HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Bamirësi dhe solidaritet >  2014-06-24 15:38:36
A+ A- Printo artikullin



Meriam është e lirë: Sudani anullon dënimin me vdekje për apostazi



Vijojnë bisedimet që Meriam Yahia Ibrahim Ishag të mund të largohet nga Sudani, së bashku me të shoqin dhe dy fëmijët: lajmi jepet nga agjencia katolike Misna, një ditë pas lirimit të gruas së krishterë sudaneze, e cila u dënua me vdekje muajin e kaluar, për shkak se ishte kthyer nga myslimane në katolike. Për momentin, Meriam ndodhet në një vend të sigurtë e të fshehtë. Dje, Gjykata e Apelit e anulloi vendimin e mëparshëm, pasi, siç u shpreh Komisioni sudanez për të Drejtat e njeriut, dënimi me vdekje për apoztazi bie ndesh me Kushtetutën, e cila parashikon lirinë e kultit. Për Meriamin u mobilizua gjithë bota e roli i diplomacisë amerikane nuk qe i pakët. E para që e dha lajmin e lirimit përmes Twitter-it ishte Antonella Napoli, presidente e organizatës jo fitimprurëse “Italians for Darfur”, e cila e ka ndjekur personalisht çështjen. E intervistuam e ja çfarë tha për Radio Vatikanin:
U anullua vendimi i shkallës së parë, prandaj, tani, Meriami është e lirë. Është precedent i rëndësishëm, sepse do të përkufizojë edhe në të ardhmen caqet e kompetencës së shariatit, ligjit islamik. Vërtet, kështu sanksionohet se nuk mund të merren më vendime, që dënojnë me vdekje për apostazi, pasi Kushtetuta parashikon lirinë e kultit.
Pra, edhe Sudani garanton lirinë e fesë…
Deri tani, Kushtetuta e parashikonte lirinë e kultit, por në rastet kur një mysliman e ndryshonte fenë mund të zbatohej shariati, pra, personi mund të dënohej me vdekje. Me këtë vendim, diçka ndryshon edhe në të drejtën ligjore, si të tillë. E kjo është shumë e rëndësishme për të krishterët në Sudan e në vende të tjera të botës, ku shpesh janë viktima të persekutimit.
Si mendoni, në ç’kushte ndodhet Meriami? Nuk e dimë vërtet ç’ka hequr…
Sigurisht, kushtet e jetës nuk ishin nga më të mirat. Por, dua të jem optimiste: urojmë që kjo familje ta lerë pas shpine këtë përvojë të shëmtuar e të rifillojë një jetë të re së shpejti. Nëse ambasada amerikane nuk garanton mbështetjen, në mënyrë që të kthehen në SHBA-të së bashku me të shoqin, Daniel Uani, i cili është qytetar amerikan, do të më pëlqente që qeveria italiane të bënte një gjest mikpritjeje, duke i dhënë strehim familjes së Meriamit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama