HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-06-05 13:50:37
A+ A- Printo artikullin



Takimi i Papës me Katolikosin Arami I: plagët e popullit armen, plagë të Krishtit



Shpresa, impenjimi i përbashkët, bashkimi: ishin këto fjalët, që karakterizuan takimin e paradites së sotme ndërmjet Papës Françesku dhe Katolikosit të Kishës Armene Apostolike të Cilicës, Shenjtërisë së Tij, Aramit I. Të dy reflektuan mbi historinë plot vuajtje e sprova të popullit e të Kishës armene. Së fundi, lutja e përbashkët në Kapelën “Redemptoris Mater”.RealAudioMP3
“Hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Jezu Krishtit Zot! (Rm 1,7). Mirëseerdhët në shtëpinë e shën Pjetrit e shën Palit, Apostuj!”
Përshëndetja vëllazërore e Papës vijoi me falenderimin për marrëdhëniet e mira që e lidhin Kishën e Romës me atë të Cilicës, si edhe për impenjimin e Katolikosit Arami I në çështjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve:
“E ndjej se mund të them që në këtë udhë drejt bashkimit të plotë, kemi të njëjtat shpresa dhe të njëjtin impenjim me përgjegjësi, të vetëdijshëm se po ecim kështu sipas vullnetit të Zotit tonë Jezu Krisht”.
Më Pas, Ati i Shenjtë preku thelbin e historisë së vendit, që përfaqëson Arami I. Armenia, tha Papa, ka një histori sprovash e vuajtjesh, që i pranoi me guxim për hir të dashurisë për Zotin:
“Historia e emigracionit, e persekutimit, e martirizimit të kaq shumë besimtarëve, ka hapur plagë të thella në zemrat e gjithë armenëve. Duhet t’i shohim e t’i nderojmë si plagët e vetë korpit të Krishtit: pikërisht për këtë, ato janë edhe arsyeja e shpresës së patundur dhe e besimit në mëshirën e në provaninë e Atit Qiellor”.
Sa kemi nevojë për besim e shpresë, nënvizoi Papa, sidomos për vëllezërit e krishterë në Lindjen e Mesme, për ata, që jetojnë në zona konflikti e dhune. Kemi nevojë edhe për vete, kur humbasim në shkretëtirat e indiferencës dhe e harrojmë Zotin, kur përqendrohemi në kundërshtitë apo në betejat tona të brendshme kundër mëkatit:
“Si ndjekës të Jezusit, duhet të mësohemi ta mbajmë me përvuajtëri barrën e njëri-tjetrit, duke e ndihmuar veten dhe të tjerët të jemi më të krishterë, më tepër dishepuj të Krishtit. Të ecim pra, së bashku, me atë dashuri, që na ka dashur Krishti duke dhënë vetveten për ne, duke iu ofruar Zotit si fli erëmirë (shih Ef 5,1-2)”.
Të dielën, Kisha Katolike kremton Rrëshajët, prandaj lutja e fundit e Papës iu drejtua Shpirtit Shenjt, që të vijë për t’ia përtërirë fytyrën tokës, për të shëruar plagët e botës e për të pajtuar çdo zemër njeriu me Krijuesin e vet:
“Ai, Parakliti, frymëzoftë udhën tonë drejt bashkimit, na mësoftë si t’i ushqejmë lidhjet vëllazërore, që na bashkojnë edhe tani, përmes të njëjtit pagëzim e së njëjtës fe”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama