HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-06-08 13:22:43
A+ A- Printo artikullin



Rrëshajët - Ardhja e Shpirtit të Shenjtë



Leximi i parë (Vap 2,1-11)


Kur erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend. Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë iu dukën gjuhë, si të ishin prej zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin.RealAudioMP3
Dhe asohere në Jerusalem banonin judenj, njerëz të përshpirtshëm, të ardhur prej të gjitha kombeve të botës. Dhe, kur u dëgjua ajo ushtimë, ngarendi një shumicë e madhe dhe mbetën të habitur, sepse secili i dëgjonte duke folur në gjuhën e vet. Të gjithë çuditeshin e mrekulloheshin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin, a thua vallë nuk janë të gjithë galileas? Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon duke folur në gjuhën e vet amtare? Partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit e të Azisë, të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit e të krahinave të Libisë rreth Cirenës, njerëz të ardhur nga Roma, judenj e proselitë, kretas e arabë-‑ të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e madhërueshme të Hyjit në gjuhët tona amtare.”

Nga Psalmi 104 (103)

Plot është toka me Shpirtin tënd, o Zo
Bekoje, shpirti im, Zotin!
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!

Plot është toka me krijesat e tua.
Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,
dhe kthehen në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde, përsëri përtërihen
dhe e rinon fytyrën e dheut.

E amshueshme qoftë lavdia e Zotit,
u gëzoftë Zoti në veprat e veta!
I pëlqeftë Zotit kënga ime,
kënaqësinë time e kam vënë në Zotin!


Leximi i dytë (1Kor 12, 3-7.12-13)

Vëllezër, askush që flet nën ndikimin e Shpirtit të Hyjit, nuk thotë: “Qoftë mallkuar Jezusi!”, por edhe askush nuk mund të thotë as: “Jezusi është Zot!”, veçse nën veprimin e Shpirtit Shenjt.
Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë ‑ edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë ‑ po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë ‑.Ai bën gjithçka në të gjithë.
Secili merr dhuratë të veçantë të zbulesës së Shpirtit Shenjt për të mirën e përbashkët. Dhe njëmend, sikurse një trup i vetëm ka shumë gjymtyrë e të gjitha gjymtyrët e trupit, edhe pse shumë - nuk trajtojnë veçse një trup të vetëm - ashtu edhe Krishti. Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt.

Ungjilli (Gjn 20,19-23)

Në mbrëmjen e po asaj dite-‑ të parën ditë të javës-‑ ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Pastaj u tha prapë: “Paqja me ju! Siç më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.”
Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.”


Kisha jeton në Shpirtin e Krishti
t
Gjatë kohës së pashkëve, liturgjia na ka ndihmuar të meditojmë mbi praninë e të Ringjallurit në Kishë, mbi dhuratën e Shpirtit të Shenjtë, mbi Kishën, si shenjë dhe kumtim i jetës së re, që lind nga pashkët e Zotit. Në këtë solemnitet të Rrëshajëve, leximi i parë (nga Veprat e Apostujve) dhe Ungjilli sipas Gjonit, megjithëse tregojnë të njëjtën ngjarje me stile letrare dhe perspektiva teologjike të ndryshme, paraqesin realitetin e ri të Kishës, fryt i ringjalljes dhe i dhuratës së Shpirtit të Shenjtë.
Shpirti i Besëlidhjes universale dhe përfundimtare
Shëmbëllimet që na jep Luka, duke treguar ngjarjen e Rrëshajëve, na lejojnë të heqim një paralele ndërmjet Rrëshajëve të Sinait (Dal 19,3-20; 31,18) dhe asaj në Jeruzalem:

    Në Sinai ishte ftuar të mblidhej gjithë populli. Zjarri dhe era e fortë patën dëftur praninë e Hyjit mbi mal; Hyji i pati dhënë Moisiut Ligjin e Besëlidhjes;
  • Në Jeruzalem, apostujt janë “të gjithë së bashku në të njëjtin vend” (Vep 2,1). Në vendin ku janë mbledhur shfaqen të njëjtat fenomene si në Sinai. Hyji dhuron Shpirtin e Besëlidhjes së Re.


Kjo është risia e Rrëshajëve të krishtera: Besëlidhja e re dhe përfundimtare nuk është më e themeluar mbi një ligj të shkruar në rrasa guri, por mbi veprimin e Shpirtit të Hyjit. Kuptohet si “pa Shpirtin e Shenjtë, Hyji është larg, Krishti mbetet në të shkuarën, Ungjilli një shkronjë e vdekur, Kisha një organizatë e thjeshtë, autoriteti një pushtet, misioni një propagandë, kulti një arkaizëm dhe sjellja morale një sjellje prej skllevërish. Por, në Shpirtin e Shenjtë, kozmosi fisnikërohet falë lindjes së Mbretërisë, Krishti i ringjallur bëhet i pranishëm, Ungjilli bëhet fuqi dhe jetë, Kisha realizon bashkësinë trinitare, autoriteti shndërrohet në shërbim, liturgjia është përkujtim dhe herëshim, sjellja njerëzore hyjnizohet” (Atenagora).

Shpirti i Shenjtë e strukturon Kishën për mision

Pagëzimi në Shpirtin e Shenjtë e ndriçon bashkësinë për sa i përket misterit të Krishtit, Mesi, Zot e Biri i Hyjit; na bën ta kuptojmë ringjalljen si përmbushjen e projekteve të shpëtimit të Hyjit jo vetëm për popullin e Izraelit, por për të gjithë botën; e shtyn të kumtojë, në të gjitha gjuhët dhe në çdo rrethanë, pa u trembur as para përndjekjeve, as para vdekjes. Si apostujt, ashtu edhe martirët dhe të gjithë të krishterët, që e kanë dëgjuar deri në fund zërin e Shpirtit të Krishtit, bëhen dëshmitarë: të asaj që kanë parë, të asaj që u është përçuar dhe që e kanë vërtetuar në jetën e tyre.
Çdo bashkësi është e thirrur të bashkëpunojë me Shpirtin për ta ripërtërirë botën, nëpërmjet shpalljes dhe dëshmisë së shpëtimit, në veprimtarinë e përditshme, sikurse në thirrjet e jashtëzakonshme. Për këtë arsye Kisha strukturohet dhe merr formë me anë të dhuratave, detyrave, shërbesave që burojnë nga një gurrë e vetme, në Shpirtin e Atit dhe të Birit.
Po ai shpirt bën që të gjitha gjërat të bashkërenditen për “të mirën e përbashkët” (khs leximin e dytë). Në këtë mënyrë, plotësia dhe gjallëria e Shpirtit shfaqet me anë të një Kishe të hapur ndaj të gjithëve, për të dëshmuar në “veprat” e besimtarëve praninë e Hyjit në botë.

Rrëshajët vijojnë në Kishë

Rrëshajët, pra, nuk kanë përfunduar; ato vijojnë në situatat në të cilat jeton Kisha; gjithë jeta e të krishterëve zhvillohet nën shenjën e Shpirit të Shenjtë. Secili, në fakt “jeton nën ndikimin e Shpirtit të Pagëzimit dhe të Krezmimit të vet; është gjithmonë Shpirti ai që e përforcon fenë dhe bashkimin tonë sa herë që marrim pjesë në eukaristi dhe lutja përmbi dhuratat e altarit na kujton ndërhyrjen e Shpirtit të Shenjtë jo vetëm për shndërrimin e bukës dhe të verës, por edhe për mëkëmbjen e fesë dhe të bashkimit në Kishë.
Në të njëjtën mënyrë Shpirti vepron në shugurimin meshtarak, për t’i dhënë, atij që është i thirrur, pushtetin për të bërë të pranishme misteret e Krishtit; Shpirti është i pranishëm edhe në kremtimin e sakramentit të martesës, duke u dhënë bashkëshortëve forcën e besnikërisë dhe bashkimin e ndërsjellë, sipas bashkimit të Krishtit me Kishën e vet. Ne, pra, në çdo çast, jemi të mbrunjur me Shpirtin e Shenjtë.
Nuk ka asnjë takim lutjeje, asnjë liturgji të Fjalës, në të cilën Shpirti nuk vepron, për të na lejuar që të lutemi dhe të dialogojmë me Zotin, i cili është bërë i pranishëm mes nesh me anë të forcës së Shpirtit, që i jep jetë fjalës së shpallur”.
(Marrë nga www.maranatha.it)

Misioni në Shpirtin e Shenjtë
(Nga traktati “Kundër herezive”, i Shën Ireneut, ipeshkëv)

Zoti, duke u dhënë nxënësve pushtetin për t’i lindur njerëzit në Hyjin, u thoshte: “Shkoni, mësojini të gjitha kombet dhe pagëzojini në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë” (Mt 28,19).
Ky është shpirti, të cilin Zoti pemtoi, me anë të profetëve, se do ta dikonte mbi shërbëtorët dhe shërbëtoret e veta në fundin e kohrave, që të merrnin dhuratën e profecisë. Prandaj ai zbriti edhe mbi Birin e Hyjit, që u bë biri i njeriut, duke u mësuar me të për të banuar në gjininë njerëzore, për të pushuar mes njerëzve dhe për të banuar në krijesat e Hyjit, duke vënë në veprim tek ata vullnetin e Atit dhe duke i ripërtërirë nga njeriu i vjetër në risinë e Krishtit.
Luka tregon se ky Shpirt, pas ngjitjes së Zotit, erdhi mbi apostujt në Rrëshajë, me vullnetin dhe pushtetin për t’u prirë të gjitha kombeve drejt zbulimit të Besëlidhjes së Re. Kështu do të ishin bërë një kor i mrekullueshëm, për t’i kënduar Hyjit njëzëri himnin e lavdërimit, sepse Shpirti i Shenjtë do t’i kishte zhdukur largësitë, do t’i kishte fshirë stonaturat dhe do ta kishte shndërruar mbledhjen e popujve në të lashtat, që i kushtohen Hyjit.
Prandaj, Zoti premtoi se do ta dërgonte Ai vetë Paraklitin, për të na bërë të pëlqyeshëm para Hyjit. Në të vërtetë, sikurse mielli nuk lidhet në një masë të vetme brumi, as nuk mund të bëhet bukë e vetme pa ujin, kështu as ne, shumicë e pabashkuar, nuk mund të bëheshim një Kishë e vetme në Krishtin Jezus pa “Ujin” që zbret prej qiellit. Dhe sikurse toka e thatë, nëse nuk laget me ujë, nuk mund të japë fryte, ashtu edhe ne, drunj të thjeshtë, të zhveshur e të thatë, nuk do të jepnim kurrë fryte jete, pa “shiun” që na u dërgua lirisht nga lart.
Larja e pagëzimit me veprimin e Shpirtit të Shenjtë na ka bashkuar të gjithëve në shpirt e në trup, në atë bashkim që na ruan nga vdekja.
Shpirti i Hyjit zbriti mbi Zotin si Shpirti i urtisë dhe i mençurisë, si Shpirti i këshillit dhe i forcës, si Shpirti i dijes dhe i përshpirtërisë, si Shpirti i frikës së Hyjit (khs Is 11,2).
Zoti, pastaj, nga ana e vet, ia dha këtë shpirt Kishës, duke dërguar nga qielli Paraklitin mbi mbarë dheun, prej ku, siç tha ai vetë, djalli u dëbua siç bie rrufeja (khs Lk 10,18). Prandaj është e domosdoshme për ne vesa e Hyjit, që të mos digjemi e të mos bëhemi pa fryte. Dhe atje ku do të ndeshemi me paditësin, mund të kemi edhe mbrojtësin.
Zoti ia beson Shpirtit të Shenjtë njeriun që hasi në cuba, domethënë ne. Ndjen dhembshuri për ne dhe na i lidh plagët. Na jep edhe dy denarë me figurën e mbretit. Kështu, duke vulosur në shpirtin tonë, me anë të Shpirtit të Shenjtë, figurën dhe mbishkrimin e Atit dhe të Birit, bën të japin fryte në ne talentet, që na janë besuar, të cilët, pastaj, ia kthejmë Zotit të shumuar.

Gjon Pali II, nga Enciklika Dominum et Vivificantem

N. 25 - “Pasi u përmbush vepra, që Ati i kishte besuar Birit mbi tokë (Gjn 17,4), ditën e Rrëshajëve qe dërguar Shpirti i Shenjtë, për ta shenjtëruar vazhdimisht Kishën dhe që besimtarët të kishin, kështu, me anë të Krishtit, mundësinë për të shkaur tek Ati në një Shpirt të vetëm”. Ky është Shpirti i jetës, burimi i ujit, që rrjedh deri në jetën e amshuar (Gjn 4,14; Gjn 7,38), ai nëpërmjet të cilit Ati u jep jetën njerëzve, të vdekur për shkak të mëkatit, deri kur, një ditë, do t’i ringjallë në Krishtin trupat e tyre të pavdekshëm (Rm 8,10)”. Kështu flet Koncili i Vatikanit II për lindjen e Kishës në ditën e Rrëshajëve.
Kjo ngjarje përbën dëftimin përfundimtar të asaj që ishte përmbushur në dhomën e darkës së fundit të dielën e pashkëve. Krishti i ringjallur erdhi dhe “u solli” apostujve Shpirtin e Shenjtë. Ua dha duke thënë: “Merreni Shpirtin e Shenjtë”. Ajo që kishte ndodhur në dhomën e darkës së fundit, “me dyer të mbyllura, më vonë, ditën e Rrëshajëve, shfaqet edhe përjashta, para njerëzve. Hapen dyert e dhomës së darkës së fundit, dhe apostujt drejtohen kah banorët dhe shtegtarët e mbledhur në Jeruzalem me rastin e festës, për të dëshmuar Krishtin, me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë. Në këtë mënyrë përmbushet paralajmërimi: “Ai do të më japë dëshmi; edhe ju do të më jepni dëshmi, sepse ishit me mua qysh prej fillimit”. Në një dokument tjetër të Koncilit II të Vatikanit lexojmë: “Padyshim Shpirti i Shenjtë vepronte në botë ende para se Krishti të hynte në lavdi. Por ditën e Rrëshajëve ai zbriti mbi nxënësit, për të ndenjur me ta për amshim dhe Kisha doli publikisht përballë turmës dhe zuri fill, me anë të predikimit dhe të përhapjes së Ungjillit mes paganëve”.
Koha e Kishës ka filluar me “ardhjen”, domethënë me zbritjen e Shpirtit të Shenjtë mbi apostujt e mbledhur në dhomën e darkës së fundit, në Jeruzalem, bashkë me Marinë, Nënën e Zotit. Koha e Kishës zuri fill në çastin në të cilin premtimet dhe paralajmërimet, që i referoheshin haptas ngushëlluesit, Shpirtit të së vërtetës, filluan të vërtetoheshin tek apostujt me gjithë fuqinë dhe pakundërshtueshmërinë, duke përcaktuar, kështu, lindjen e Kishës. Për këtë flasin shumë Veprat e Apostujve, prej të cilave del se, sipas vetëdijes së bashkësisë së parë, për siguritë e së cilës flet Luka, Shpirti i Shenjtë mori në dorë udhëheqjen e padukshme – por disi të përceptueshme – të atyre që, pas nisjes së Zotit Jezus, e ndjenin thellë se kishin mbetur jetimë. Me ardhjen e Shpirtit, ata janë ndjerë të përshtatshëm për ta përmbushur misionin që u ishte besuar. Janë ndjerë plot me forcë. Pikërisht këtë gjë bëri të mundur ndër ta Shpirti i Shenjtë dhe këtë ai e bën të mundur vazhdimisht në Kishë, me anë të pasardhësve të tyre. Hiri i Shpirtit të Shenjtë, në fakt, që apostujt ua dhanë bashkëpunëtorëve të tyre me anë të mbivendosjes së duarve, vijon të përçohet në Shugurimin ipeshkvnor.
Ipeshkvinjtë, pastaj, me anë të sakramentit të Urdhrit, bëjnë pjesëtarë të kësaj dhurate shpirtërore ministrat e shenjtë dhe kujdesen që, me anë të Sakramentit të Krezmimit, të përforcohen të gjithë ata që rilindin me ujë e me Shpirtin e Shenjtë. Kështu, në një farë mënyre, përjetësohet në Kishë hiri i Rrëshajëve.
Siç shkruan Koncili, “Shpirti banon në Kishë dhe në zemrat e besimtarëve si në një tempull (1Kor 3,16; 1Kor 6,19), dhe në ta lutet dhe jep dëshmi për adoptimin e tyre si bij (gal 14,6); Rm 8,15). Ai i prin Kishës drejt plotësisë së të vërtetës (Gj 16,13), e njëson në bashkim dhe në shërbesë, e ndërton dhe e drejton, me dhuratat e ndryshme hierarkike dhe karizmatike, e pasuron me frytet e veta (Ef 4,11; 1Kor 12,4; Gal 5,22). Me forcën e Ungjillit e mban Kishën gjithmonë të re, e përtërin vazhdimisht dhe e çon drejt bashkimit të përsosur me dhëndrin”.
N. 34. “Shpirti i Hyjit”, i cili, sipas përshkrimit biblik të krijimit “flatronte mbi ujra”, tregon po atë “Shpirt që shqyrton thellësitë e Hyjit”; shqyrton thellësitë e Atit dhe të Fjalës-Bir, në misterin e krijimit. Jo vetëm se është dëshmitari i drejtpërdrejtë i dashurisë së tyre të ndërsjellë, prej së cilës buron krijimi, por është ia vetë dashuria. Ai vetë, si dashuri, është dhurata e amshuar e pakrijuar. Në të gjendet burimi dhe fillimi i çdo dhurate për krijesat. Dëshmia e fillimit, të cilën e gjejmë në të gjithë Zbulimin, duke filluar nga libri i Zanafillës, në këtë pikë është e qartë. Të krijosh do të thotë të thërrasësh nga azgjëja në ekzistencë. E, nëse bota e dukshme krijohet për njeriun, atëherë njeriut i dhurohet bota. Njëkohësisht, vetë njeriu, në njerëzinë e vet, merr si dhuratë “shëmbëllimin dhe ngjashmërinë” e veçantë me Hyjin. Kjo do të thotë jo vetëm arsyen e lirinë, si veti thelbësore të natyrës njerëzore, por edhe, qysh prej fillimi, si aftësinë për marrëdhënie personale me Hyjin, si “unë” e “ti” dhe, prandaj, si aftësinë për besëlidhjen, që do të realizohet me komunikimin shpëtimtar të Hyjit me njeriun.
Në sfondin e “shëmbëllimit dhe ngjashmërisë” me Hyjin, “dhurata e Shpirtit” do të thotë, më në fund, thirrje për miqësinë, në të cilën thellësitë transhendente të Hyjit, hapen për njeriun, që ai të marrë pjesë në to. Koncili II i Vatikanit mëson: “Hyji i padukshëm (Kol 1,15; 1Tm1,7), në dashurinë e vet të madhe, flet me njerëzit si me miqtë (Dal 33,11; Gj 15,14) dhe rri me ta (Bar 3,38), për t’i ftuar dhe për t’i pranuar në bashkësi me veten”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama