HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-06-23 15:48:29
A+ A- Printo artikullin



Papa: kush gjykon të tjerët, është hipokrit, vihet në vend të Zotit



Kush gjykon vëllain, gabohet e, në fund, do të gjykohet në të njëjtën mënyrë. Zoti është ‘i vetmi gjykatës’ e kush gjykohet, mund të mbështetet gjithnjë mbi mbrojtjen e Jezusit, mbrojtësi i tij i parë, e mbi Shpirtin Shenjt! E pohoi Papa gjatë homelisë së Meshës, kremtuar sot, në shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3

Përvetësues i një vendi e i një roli, që nuk i përket e, njëkohësisht, edhe i mundur, sepse, në fund të fundit, viktimë e mungesës së mëshirës së vet. Kjo i ndodh atij, që gjykon vëllain. Kështu e shpjegoi Papa Françesku faqen e Ungjillit të sapolexuar. E sot Ungjilli flet për ata, që shikojnë lëmishten në sy të tjetrit, por jo traun, në sy të vet. Prej këndej, Papa pohoi menjëherë: njeriu, që gjykon tjetrin, gabohet, pështjellohet e pëson disfatë, sepse rreket të zërë vendin e Zotit, të vetmit gjykatës. Epiteti ‘hipokritë’, që Jezusi e përdor disa herë kundër doktorëve të ligjit, në të vërtetë i drejtohet cilitdo prej nesh. Edhe pse, vërejti Papa, kush gjykon, e bën pa menduar dy herë, ndërsa Zoti pret shumë, para se të gjykojë:
“Prandaj ai, që gjykon, edhe gabon, thjesht sepse zë një vend, i cili nuk i përket. E jo vetëm gabon, por edhe ia ha shpirtin vetes deri në atë gradë, sa lëmishtja në sy të tjetrit nuk e lë as të mbyllë sy e të flejë! Do t’ia heqë një orë e më parë lëmishten tjetrit. Po për traun, që ka në sy të vet, nuk do t’ia dijë fare. Pështjellohet: beson se trau është lëmishte. E humbet fillin. Ngatërron realitetin. Është njeri, që fantazon. Prandaj kush gjykon, pëson disfatë, përfundon keq, sepse me atë masë, me të cilën gjykon, edhe do të gjykohet. Gjykatësi, që ulet në vendin e gabuar, sepse vendi i Zotit, krenar, përplot me vetveten, do të pësojë doemos disfatë. E cila është disfata? Gjykimi me të njëjtën masë, që gjykon!”
I vetmi gjykatës është Hyji e ata, të cilëve Hyji u jep pushtetin të gjykojnë, shtoi Papa Françesku, duke e paraqitur si shembull për t’u ndjekur, sjelljen e Jezusit, e jo atë të njeriut, që i pëlqen t’i gjykojë të tjerët:
“Jezusi, përballë Atit, nuk fajëson kurrë! Përkundrazi: mbron! është Parakliti i parë. Pastaj na çon të dytin, Shpirtin Shenjt. Ai është mbrojtësi: është para Atit për të na mbrojtur nga akuzat. E kush është paditësi? Në Bibël, ‘paditës’ thirret djalli, shejtani. Jezusi do të gjykojë, por në fund të botës; ndërkaq, ndërmjetëson, mbron…”.
Si përfundim, pohoi Papa, mund të themi se kush gjykon, i përngjet princit të kësaj bote, që u qepet njerëzve, për t’i ngarkuar me faje para Atit. Zoti, përfundoi Françesku, na dhëntë hirin t’i përngjajmë Jezusit: ndërmjetësuesi, mbrojtësi, avokati ynë e i të gjithëve. E të mos i përngjajmë atij tjetrit, që në fund të fundit, do të na shkatërrojë:“Nëse duam të ecim në rrugën e Jezusit, më shumë se akuzues, duhet të jemi mbrojtës të të tjerëve para Atit. Shikoj një gjë të keqe tek tjetri e nisem ta mbroj? Jo! Hesht atëhere. E shko e lutu e mbroje para Atit, si bën Jezusi. Lutu për të, por mos e gjyko! Nëse e gjykon tjetrin, edhe ti do të gjykohesh, kur të bësh keq. Ta kujtojmë këtë, do të na bëjë mirë në jetë e në të përditshmen tonë, kur të na teket t’i gjykojmë të tjerët, t’i marrim nëpër gojë të tjerët, gjë që është një nga format e gjykimit”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama