HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-06-12 12:55:34
A+ A- Printo artikullin



Shën Gjon Pali II: Dashuria dhe kujdesi për familjet



Rubrikën “Çelësi i fjalëve të Kishës” ia kushtojmë temës së familjes, në pritje të Sinodit të jashtëzakonshëm, që shpalli Papa Françesku për tetorin e këtij viti. Jemi duke lexuar letrën drejtuar familjeve, që Papa Gjon Pali II shkroi me rastin e Vitit të Familjes më 1994. Në paragrafin e sotëm (5) flitet për rëndësinë e lutjes së familjes, me familjen dhe për familjen, duke mbajtur parasysh thirrjen e lartë të saj, por edhe brishtësinë e njerëzve që e përbëjnë bashkësinë familjare. Në qendër të lutjes, sikurse edhe pranë çdo familjeje, gjenden Maria dhe Jezusi. Të dëgjojmë çfarë shkruan Shën Gjon Pali II...

Le të jetë, Viti i Familjes, një lutje korale dhe e pandërprerë e “kishave shtëpiake” të veçanta dhe e tërë popullit të Hyjit! Kjo lutje le të përfshijë edhe familjet në vështirësi ose në rrezik, familjet që kanë humbur besimin, apo janë ndarë, si edhe ato që thirrja apostolike Familiaris consortio i cilëson si “të parregullta”. Le të ndjehen të gjitha të përqafuara nga dashuria dhe nga kujdesi i vëllezërve dhe motrave!
Lutja, në Vitin e Familjes, duhet të jetë një dëshmi zemërdhënëse, nga ana e familjeve, që realizojnë në bashkësinë shtëpiake thirrjen jetës së tyre njerëzore dhe të krishterë. Janë të shumta në çdo komb, dioqez dhe famulli. Mund të mendohet me të drejtë se ato përbëjnë “rregullin”, edhe pse duhet të mbajmë parasysh “situatat e parregullta”. Dhe përvoja tregon sa i rëndësishëm është roli i një familjeje, që i rri besnike normës morale, në mënyrë që njeriu, i cili lind dhe formohet në familje, të ndërmarrë pa mëdyshje rrugën e së mirës, shkruar që gjithmonë në zemrën e tij.
Fatkeqësisht, në ditët tona, programe të ndryshme, me ndihmën e mjeteve shumë të fuqishme, synojnë ta shpërbëjnë familjen. Nganjëherë duket se po bëhen përpjekje për të paraqitur si “të rregullta” dhe tërheqëse situatat, që në fakt janë “të parregullta”, duke i bërë të duken tejet joshëse. Por ato shkojnë kundër “të vërtetës dhe dashurisë”, që duhet t’i frymëzojnë dhe t’i udhëheqin marrëdhëniet e ndërsjella mes burrave dhe grave, prandaj janë shkak tensionesh dhe ndarjesh në familje, me rrjedhoja të rënda, veçanërisht tek fëmijët. Errësohet vetëdija morale, deformohet çfarë është e vërtetë, e mirë dhe e bukur dhe e vërteta zëvëndësohet me skllavërinë e mirëfilltë. Përballë gjithë kësaj gjendjeje, kumbojnë aktuale dhe ngacmuese fjalët e apostullit Pal mbi lirinë me të cilën Krishti na ka çliruar dhe mbi skllavërinë, që shkakton mëkati (khs Gal 5,1).
Për këtë arsye e kuptojmë sa me vend, madje sa i domosdoshëm është Viti i Familjes në Kishë; sa e domosdoshme është dëshmia e të gjitha familjeve, që e jetojnë çdo ditë thirrjen e tyre; sa e ngutshme është lutja e madhe e familjeve, që rritet dhe përshkon mbarë botën dhe me të cilën mund të shprehet falënderimi për dashurinë në të vërtetën, për “dikimin e hirit të Shpirtit të Shenjtë”, për praninë e Krishtit mes prindërve dhe fëmijëve: Krishtit shëlbues e dhëndër, që “na deshi deri në fund” (khs Gjn 13,1). Jemi thellësisht të bindur se kjo dashuri është më e madhe se gjithçka (khs 1Kor 13,13) dhe besojmë se ajo është e aftë të tejkalojë fitimtare gjithçka që nuk është dashuri.
Le të lartësohet pandarë këtë vit lutja e Kishës, lutja e familjeve, “kisha shtëpiake”! Le ta dëgjojë në fillim Hyji e pastaj edhe njerëzit, dhe këta të mos i zërë dyshimi. As ata që lëkunden, për shkak të brishtësisë njerëzore, të mos bien pre e joshjes tunduese të gjërave, që janë të mira vetëm në dukje, siç janë gjërat që paraqet çdo tundim.
Në Kanë të Galilesë, ku Jezusi qe ftuar në një dasmë. Nëna, edhe ajo e pranishme, iu drejtuashërbëtorëve dhe u tha: “Bëni çfarë t’ju thotë” (Gj 2,5). Edhe neve, që kemi hyrë në Vitin e Familjes, Maria na drejton të njëjtat fjalë. Dhe ajo që na kërkon Krishti, në këtë çast të veçantë historik, është një thirrje e fortë për lutje me familjet dhe për familjet.
Virgjëra Nënë na fton të bashkohemi, në këtë lutje, me ndjenjat e Birit, i cili do çdo familje. Këtë dashuri ai e tregoi në fillim të misionit të tij si Shëlbues, pikërisht me anë të pranisë shenjtëruese në Kanë të Galilesë, prani që vijon edhe sot.
Të lutemi për familjet e të gjithë botës. T’i lutemi, nëpër Krishtin, me Krishtin dhe në Krishtin, Atit, “prej të cilit merr emër çdo atësi, në qiell e në tokë” (Ef 3,15).




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama