HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-06-05 15:06:08
A+ A- Printo artikullin



Papa: pa integrim, ciganët mbeten viktima të skllavërive moderne



Realitet i ndërlikuar, shpesh në skaj të shoqërisë: kjo është bota e ciganëve, që bëhet lehtë viktimë e skllavërive moderne, sidomos aty ku mungon integrimi. Kështu foli Papa Françesku në Sallën Klementine në Vatikan, ku priti pjesëmarrësit e Takimit ndërkombëtar “Kisha dhe ciganët: kumtimi i Ungjillit në periferi”, takim i organizuar nga Këshilli Papnor për Emigrantët dhe Endacakët. Dy, objektivat: shqyrtimi i impenjimit baritor të Kishës në favor të ciganëve dhe përgatitja e 50-vjetorit të vizitës së Papës Pali VI në Pomecia të Italisë, me rastin e shtegtimit ndërkombëtar të ciganëve. Ajo vizitë, realizuar më 27 shtator 1965, shënoi interesimin e veçantë të Kishës Katolike për popullin cigan, që vazhdon edhe sot.RealAudioMP3
Shpesh, vuri në dukje Papa Françesku mendësinë mbizotëruese, ciganët shihen me dyshim, mënjanohen e nuk pyeten aspak, as për çështje politike, ekonomike e shoqërore, të cilat u përkasin. Por edhe ata, nënvizoi, janë të thirrur të kontribuojnë për të mirën e përbashkët, duke kërkuar respektimin e të drejtave e të detyrave të tyre:
“Unë kujtoj sa herë, këtu në Romë, kur hipnin në autobuz ciganët, shoferi thoshte: ‘Kujdes portofolin!’. Kjo është përbuzje! Ndoshta është edhe e vërtetë, por thuhet me përbuzje”.
Duhet respektuar dinjiteti, vazhdoi më pas Papa, i cili kërkoi që, përkrah punës së Kishës në favor të ciganëve, të impenjohen edhe institucionet e bashkësia ndërkombëtare për të gjetur projekte, të cilat mund t’u përmirësojnë cilësinë e jetës. E gjithë shoqëria dëmtohet kur mungojnë strukturat edukative, ato të formimit kulturor e profesional, kur nuk funksionon shëndetësia e tregu i punës, kur mungojnë banesat, apo nuk janë dinjitoze, por të gjitha këto prekin edhe më shumë grupet më të brishta, viktima të lehta të formave të reja të skllavërisë:
“Vërtet, janë njerëzit më të pambrojtur ata, që bien në kurthin e shfrytëzimit, kthehen me detyrim në lypës e bëhen viktima të formave të ndryshme të abuzimit. Ciganët janë ndër më të cënueshmit, sidomos kur mungon ndihma për integrim dhe kur nuk promovohen përmasat e ndryshme të jetesës së qytetëruar”.
Duke pasur parasysh këtë gjendje, Papa Françesku vlerësoi kontributin e Kishës në favor të ciganëve. “Ungjilli - përfundoi Ati i Shenjtë – është kumtim i gëzimit për të gjithë, sidomos për më të brishtët e më të mënjanuarit”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama