HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-06-22 13:31:55
A+ A- Printo artikullin



Françesku: t’i duam të tjerët pa masë. Tortura është mëkat mortar



Eukaristia na tregon se “masa e dashurisë së Zotit, është të duash pa masë”. E pohoi Papa Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e mijëra njerëzve. Papa e përqendroi reflektimin tek solemniteti i sotëm i Corpus Domini, e më pas, ngriti me forcë zërin kundër torturës, duke e dënuar vendosmërisht e duke kujtuar viktimat e saj, në qendër të Ditës së OKB-së, më 26 qershor.RealAudioMP3

Korp “i thyer” për dashuri të të tjerëve, siç ishte Korpi i Krishtit, i cili nuk i dhuroi njerëzimit “diçka”, por ‘vetveten’. Kjo është thirrja më e njëmendtë e të krishterit, që lind nga Eukaristia. Bashkimi me Korpin e Krishtit, pohoi Papa Françesku, e shndërron plotësisht njeriun, e nxit t’i përngjajë Krishtit, që theu, në trajtën e bukës, vetë korpin e Tij. T’i përngjash Krishtit, për të krishterin, do të thotë të sillet bujarisht me të afërmin, ta ‘thyejë’ në sofrën e jetës, vetveten, për t’ua ndarë të tjerëve:
“Sa herë marrim pjesë në Meshë e ushqehemi me Korpin e Krishtit, prania e Jezusit dhe e Shpirtit Shenjt në ne nis e vepron, i jep trajtë të re zemrës sonë, na dikon sjellje shpirtërore, që kthehen, pastaj, në sjellje sipas Ungjillit. Në mënyrë të posaçme, na dikon bindjen ndaj Fjalës së Zotit, pastaj frymën e vëllazërimit ndërmjet nesh, guximin e dëshmisë së krishterë, fantazinë e dashurisë së krishterë, aftësinë për t’u dhënë shpresë të pashpresëve, për t’i pritur me krahë hapur të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë”.
Kështu fiton pjekurinë e vet stili i jetës së krishterë. Eukaristia ushqen zemrën, e zemra zgjerohet! Është shujtë, që të bën të aftë të duash jo sipas masës, gjithnjë të kufizuar, njerëzore, por sipas masës së Zotit:
“E cila është masa e Zotit? Masa e Zotit është pa masë. Gjithçka! Gjithçka! Gjithçka! Nuk mund të matet dashuria e Hyjit! Është e pamasë! E atëhere bëhemi të aftë ta duam edhe atë, që nuk na do: e kjo nuk është aspak e lehtë, eh? Të duash kë s’të do! Nuk është e lehtë! Ngaqë, kur e dimë se ndokush s’na do, edhe ne na lind vetvetiu dëshira për të mos e dashur. Apo jo? Duhet ta duam edhe atë, që nuk na do!”.
Buka e thyer për dashuri, vijoi Papa Françesku, i kundërvihet së keqes me mirësi, fal, ndan me të tjerët të mirë e të vështirë, mikpret. E zbulon, kështu, gëzimin e vërtetë, atë të dhurimit të vetvetes, si shkëmbim për dhuratën e madhe, që e morëm të parët, pa asnjë meritë:
“E bukur kjo! Jeta jonë bëhet dhuratë! Kjo do të thotë t’i përngjash Jezusit. Dëshiroj të kujtoj këto dy gjëra. E para: masa e dashurisë së Zotit është të duash pa masë. E qartë kjo? E jeta jonë, me dashurinë e Krishtit, duke marrë në zemër Kungimin Shenjt, bëhet dhuratë. Siç ishte jeta e Jezusit. Mos i harroni këto dy gjëra: masa e dashurisë së Zotit, është të duash pa masë. E, duke ecur pas Jezusit, ne, me Eukaristinë, e bëjmë jetën tonë dhuratë”.
E, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa foli për trupa të copëtuar, jo për dashuri! Për shkak të ushtrimit të tmerrshëm të dhunës njerëzore. Kujtoi, kështu, viktimat e torturës, në Ditën e tyre kushtuar nga OKB-ja, që do të kremtohet më 26 qershorin e ardhshëm. E përsëri, Papa ngriti fort zërin nga dritarja e Pallatit Apostolik, për ta dënuar këtë plagë të tmerrshme, që vijon të copëtojë trupa e jetë njerëzore:
“Në këtë rrethanë, ridënoj me forcë çdo formë të torturës dhe i ftoj të krishterët të impenjohen për ta zhdukur e për t’i ndihmuar viktimat dhe familjarët e tyre. T’i torturosh njerëzit është mëkat mortar! Mëkat tejet i rëndë!”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama