HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2014-06-22 17:53:29
A+ A- Printo artikullin



Imzot Galantino: për Papën Kishat vendase vlejnë sa Kisha universale



Qëndrimi i prerë i Papës Françesku kundër N'dragetës, në Meshën e Sibarit, pati jehonë të madhe në zemrat e njerëzve. Kjo jehonë ndjehet fort edhe në fjalët e ipeshkvit të Cassano all’Jonio, imzot Nuncio Galantino, sipas të cilit, kriminaliteti i organizuar në Kalabri ushqehet nga paratë, nga kriminaliteti i organizuar, por edhe nga ndërgjegjet e topitura, të fjetura. Prelati bën bilancin e vizitës së Papës, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3

Përgjigje: - Mendoj se ftesa për t’i zgjuar ndërgjegjet, për t’i shkundur ndërgjegjet, buron drejtpërdrejt nga Ungjilli. Në fund të fundit, të jesh i krishterë, do të thotë të jesh njeri, që i përgjigjet vetëdijshëm ‘po’ propozimit për të dashur, për të jetuar mirë. Por kur harrohet Ungjilli, kur mbetet thjesht në sfond, sfond shumë, shumë i largët. kur Ungjilli kumtohet me fraza të gatshme e parulla, ndërgjegjet nuk ushqehen më me Ungjillin, po me fjalë, që i merr era.

Pyetje: - Papa erdhi në trojet tuaja dhe e quajti me emër e mbiemër mafien, n'dragetën. E quajti pikërisht “adhurim i së keqes”. Mesazh tejet i fuqishëm. Tani, që Papa u largua nga këto troje, ç’mbetet nga prania e Tij, që zgjati një ditë të vetme, nga padia e tij?

Përgjigje: - Mbi të gjitha, mua m’u duk shumë i bukur ky fakt, që Papa e lidhi pohimin për Ndragetën, a më mirë të themi, për kriminalitetin e organizuar, me adhurimin e së keqes, parë në kundërvënie të plotë me adhurimin e Krishtit, të Zotit, sepse sot ishte solemniteti i Corpus Domini e ne përdorëm këtë tip leximesh. Prej këndej, aftësia e Atit të Shenjtë na ndihmon ta lexojmë edhe Liturgjinë lidhur ngushtë me jetën e me kohën kur e jetojmë: kemi shumë për të mësuar, për t’i dhënë korp, eshtra, gjak, nerva Fjalës së Zotit!

Pyetje: - Të krishterëve Papa Françesku u tha: “Nuk mund ta adhurosh njëkohësisht Krishtin e të keqen, Zotin e mamonën!”. Kishës i tha: “Duhet ta zgjosh fenë, që të bëhet solidaritet, të bëhet dashuri konkrete e krishterë”. E politikës, “mos e harroni kurrë se impenjimi politik, është shërbim ndaj së mirës së përbashkët”…

Përgjigje: - Është e qartë se politikani, nëse është politikan i krishterë, nuk mund ta marrë frymëzimin nga asnjë burim tjetër, veç Ungjillit. Ashtu si Kisha, që ka një burim të vetëm frymëzimi: Ungjillin. Aty e merr forcën, kur i duhet të vendosë si e ku duhet t’i shkrijë energjitë e veta.

Pyetje: - Ç’mund të themi, imzot, për rezistencën, që ndeshni në trojet tuaja?

Përgjigje: - Mendoj se rezistenca është pjesë përbërëse e natyrës sonë: ne s’duam ta prishim rehatinë, as si njerëz e as si besimtarë. Kemi kartat tona për të luajtur, e nëse i kemi, kjo na mjafton. Po kur merret seriozisht Ungjilli - e Papa na fton të bëjmë pikërisht këtë - Ungjilli na i ngatërron paksa kartat e jetës sonë. E prej këndej, duhet të lëvizim ndryshe…

Pyetje: - Cila ishte përgjigjja ndaj vizitës së papritur të Papës?
Përgjigje: - Mua më pëlqen të them një gjë, pikërisht duke shikuar këtë që ndodhi, ardhjen time këtu, në Cassano, thirrjen për të qenë sekretar i Konferencës ipeshkvnore italiane, mënyrën si më thirri Ati i Shenjtë e edhe mënyrën si erdhi këtu, për të lypur ndjesë, siç e tha edhe ai vetë. E kjo të kujton menjëherë se për Atin e Shenjtë nuk vlen vetëm Kisha universale, apo Kisha italiane, sepse Kisha universale e Kisha italiane ushqehen nga Kishat e veçanta, ushqehen nga kisha dioqezane. E këtu Papa dëshmoi se nuk duhet të dorëzohemi përballë konceptimit thjesht ideologjik, apo të burokratizuar të Kishës. Edhe këtë na e mësoi Papa. Kisha nuk është një organizatë e madhe, ku duhet flijuar gjithçka. Jo, nuk mund të flijohet gjithçka. Nuk mund të flijohen ngrohtësia njerëzore, marrëdhëniet, pranitë… Nuk flijohen këto gjëra. E Papa na e mësoi edhe këtë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama