HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-06-08 15:56:00
A+ A- Printo artikullin



Në takimin me sportistët, Papa Françesku përshëndetet nga një shqiptar



Kaloi pothuaj në heshtje dje fakti se gjatë takimit të Papës Françesku me 60 mijë atletët e sportistët në sheshin e Shën Pjetrit, në një festë të madhe të sportit, me rastin e 70 vjetorit të Qendrës Sportive Italiane, Atin e Shenjtë e përshëndeti një shqiptar. Është fjala për basketbollistin Klaudio Ndoja, nga Shkodra, “gladiatori”, siç e quajnë për karakterin e tij të vendosur. Por le ta dëgjojmë përshëndetjen e tij nga sheshi i Shën Pjetrit për Papën Françesku, të cilin e përqafoi më pas:RealAudioMP3
“Quhem Klaudio Ndoja e jam shqiptar. Arrita në Itali në vitin 1998, sepse në vendin tim kishte luftë civile, prandaj, edhe loja në oborrin e shtëpisë ishte e rrezikshme për shkak të plumbave.
Erdha këtu me familjen. Një ditë hyra në oratorin e lagjes Palazzolo Milanese dhe u njoha me don Markon, që më lejoi të luaja basketboll, megjithëse akoma nuk kisha as letërnjoftimin. Gjithnjë don Marku, me tha se kisha prirje për basketboll. Pikërisht atëherë shkova në Dezio, vendi më i afërt. Prej aty, arrita në kategorinë B e pastaj në kategorinë A. Sporti më ka ndihmuar të jem ky që jam sot. Nuk e di nëse jam kampion në sport, por besoj se jam kampion në jetë, falë mësimeve të prindërve e të sportit”.
Festa e djeshme e sportit mbushi me ngjyra e pasione sheshin e Shën Pjetrit dhe Udhën e Pajtimit. Papa Françesku tha se shkolla, sporti e puna janë tri rrugët, që të rinjtë të rriten e të jetojnë me dinjitet. I ftoi të pranishmit t’ia kushtojnë jetën diçkaje, që ia vlen me të vërtetë e që i qëndron kohës, duke pasur kujdes të mos bien në kurthin e drogës e të alkoolit. U foli sportistëve si kapiteni para ndeshjes:
“Si kapiten, ju nxis të mos mbylleni në mbrojtje, por të vini në sulm, ta luajmë së bashku këtë ndeshje, që është ajo e Ungjillit. Kujdes: të luajnë të gjithë, jo vetëm më të mirët, por të gjithë, me meritat e kufizimet që ka secili, madje, duke privilegjuar më të pafavorizuarit, siç bënte Jezusi”.
Në fund, Papa kërkoi një lutje të veçantë për të:
“Ju kërkoj të luteni për mua, sepse edhe unë duhet të bëj lojën time, që është edhe loja juaj, është loja e gjithë Kishës! Lutuni për mua që unë ta bëj këtë lojë deri ditën që Zoti do të më thërrasë pranë vetes”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama