bënë Papët paraardhës, kërkoj falje për çka bëmë për ta favorizuar këtë ndarje e i lutem Shpirtit Shenjt të na ndihmojë t’i shërojmë plagët, që ua hapëm vëllezërve tanë”.
Me mikun e vëllain tim Bartolomeu, vijoi të tregonte Papa, biseduam gjatë e të dy shprehëm dëshirën për të ecur krah për krah; e akoma…:
“Të bëjmë gjithçka, që mund të bëjmë, që sot e tutje: të lutemi së bashku, të punojmë së bashku për grigjën e Hyjit, ta kërkojmë paqen, ta mbrojmë gjithësinë, të bëjmë bashkë gjithçka kemi të përbashkët. E, si vëllezër, të shkojmë përpara”.
Përpara, edhe në udhën e paqes për Lindjen e Mesme. Ky inkurajim, kujtoi Papa, ishte edhe qëllimi i shtegtimit tim në Jordani, Palestinë e Izrael:
Dhe e bëra gjithnjë si shtegtar, në emër të Zotit e të njeriut, me zemrën plot dhimbsuri për bijtë e kësaj Toke, që prej një kohe tepër të gjatë, bashkëjetojnë me luftën e kanë plotësisht të drejtë, më në fund, të shohin ditën e bardhë të paqes”.
Prej këndej, nxitja e besimtarëve të krishterë për ta lënë veten të vajohen nga vetë Shpirti Shenjt, duke ia hapur zemrën, me bindje të plotë në ndihmën, që vjen prej Tij, e…:
“… që të jenë gjithnjë më të aftë për gjeste përvujtërie, vëllazërimi e pajtimi”.
Në vijim Papa i porositi të gjithë të jenë zejtarë të paqes:
Eh, paqja është prodhim zejtarie. Nuk ka industri, që fabrikojnë paqe, jo. Sajohet ditë për ditë, nga dora e mjeshtrit, që punon me zemër të hapur, në pritje të dhuratës së Zotit. Prandaj i nxita besimtarët e krishterë ta lënë Shpirtin Shenjt t’i lyej me vajin e tij”.
Duke përshkuar rishtas etapat e shtegtimit, Françesku nënvizoi impenjimin e Jordanisë në pritjen e refugjatëve nga zonat e luftës, posaçërisht ata, që ikin nga Siria e martirizuar, si dhe rëndësinë që ka kërkimi dhe gjetja e rrugëzgjidhjes së konfliktit izraelito-palestinez:
“Prandaj e ftova Presidentin e Izraelit dhe Presidentin e Palestinës, burra të paqes e zejtarë të paqes, të vijnë në Vatikan për t’u lutur së bashku me mua për paqen”.
Mendimi i Atit të Shenjtë shkoi, në vijim, tek të krishterët e persekutuar në këtë zonë e në mbarë Lindjen e Mesme. I quajti dëshmitarë të shpresës e të dashurisë së krishterë, kripë e dritë e këtyre trojeve. Nuk mund të mos u shprehte mirënjohjen e tij e të Kishës, Ati i Shenjtë, këtyre të krishterëve që, me praninë e tyre në këto vise të pashoqe, me lutjen, veprimtarinë edukative, ndihmën bamirëse i shërbejnë pajtimit e faljes, duke dhënë ndihmesën e tyre të çmuar në shërbim të së mirës së përbashkët të shoqërisë. Ishte hir i Zotit, takimi me ta, theksoi Papa. U çova shpresë, por edhe ata më ngarkuan me dhuratën e shpresës, shpresë kundër çdo arsyeje për të shpresuar, që e mbarta me vete në këtë shtegtim të jashtëzakonshëm.
Prej këndej, mendimi i Françeskut shkoi tek ata, që ikin nga zonat e konfliktit, që diskriminohen, poshtërohen në të katër anët e botës vetëm e vetëm pse janë besnikë ndaj Krishtit, duke i ftuar besimtarët:
“Të lutemi për ta e për paqen në Tokën Shenjte e në gjithë Lindjen e Mesme. Lutja e mbarë Kishës e ndihmoftë edhe ecjen drejt bashkimit të plotë të të krishterëve, që bota të besojë në dashurinë e Hyjit, i cili në Jezu Krishtin, erdhi të banojë ndër ne”.
Një ftesë e posaçme, për të thënë një FalemiMari me këtë ndjet, duke iu lutur Zojës, këto ditë të fundit të majit, me fjalët:
“Mbretëreshë e paqes, Mbretëreshë e bashkimit të të krishterëve, Ti, Nënë e gjithë të krishterëve: na e jep paqen ne, jepja mbarë botës, shoqërona në këtë udhë uniteti”.





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama