HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Politika >  2014-06-12 12:58:25
A+ A- Printo artikullin



Irak: përparojnë milicët xhihadistë. Rrezik lufte civile



Në Irak, vazhdojnë të përparojnë milicët xhihadistë të Shtetit Islamik të Irakut e të Lindjes, që sot kanë marrë në dorë qytetin e Ninives, kanë hyrë edhe në Tikrit e janë në dyert e Samarrës. Dje, morën Mosulin dhe sekuestruan konsullatën turke.
Vendi ndodhet kështu në prag të një lufte civile, 11 vjet pas ndërhyrjes anglo-amerikane e fundit të regjimit të Sadam Hyseinit. Kryeministri al Maliki ftoi të gjithë qytetarët të marrin armët për të kundërshtuar avancimin drejt veriut të xhihadistëve sunitë pranë Al Kaedës. Sipas lajmeve të fundit, ata kanë ekzekutuar 15 anëtarë të forcave irakiane të sigurisë në provincën e Kirkukut e mbajnë peng 48 punonjës të konsullatës turke në Mosul, përfshirë konsullin. Milicët kanë hyrë edhe në qytetin e lindjes së Sadam Hyseinit, në Tikrit dhe ndodhen aktualisht 120 km larg Bagdadit. Sulme edhe në Qerbela e afër Basrës. Në Kirkuk e në Ninive kanë hyrë në veprim peshmergat kurdë, për të mbushur boshllëkun e lënë nga ushtria qeveritare.
Për të kundërshtuar këtë valë terrori sunit, propozimi i liderit ekstremist Moktada al Sadr, i cili dëshiron të formojë brigada të koordinuara nga qeveria për të mbrojtur vendet e shenjta të shiitëve. Ndërkaq, bashkësia ndërkombëtare shpreh shqetësimin e saj përmes Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun. Edhe Departamenti i Shtetit amerikan, tre vjet pa tërheqjes së trupave nga Iraku, e konsideron gjendjen “jashtëzakonisht serioze”. Bashkimi Evropian dhe Lidhja Arabe u bëjnë thirrje të gjitha forcave demokratike irakiane të rivendosin paqen në vend, duke i detyruar milicët të respektojnë Kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e fundit të 30 prillit.
Që nga fillimi i këtij viti, dhuna e milicëve sunitë në Irak ka shkaktuar mëse 4 mijë viktima. Patriarkati kalde i Bagdadit është thellësisht i shqetësuar për fatin e disa mijëra të krishterëve, që kanë mbetur në Mosul. Të dëgjojmë zëdhënësin, atë Albert Hisham:
Patriarku Sako flet me shqetësim për situatën aktuale në Mosul, e cila është shumë e rëndë. Të krishterët janë larguar për në fshatrat përreth, por nuk dimë se ç’mund të ndodhë në ditët që vijnë. Edhe ushtria e policia kanë ikur nga qyteti, sepse e kanë humbur kontrollin e tij. Patriarkati kalde e sheh zgjidhjen në qeverinë kombëtare, e cila, fatkeqësisht, nuk është aq e bashkuar, por shqetësohet për sigurinë e krejt Irakut. Është e nevojshme të formohet sa më shpejt qeveria e bashkimit kombëtar, në mënyrë që të gjendet zgjidhja ndaj këtij problemi.
Cila është gjendja aktuale në Mosul?
Gjendja është shumë e rëndë, sepse të gjithë terroristët kanë hyrë në qytet, e kanë shtënë atë në dorë, e askush nuk mund të hyjë më pas tyre. Ipeshkvi i Mosulit po ndihmon të krishterët të dalin nga qyteti, për t’u strehuar në fshatrat përreth. Për të gjithë ne, pyetja është: cila do të jetë e ardhmja e Irakut dhe e të krishterëve vendas? Sepse me këto ngjarje, të krishterët e humbin besimin në vendin e në qeverinë e tyre. Kemi frikë nga emigracioni. Shumë ikin. Thirrja e Patriarkatit kalde u drejtohet të gjithë njerëzve vullnetmirë në pushtet, që të realizojnë planin e bashkimit kombëtar të vendit, në mënyrë që të gjithë të jetojmë në një atmosferë vëllazërimi.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama