HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Politika >  2014-06-13 15:03:27
A+ A- Printo artikullin



Irak: xhihadistët përparojnë. Ipeshkvi i Mosulit bën thirrje për paqe



Nuk ndalet avancimi i rebelëve të lidhur me Al Kaedën në Irak. Dhjetra amerikanë janë shpërngulur këto orë nga baza ushtarake e Baladit, njëra nga qendrat më të mëdha të stërvitjes në vend. Sekretari i Shtetit amerikan, John Kerry, deklaroi se presidenti Obama do të marrë vendim së shpejti, por tani për tani, Shtëpia e Bardhë nuk ka ndërmend të dërgojë trupat e veta në terren. Nuk dihet si do të ndërhyjë Obama, por dihet se që nga viti i kaluar, Uashingtoni po përdor një numër të vogël dronësh në Irak për të marrë informacione. Ndërkaq, xhihadistët kanë rrethuar rafinerinë e naftës në Baji dhe kërcënojnë se do të marrshojnë drejt Bagdadit. Dramatike, gjendja në Mosul, ku refugjatët kanë arritur në 500 mijë vetë. Na flet me telefon nga qyteti irakian, ipeshkvi kalde, imzot Emil Shimoun Nona:
Gati të gjitha familjet, që janë larguar nga qyteti, nuk kanë asgjë me vete. U përpoqëm të gjejmë vend në fshatrat e Fushës së Ninives: ka familje në sallat e katekizmit, në kisha, në shtëpitë e vjetra… Pastaj, ka të tjerë në çadra, afër Kurdistanit. Nëse gjendja do të mbetet kështu, këta njerëz do të kenë nevojë për ndihmë urgjente. Banorët i ndihmojnë sa munden, por kjo s’mund të vazhdojë gjatë, sepse kapaciteti i tyre nuk është i madh. Kemi nevojë urgjentisht për ushqim, ujë e gjërat më të domosdoshme për jetën, duke pasur parasysh se këtu bën shumë nxehtë.
Xhihadistët vazhdojnë sulmin e tyre. Flitet për kisha e kuvende të djegura…
Një kishë, në dioqezën time u plaçkit dje e pardje. Nuk dihet nga kush, nuk dihet nëse këta njerëz janë militantë, apo hajdutë. Duhet të themi se ata, që banojnë afër kishës dhe familjet myslimane janë përpjekur ta mbrojnë. Ia kanë arritur qëllimit deri dje, pasi ata, që vodhën kishën, ishin të armatosur. Një strukturë tjetër e Kishës armene është djegur, por duhet thënë se para se të binte Mosuli, kjo strukturë ruhej nga ushtria.
Thatë se kisha mbrohej nga familje myslimane?
Sigurisht që po! Ka familje që mbrojnë shtëpitë e të krishterëve, kishat, por natyrisht, ka të tjerë që nuk e bëjnë këtë. Në përgjithësi, ata që banojnë pranë kishave, i mbrojnë ato, por njerëzit e ndjejnë se nuk mund të bëjnë shumë tashmë. Gjuha që flitet tani, është gjuha e forcës dhe e armëve.
Dëshironi të bëni ndonjë thirrje përmes valëve të Radio Vatikanit?
Para së gjithash, duam që paqja të kthehet në qytetet tona, në të gjithë Irakun, sepse populli irakian është i lodhur nga kjo situatë, e cila vazhdon prej vitesh. E dyta, kemi nevojë për ndihmë për të shpërngulurit. Shumë familje të krishtera e myslimane janë jashtë Mosulit e duhet të gjejmë mënyrën për t’i kthyer në shtëpitë e tyre.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama