HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-06-13 13:08:46
A+ A- Printo artikullin



Komunikatë për shtyp e Kongregatës për Kishat Lindore, lidhur me situatën në Irak



Kongregata për Kishat Lindore ndjek me shqetësim rëndimin e krizës aktuale në Irak. Sot, në një komunikatë për shtyp, shprehet afërsia me Patriarkun e Babilonisë së Kaldejve, Luis Sako, me kryeipeshkvijtë kalde e siro-katolik të Mosulit si edhe me të gjithë popullsinë, të krishterë e myslimanë, të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për të mbijetuar.
“Në tokën e Abrahamit, i cili u vu për rrugë pas premtimit të Zotit – shkruhet në komunikatë – po ndodh një eksod i ri prej qindra mijëra burrash, grash e fëmijësh, që shohin se, pa pritur e pa kujtuar, nuk vlen më premtimi [njerëzor] për jetë të qetë”.
Prefekti i Kongregatës, kardinali Sandri i ka telefonuar sot në mëngjes kryeipeshkvit të Mosulit, imzot Nonës, i cili siguroi se të gjitha shkollat, kishat e institucionet katolike janë të hapura për refugjatët, në bashkëpunim me fetë e tjera. Në emër të bashkëvëllezërve e të besimtarëve, kërkoi mbështetjen dhe përkrahjen atërore të Papës Françesku, si edhe lutje nga gjithë Kisha universale.
“Lutja profetike për paqen, të dielën e Rrëshajëve – kujtohet në fund të komunikatës – që mblodhi përreth Atit të Shenjtë dhe Patriarkut Bartolomeu I, krerët e dy popujve në konflikt, haptë një horizont të sigurtë edhe për paqen në Irak e në Siri, si edhe në të gjithë Lindjen e Mesme”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama