HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-06-13 14:56:08
A+ A- Printo artikullin



Papa: Hyji na përgatit mirë për ta kryer misionin tonë



Kur Hyji dëshiron të na besojë një mision, na përgatit për ta bërë sa më mirë. E përgjigjja jonë duhet të bazohet mbi lutjen dhe besnikërinë. Me këto pak fjalë mund ta përmbledhim homelinë e Papës, në Meshën e mëngjesit, kremtuar si zakonisht, në Shtëpinë e Shën Martës.

Një ditë mund të jemi kundërshtarë të guximshëm kundër idhujtarisë, në shërbim të Zotit, e ditën tjetër, të rënë shpirtërisht deri në atë pikë, sa t’i urojmë vetes vdekjen, sepse ndokush, në mision e sipër, na frikëson deri në palcë. Këto dy gjendje të skajshme të forcës e brishtësisë njerëzore, i drejtpeshon kudo e kurdoherë vetë Zoti. Mjafton të jemi gjithnjë besnikë ndaj Tij. Kjo është historia e Profetit Elia, e përshkruar në Librin e Mbretërve, që Papa Françesku e mori si model të përvojës fetare të çdo njeriu. Në fragmentin e mirënjohur liturgjik të ditës, Elinë Profet e takojmë mbi Malin Horeb, nësa merr ftesën të dalë nga shpella, ku ndodhej e të paraqitet para syve të Zotit. Kur kalon Zoti, ai ndjen një erë të stuhishme, tronditet nga një tërmet e trembet nga një zjarr i kallur para syve të tij. E kërkon aty Zotin! Po Zoti nuk i duket as në erë, as në tërmet e as në zjarr. Pastaj nis të fryjë një fllad i lehtë e në të, shpjegoi Papa, Elia shikon Zotin, që po kalonte:
“Zoti nuk ishte në erë, në tërmet, në zjarr, por ishte në fafitjen e flladit të lehtë, në paqe ose, siç e thotë origjinali, pikërisht origjinali, duke përdorur një shprehje vërtetë të bukur: ‘Zoti ishte në fillin e heshtjes tingëlluese’. Duket si kontradiktë: ishte në fillin e heshtjes tingëlluese! Elia di ta dallojë vendin ku është Zoti, e Zoti e përgatit pikërisht me dhuratën e arsyes. E pastaj ia beson edhe misionin”.
Misioni, që Zoti ia beson Elisë, është të lyej me vaj mbretin e ri të Izraelit e edhe Profetin e ri, të thirrur për ta zëvendësuar vetë Elinë. Papa Françesku tërhoqi vëmendjen posaçërisht mbi delikatesën dhe mbi frymën atërore, me të cilin ky mision i besohet një njeriu që, plot me forcë e zell në një çast, tani duket si i shpartalluar. Zoti, pohoi Papa, përgatit shpirtin, përgatit zemrën, dhe e përgatit duke e vënë në provë, e përgatit për bindje, për ngulm:
“Zoti, kur dëshiron të na japë një mision, dëshiron të na ngarkojë një punë, na përgatit. Na përgatit për ta bërë mirë, ashtu si përgatiti Elinë. E gjëja më e rëndësishme nuk është thjesht takimi i tij me Zotin, jo, jo. Kjo është gjë shumë e mirë. Por ajo që ka rëndësi, është gjithë udha për të arritur tek misioni, të cilin ia beson Zoti. E ky është edhe ndryshimi ndërmjet misionit apostolik, që na jep Zoti e një detyre, që na ngarkohet: ‘Ah, ti duhet të kryesh këtë detyrë, duhet të bësh këtë e atë… detyrë njerëzore, e ndershme, e mirë…Kur Zoti na jep një mision, na bën të kalojmë gjithnjë nëpër një proces, proces pastrimi, proces mendimi, proces bindjeje, proces lutjeje”.
E besnikëria ndaj këtij procesi, vijoi Papa Françesku, është ta lësh Zotin të prijë. Në këtë rast, me ndihmën e Zotit, Elia e kapërcen frikën e kallur në shpirt nga mbretëresha Jezabelë, që e kërcënon se do t’ia marrë jetën:
“Kjo mbretëreshë ishte e mbrapshtë. Nuk i duronte kundërshtarët. I vriste. E ai ka frikë prej saj. Po Zoti është më i fuqishëm. E bën të ndjejë se edhe i madhi e i afti ka shumë nevojë për ndihmën e Zotit e përgatitjen për mision. E ne e shikojmë këtë: ai ecën, bindet, vuan, mendon, lutet, gjen Zotin. Zoti na dhëntë hirin të përgatitemi çdo ditë të shtegtimit në këtë jetë, që të mund ta dëshmojmë shëlbimin e Jezusit”.





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama