HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-06-13 16:16:04
A+ A- Printo artikullin



Shtegtim tek Shëna Ndou



Qindra mijëra njerëz shtegtuan, mbrëmë e sot, kah Kishat e Shën Andout, nëpër botë…
Qindra mijëra, nga të katër anët, u mblodhën në Bazilikën më të njohur të Shenjtit të Mrekullive, në Padovë. Ndërmjet tyre, tashmë mund të takosh çdo vit edhe shtegtarë shqiptarë, sivjet më se 500 vetë, mërgimtarë nga Austria, Gjermania, Kroacia, Çekosllovakia, të prirë nga barinjtë e tyre, dom Nikson Shabani, i misionit katolik shqiptar në Austri e Çekosllovaki dhe dom Pren Kola, i misionit katolik në Araut. “E pushtuan” Bazilikën e kombeve, sivjet, shqiptarët, që kremtuan aty Meshën shenjte, kryesuar nga barinjtë e tyre e dialoguan në gjuhën shqipe me Shenjtin mbrekullibërës. Por, t’i dëgjojmë vetë meshtarët, me telefon, nga Padova:RealAudioMP3

Qindra mijëra katolikë, besimtarë të feve të tjera e deri jo besimtarë vijuan t’i kapen mbrëmë e sot, kodrës së Laçit, me lutje e meditime, në shtegtim kah Kisha e Shenjtit.Vargani vijoi, pa fund, të ngjitet, të lutet, të meditojë e të këndojë këngë të përshpirtshme sot, ditën e festës së Shëna Ndout të Padovës. Tashmë pas shtegtarëve ‘ecin’ edhe telekamerat, madje mbi Shenjtërore sivjet fluturonte edhe një helikopter, për të fotografuar, nga lart, pamjen vërtet prekëse të procesionit të pafund njerëzor, që ngjitet kodrës i ngarkuar me barrën e ankthit e arrin tek Kisha. Takohet këtu me Shenjtin e Mrekullive, që ndërmjetëson pranë Zotit për lehtësimin e shpirtrave. Shtegtarët luten për fat, për shëndet, për ditë më të mira, në një vend që ka aq shumë nevojë për mrekulli.
Luten me fjalët e këngës tradicionale, kushtuar Shenjtit:
“Jemë tue t’u lutë, për fëmi aq dashtë prej teje,
Qi êjë mbi tokë veç trupi i njomë i mb’lon:
Ti na i ruej t’paster, t’paperlyem ti rueji,
Si janë êjtë n’qiell, atje ku ti lumnon.
Shenjti Sh’na Ndue, n’ty mrekullohet,
Bota kah ty per t’madh të di
Sa vallja e zemrës kah ti naltohet
Lutju për ne Hyut qi n’dorë t’rri!
Jemi duke t’u lutur për të rinjtë, që largohen nga Zoti, që e harrojnë të Lumin e ecin udhë pa udhë! Për ata që në gjamë shkojnë motin, kah vala e vjetëve idhtas i mundon; për sa jetojnë në të mira, nësa zemra keqas u lëngon; për ata që s’kanë me se të vishen, s’kanë ç’të të hanë, ata, që gjallojnë pa e dijtë se ku shpirti u shkon”- kujton kënga-lutje kushtuar Shenjtit.
Këndojnë shtegtarët e shumë prej tyre edhe flasin për përvojën shumëvjeçare të këtij shtegtimi: sepse ata që shkelin një herë këtu, nuk mund të mos ëndërrojnë rikthimin, e jo vetëm më 13 qershor, për të marrë pjesë në Meshën e madhe, që edhe sivjet u kremtua në mesnatë, me pjesëmarrjen e qindra mijëra besimtarëve, ndërmjet të cilëve, sipas mjeteve shqiptare të komunikimit, edhe politikanë.
Mesha në Kishën majë kodrës përfundon me ritin tek Shpella e Shën Vlashit, aty ku luten e falen të gjithë, pa dallim feje. E pas ngjitjes, vjen zbritja me shpirt të lehtësuar nga lutja e shprehur pa zë, në heshtje të devoçme, me gjithë shpirt, në pritje të mrekullisë…




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama