HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2014-06-22 12:30:40
A+ A- Printo artikullin



Papa në Kalabri: “Jo N'dragetës. Mafiozët shkishërohen”



Përfundoi me një Meshë solemne, kremtuar në Fushën e Sibarit, në praninë e 250 mijë vetëve, vizita e Papës në dioqezën e Cassano allo Jonio, në Kalabri. Vetëm nëntë orë i krijuan mundësitë të takohej me banorët e të njihej me realitetet e ndryshme të këtyre trojeve, duke u nisur gjithnjë nga të fundmit; të burgosurit, pleqtë, të varfrit, të sëmurët. Më shumë se një herë Ati i Shenjtë ngriti me forcë zërin kundër krimit. Mafiozët, nënvizoi me forcë, shkishërohen!

“Adhurim i së keqes e përbuzje e së mirë së përbashkët: kjo është N'dragheta!”. Papa denoncoi me forcë mafien, dhunën, idhujt e rremë:
“Kjo e keqe duhet luftuar, duhet dëbuar. Duhet t’i themi jo! Kisha, që impenjohjet shumë për edukimin e ndërgjegjeve, duhet të përpiqet gjithnjë më shumë e me të gjitha forcat, që të fitojë e mira. E kërkojnë këtë fëmijët, e kërkojnë të rinjtë tanë, që kanë aq shumë nevojë për shpresë. Për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave, feja mund të na ndihmojë. Ata, që ecin në rrugën e së keqes, si mafiozët, nuk janë në bashkim me Zotin: janë shkishëruar”.
Mesazh i qartë e i fuqishëm ky, që i përcolli Papa të pranishëmve në Meshën, me të cilën përfundoi ditën e tij në Kalabri. Mesazh kundër mëkatit, dhunës, mafies:
Kur adhurimit të Zotit ia zë vendin adhurimi i parasë, i hapet rruga mëkatit, interesit personal e padrejtësisë; kur nuk adhurohet Hyji, Zoti, njeriu bëhet adhurues i së keqes, si ata, që jetojnë me prapësi e me dhunë. Toka juaj, tejet e bukur, i njeh mirë shenjat dhe pasojat e këtij mëkati! Kjo është N'dragheta! Adhurim i së keqes e përbuzje e së mirës së përbashkët!”.
Françesku nënvizoi domethënien e vizitës së tij, si inkurajim për fenë e për dashurinë sepse, nënvizoi, dashuria e krishterë është dëshmi konkrete e fesë. Foli tejet qartë, Papa: “Populli, që adhuron Hyjin në Eukaristi, nënvizoi, është popull që ecën në udhën e dashurisë së krishterë, të bamirësisë”.
Duke kujtuar Solemnitetin e Korpit të Krishtit, shpjegoi se i krishterë është ai, që adhuron Jezusin Eukaristi e ecën me Të e rri gjithnjë larg adhurimit të idhujve të rremë.
Dashuri e krishterë do të thotë drejtësi, shpresë, dhimbsuri. Këto fjalë ua kundërvuri Françesku fjalëve para, kotësi, kreni, pushtet, dhunë. Inkurajoi, kështu, Kishën në Kalabri, duke kujtuar edhe Heparkinë e Ungros, të pasur me traditat e saj greko-bizantine, duke i bërë, më pas, thirrje, politikës:
“I inkurajoj të gjithë, të gjithë barinjtë dhe besimtarët e Kishës në Kalabri, impenjuar trimërisht në ungjillëzimin e në favorizimin e stileve të jetës e të nismave, që vënë në qendër të vëmendjes nevojat e të varfërve, të braktisurve. Edhe autoritetet civile, që përpiqen ta jetojnë impenjimin politik e administrativ, ashtu si duhet, në shërbim të së mirës së përbashkët”.
Pastaj Papa iu drejtua posaçërisht të rinjve, të cilët i grishi të shpresojnë. E, duke folur për shpresa, citoi Projektin Polikoro për krijimin e mundësive të punës. Më pas, edhe rrugën kryesore për të mos e humbur shpresën: është gjithnjë bashkimi me Zotin, që të ndihmon të fitosh mbi të keqen e mbi dhunën:
Ju, të dashur të rinj, mos lejoni askënd t’jua rrëmbejë shpresën! E kam thënë shpesh e po e përsëris edhe një herë: ‘Mos lejoni t’jua rrëmbejnë shpresën!’. Duke e adhuruar Jezusin në zemrat tuaja e duke qenë gjithnjë të bashkuar me Të, do të dini si t’i kundërviheni së keqes, padrejtësive, dhunës, me forcën e së mirës, së vërtetës, bukurisë”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama