HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-06-12 12:55:01
A+ A- Printo artikullin



Papa: Jezusi na kërkon të kemi guximin për ta ndalur urrejtjen



Jezusi na mëson tre kritere për t’i tejkaluar konfliktet me njëri-tjetrin: realizmi, koherenca, birësimi. Kështu tha Papa Françesku gjatë Meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në homelinë e përqendruar tek dashuria vëllazërore, të cilën Jezusi ua dhuron nxënësve të vet.
Si duhet të jetë dashuria ndërmjet nesh, sipas Jezusit? Papa Françesku e zhvilloi homelinë, duke u ndalur tek pjesa e Ungjillit të sotëm, që tregon dialogun e Zotit me nxënësit e vet për dashurinë vëllazërore. Jezusi, vërejti Papa, na thotë se duhet ta duam të afërmin, por jo si farisenjtë, të cilët nuk ishin koherentë dhe “u jepnin shumë nuanca ideve, sepse ishin ideologë”. Qëndrimi e tyre, tha Papa, “nuk ishte dashuria”, ishte “indiferenca ndaj të afërmit”. Jezusi, theksoi Papa Françesku, “na jep tre kritere”:
“I pari, kriteri i realizmit. Realizëm i shëndoshë. Nëse ke diçka kundër dikuj e nuk mund ta ndreqësh, kërko një zgjidhje, të paktën të bini në një mendje. Merru vesh me kundërshtarin tënd, duke ecur udhës. Nuk do të jetë zgjidhja ideale, por marrëveshja është gjë e mirë. Është realizëm”.
“Përpjekja për të bërë një marrëveshje”, nënvizoi, edhe pse dikush mendon se është “gjë tepër vulgare”. Për të shpëtuar shumë gjëra, “duhet rënë në një marrëveshje. Njëri bën një hap, tjetri bën një hap tjetër dhe të paktën vihet paqja; një paqe e përkohëshme, por është paqja e marrëveshjes”. Jezusi, shtoi Papa, “tregon edhe këtë gjë: aftësinë për të rënë në marrëveshje me njëri-tjetrin dhe për ta tejkaluar drejtësinë e farisenjve, të doktorëve të ligjit, të këtyre njerëzve”. Ka shumë situata njerëzore dhe, ndërsa jemi në udhë, bëjmë një marrëveshje, “kështu e ndalim urrejtjen, luftën mes nesh”. Një tjetër kriter, që na jep Jezusi, tha Papa, “është kriteri i së vërtetës”. E këtu Papa Françesku theksoi se “të përgojosh të tjerët është si të vrasësh, sepse në rrënjë është e njëjta urrejtje”, “e vret” “në një tjetër mënyrë: me thashetheme, me shpifje, me gënjeshtra”. E Jezusi na paralajmëron: “Kush i thotë vëllait i marrë, e vret, sepse kjo ka në rrënjë urrejtjen”:
“E sot mendojmë se të mos e vrasësh vëllanë do të thotë të mos e qëllosh për vdekje. Por jo: të mos e vrasësh do të thotë të mos e shash. Sharja lind nga e njëjta rrënjë si krimi. Është e njëjta gjë: urrejtja. Nëse unk ke urrejtje dhe nuk do ta vrasësh armikun tënd, as vëllanë tënd mos e shaj. Por sharjet janë një zakon shumë i përhapur ndër ne. Ka njerëz që, për të shprehur urrejtjen kundër një njeriu tjetër, kanë aftësinë mbresëlënëse për të shpërthyer në lulëzimin e sharjeve. E kjo bën keq. Bërtitja, sharja... Jo, të jemi realistë. Kriteri i realizmit. Kriteri i koherencës. Mos vrit, mos shaj”.
Kriteri i tretë, që na jep Jezusi, vijoi Papa, “është kriteri i birësimit”. “Nëse ti, nëse ne nuk duhet ta vrasim vëllanë – pohoi – kjo është ngaqë e kemi vëlla, domethënë kemi të njëjtin Atë. Unë nuk mund të shkoj tek Ati, pa qenë në paqe me vëllanë tim”. “Mos fol me Atin, nëse nuk je në paqe me vëllanë tënd – bëri thirrje Papa – të paktën me një marrëveshje”:
“Mos fol me Atin, pa qenë në paqe me vëllanë. Tre kritere: kriteri i realizmit, kriteri i koherencës, domethënë të mos vrasësh, por as të mos shash, sepse kush shan, qëllon për vdekje, vret; dhe kriteri birësimi: nuk mund të flas me Atin, nëse nuk flas me vëllanë tim. E kjo do të thotë të tejkalosh drejtësinë, atë të skribëve dhe të farisenjve. Ky program nuk është i lehtë, apo jo? Por është rruga që na tregon Jezusi, për të ecur përpara. T’ia kërkojmë Atij hirin për të ecur përpara në paqe me njëri-tjetrin, qoftë edhe me marrëveshje, por gjithmonë me koherencë dhe me shpirtin e birësimit".




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama