HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-06-05 11:41:23
A+ A- Printo artikullin



Letra e Shën Gjon Palit II drejtuar familjeve (II)



Në udhën drejt Sinodit për familjen, jemi duke lexuar letrën, që u drejtoi Gjon Pali II katolikëve, me rastin e Vitit Ndërkombëtar të Familjes, më 1994. Në fillim të letrës Papa pohon se Kisha e “përshëndet me gëzim nismën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, për shpalljen e këtij viti, dhe thekson se nuk është hera e parë që merr pjesë në ngjarjet ndërkombëtare të propozuara nga kjo Organizatë. “Nëse Kisha dëshiron të marrë pjesë – shkruan – këtë e bën sepse Krishti e ka dërguar atë ‘tek të gjitha kombet’ (Mt 28,9)” (n. 3). Duke folur për vitin e familjes, Gjon Pali II shkruan:RealAudioMP3
“Gjatë gjithë këtij viti është e rëndësishme të zbulojmë dëshmitë e dashurisë dhe të kujdesit të Kishës për familjen: dashuri dhe kujdes që shprehen që në fillimet e krishtërimit, kur familja vështrohej, në mënyrë domethënëse, si ‘kisha shtëpiake’. Në kohët tona e përdorim shpesh shprehjen ‘kishë shtëpiake’, të cilën Koncili e ka përvetësuar dhe përmbajtja e të cilës dëshirojmë të mbesë e gjallë dhe aktuale.
Kjo dëshirë nuk zbehet për shkak të vetëdijes së ndryshimit të kushteve të familjeve në botën e sotme”.
Gjon Pali II kujton se edhe Koncili II i Vatikanit, duke mbajtur parasysh rrethanat e reja shoqërore, flet për rëndësinë e dinjitetit të martesës dhe të familjes. Ai përmend thirrjen apostolike Familiaris consortio të vitit 1981, në të cilën kishte pohuar se familja mbetet “rruga e Kishës”, aq më shumë atje ku ajo “vuan nga krizat breda vetes, ose u nënshtrohet ndikimeve kulturore, shoqërore dhe ekonomike të dëmshme, që ia minojnë bashkimin e fortë, përveçse edhe e pengojnë të formohet”.
Pikënisja e përsiatjes së Papës për familjen është lutja. Asaj i kushtohet paragrafi 4 i letrës, të cilin po e lexojmë të plotë:
“Me këtë letër – shkruan Gjon Pali II – dëshiroj t’u drejtohem, jo familjeve ‘në mënyrë abstrakte’, por çdo familjeje konkrete, të çfarëdo krahine të tokës, në cilindo paralel apo meridian të gjendet dhe sidoqoftë larmia dhe ndërlikimi i kulturës dhe historisë së saj. Dashuria, me të cilën Hyji ‘aq shumë e deshi botën’ (Gjn 3,16), dashuria me të cilën Krishti ‘i deshi deri në fund’ të gjithë dhe secilin (Gjn 13,1), bën të mundur që ky mesazh t’i drejtohet çdo familjeje, ‘qelizë’ jetike e ‘familjes’ njerëzore të madhe dhe universale.
Ati, Krijuesi i gjithësisë, dhe Fjala e mishëruar, Shëlbuesi i njerëzimit, përbëjnë gurrën e qëndrimit të hapur ndaj njerëzve, si ndaj vëllezërve e motrave, dhe na shtyjnë t’i përqafojmë të gjithë me anë të lutjes, që fillon me fjalët tejet të ëmbla: ‘Ati ynë’.
Lutja bën të mundur që Biri i Hyjit të banojë mes nesh: ‘Ku dy ose tre vetë mblidhen në emrin tim, unë jam mes tyre’ (Mt 18,20). Kjo letër drejtuar familjeve dëshiron të jetë, para së gjithash, një lutje drejtuar Krishtit, që ai të rrijë me çdo familje njerëzore; një ftesë drejtuar atij, që të banojë, nëpërmjet familjes së vogël të prindërve dhe të bijve, në familjen e madhe të kombeve, me qëllim që të gjithë, bashkë me të, të mund të themi me vërtetësi: ‘Ati ynë’! Nevojitet që lutja të bëhet elementi mbizotërues i Vitit të Familjes në Kishë: lutja e familjes, lutja për familjen, lutja me familjen.
Është domethënëse se, pikërisht në lutje dhe me anë të lutjes, njeriu zbulon në mënyrë fare të thjeshtë dhe njëkohësisht të thellë subjektivitetin e vet tipik: ‘uni’ njerëzor, në lutje, e pikas më me lehtësi thellësinë e qenies së vet si vetje. Kjo vlen edhe për familjen, e cila nuk është vetëm ‘qeliza’ themelore e shoqërisë, por zotëron edhe një subjektivitet të vetin të veçantë. Kjo gjë vërtetohet dhe përforcohet thellësisht dhe së pari, kur anëtarët e familjes mblidhen në thirrjen e përbashkët: ‘Ati ynë’.
Lutja e përforcon qëndrueshmërinë dhe bashkimin shpirtëror të familjes, dhe ndihmon që ajo të marrë pjesë në fortësinë e Hyjit. Gjatë bekimit solemn të martesës, në ritin e martesës, kremtuesi e thërret Zotin me këto fjalë: ‘Diko mbi ta (bashkëshortët e rinj) hirin e Shpirtit të Shenjtë, kështuqë, falë dashurisë sate, që është derdhur në zemrat e tyre, të qëndrojnë besnikë në besëlidhjen bashkëshortore’. “Pikërisht nga ky ‘dikim i Shpirtit’ buron forca e brendshme e familjeve, sikurse edhe fuqia që është e aftë t’i bashkojë në dashuri dhe në të vërtetën.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama