HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Bamirësi dhe solidaritet >  2014-05-28 14:34:23
A+ A- Printo artikullin



Rasti Meriam. Imzot Tomasi: të respektohet liria fetare dhe dialogu



I mallëngjen të gjithë rasti i gruas sudaneze Meriam Jahja Ibrahim Ishak, e dënuar me vdekje në bazë të shariatit, sepse ka braktisur fenë myslimane dhe është bërë e krishterë. Dje solli në jetë vajzën e shumëpritur gjatë këtyre muajve dramatikë.RealAudioMP3
Quhet Maja vajza e sapolindur e Meriam Jahja Ibrahim Ishakut, 27-vjeçares së dënuar me varje për shkak të braktisjes së fesë. Vogëlushja u lind në infermjerinë e burgut të Kartumit dhe është mirë. Për Meriamin, që e solli në jetë, nuk ekziston mundësia e daljes nga burgu. Lindjen e foshnjës e priti në qeli, e lidhur me vargonj, në shoqërinë e djalit 20 muajsh. I shoqi lufton për lirimin e saj që nga 17 shkurti, kur Merjamen e arrestuan, pas padisë së një familjari. Janë të shumta thirrjet për lirim, si nga ana e kishave vendore dhe e organizatave joqeveritare, ashtu edhe nga ana e diplomatëve. Mbi të rëndon akuza e kthimit në krishtërim. Ajo vetë është bijë e një nëne ortodokse dhe e një ati mysliman, i cili e ka braktisur shtëpinë kur Meriam ishte e vogël, prandaj është rritur me frymën e krishterë. Por, në bazë të ligjit kuranik, i cili imponon që feja të trashëgohet nga atësia, duhet të jetë myslimane. Padia tjetër, që rëndon mbi të, është ajo për kurorëshkelje, sepse është martuar me një të krishterë, gjë për të cilën duhet të pësojë njëqind frushkullime. Ekzekutimi i dënimit është pezulluar për dy vjet, për lindjen e vajzës. Parashikohet hapja e një gjyqi të ri, për shmangien e dënimit kapital, por mësohet se gjatë këtyre ditëve i kanë kërkuar me forcë të heqë dorë nga feja e krishterë, gjë që ajo nuk pranon ta bëjë.
Në lidhje me këtë, u shpreh edhe Imzot Silvano Maria Tomasi, Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Zyrave të OKB-së në Gjenevë:
Është një rast simptomatik dhe duhet ta vendosim në kontekstin e gjerë të rasteve, si ai i Asia Bibit në Pakistan apo të personave të tjerë të paditur ose të burgosur për blasfemi apo për tipe të tjera të thyerjes ose pandehjes për thyerje të ligjit të shariatit. Problemi bazë është ky: si t’i respektojmë të drejtat njerëzore themelore të këtyre njerëzve, përballë disa traditave apo situatave politike, ku është e vështirë, për arsye historike dhe të kulturës publike, të respektohen të drejtat themelore.
Çfarë përgjigjeje mund të presim në rastin konkret të Sudanit?
Para së gjithash më duket se duhet respektuar parimi i lirisë fetare, që është një e drejtë themelore: jo vetëm për ushtrimin e fesë, por edhe për të ndryshuar fe. Këtë të drejtë e njeh edhe kushtetuta e Sudanit e 2005-ës. Kushtetuta është e përkohshme, por është në fuqi. Kjo tregon se, në rastin e Meriam Ibrahimit, sistemi gjyqësor vepron nën presionin e rrethanave vendore dhe jo në përkim me jurisprudencën që duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare të lirisë së kultit dhe të lirisë së ndërgjegjes e të fesë, të pranuar edhe nga Sudani. Pastaj duhet parë si trajtohen gratë në shoqëri.
Në çfarë kuptimi e thoni këtë?
Për shembull, nëse një grua është myslimane, ka të drejtë të martohet me një mysliman, por jo me një burrë të një feje tjetër, ndërsa burri mysliman mund të martohet edhe me një grua të një feje tjetër, pa rënë nën ndëshkimin e shariatit apo të normave të tjera juridike. Pra, duhet të mendojmë në këtë drejtim, duhet të shohim si mund të ndihmojmë për t’i zhvilluar këto të drejta themelore: lirinë fetare, atë të ndërgjegjes, lirinë për të ndërruar fenë, objektivitetin e sistemit gjyqësor, respektimin e gruas si të barabartë me burrin për sa u përket të drejtave martesore, të trashëgimisë ose të pjesëmarrjes në jetën publike... Duhet të nisemi nga këto të dhëna, të përpiqemi të krijojmë një klimë dialogu, mirëkuptimi, edukimi, mbi të gjitha për të treguar se rruga drejt të ardhmes kalon përmes respektimit të dinjitetit të çdo njeriu.
Kishat vendore kanë bërë thirrje disa herë, por edhe organizatat joqeveritare dhe diplomatët nëpër botë janë angazhuar për lirimin e kësaj gruaje 27 vjeçare. Sa peshë kanë lëvizjet e ndërkombëtarëve?
Krijimi i një opinioni publik ndërkombëtar që ia kujton qeverisë së Sudanit dhe sistemit të tij gjyqësor të drejtën ndërkombëtare ka sigurisht shumë vlerë, sepse vëmendja ndaj këtyre situatave mund ta nxisë dialogun dhe mendimin se e drejta ndërkombëtare duhet të jetë më e rëndësishme se e drejta vendore, mbi të gjitha të drejtat njerëzore themelore, që duhet t’i respektojnë të gjithë. Kjo është rruga për të ardhmen e bashkëjetesës njerëzore. Duhet të punojmë të gjithë së bashku, në botën e sotme të globalizuar, ku ndryshimet janë në rritje, ku jetojmë në pluralizëm fetar, kulturor, me stile jete të ndryshme, të cilët na shtyjnë të kërkojmë rrugën e bashkëjetesës paqësore, duke filluar nga respekti themelor për njeriun dhe dinjitetin e tij.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama