HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-06-24 13:31:42
A+ A- Printo artikullin



Papa: i krishteri di të përulet, për të kumtuar Zotin



I krishteri nuk shpall vetveten, por Zotin. Këtu e vuri theksin Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Duke kremtuar solemnitetin e Lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit, Papa foli për thirrjen e “më të madhit ndër profetë”: ai përgatit udhën, bën vlerësime, zvogëlohet.

Përgatit ardhjen e Zotit, vlerëson kush është Zoti, zvogëlohet, që Zoti të rritet. Me këto tri folje e prshkroi Papa Françesku thirrjen e Gjon Pagëzuesit, i cili është gjithmonë model për të krishterin. Gjoni, tha Papa, i përgatit udhën Jezusit “pa marrë asgjë për vete”. Ishte njeri i rëndësishëm: “Njerëzit e kërkonin, e ndiqnin, sepse fjalët e Gjonit ishin të forta”. Fjalët e tij i preknin njerëzit në zemër. Ndoshta për këtë arsye ka pasur “tundimin për të besuar se ishte i rëndësishëm, por nuk ra në këtë tundim”. Kur mësuesit e ligjit iu afruan për ta pyetur a ishte ai Mesia, Gjoni u përgjigj: “Jam zëri, vetëm zëri”, por “kam ardhur për t’i përgatitur rrugën Zotit”. Ja cila është thirrja e parë e Gjon Pagëzuesit, vërejti Papa: “Të përgatisë popullin, të përgatisë zemrën e popullit për takimin me Zotin”. Por, kush është Zoti?

“E kjo është thirrja e dytë e Gjonit: të vlerësonte, mes shumë njerëzve të mirë, kush ishte Zoti. E Shpirti ia zbuloi këtë, ndërsa ai pati guximin të thoshte: ‘Ky është. Ky është Qengji i Hyjit, ai që i shlyen mëkatet e botës’. Nxënësit e panë këtë njeri duke kaluar, dhe e lanë në punë të vet. Të nesërmen ndodhi e njëjta gjë: ‘Është ai! Është më i denjë se unë’. Nxënësit shkuan pas tij. Kur po i përgatiste, Gjoni thoshte: ‘Pas meje vjen dikush...’ Ndërsa gjatë vlerësimit, që di të vlerësojë e të tregojë kush është Zoti, thotë: ‘Ky është... Para meje!’”.

Thirrja e tretë e Gjonit, vijoi Ati i Shenjtë, është të zvogëlohet. Që prej atij çasti “jeta e tij filloi të përulej, të zvogëlohej, që të rritej Zoti, deri në asgjësimin e vetvetes”: “Ai duhet të rritet, ndërsa unë të zvogëlohem”, “pas meje, para meje, larg meje”:

“E kjo ka qenë etapa më e vështirë e Gjonit, sepse Zoti kishte një stil, të cilin ai nuk e kishte menduar, deri ne atë pikë sa, në burg – sepse ishte në burg në atë kohë – vuajti jo vetëm për shkak të errësirës së qelisë, por nga errësira e zemrës: ‘A do të jetë ky? Mos jam gabuar? Sepse Mesia ka një stil shumë të thjeshtë... Nuk kuptohet...’. E, meqë ishte njeri i Hyjit, u thotë nxënësve të vet të shkojnë tek ai, për ta pyetur: ‘Po a je me të vërtetë ti, apo duhet të presim një tjetër?’”.

“Poshtërimi i Gjonit – pohoi Papa – është i dyfishtë: poshtërimi i vdekjes së tij, si çmim i paguar për një tekë”, por edhe poshtërimi “i errësirës së shpirtit”. Gjoni, që diti ta “priste” Jezusin, që diti ta “vlerësonte”, tani “e sheh Jezusin nga larg”. “Ai premtim – theksoi Papa – iku larg. Dhe përfundon i vetmuar. Në errësirë, i poshtëruar”. Mbetet i vetmuar, “sepse u asgjësua shumë, me qëllim që Zoti të rritej”. Gjoni, tha më tej ati i Shenjtë, e sheh se Zoti është larg, ndërsa ai është ”i poshtëruar, por me paqe në zemër”.

“Tri thirrje tek një njeri: të përgatisë, të vlerësojë, ta lejojë Zotin të rritet e të zvogëlohet vetë. Është bukur ta mendojmë kështu thirrjen e të krishterit. I krishteri nuk shpall vetveten, shpall dikë tjetër, i përgatit udhën dikuj tjetër: Zotit. I krishteri duhet të dijë të bëjë vlerësime, duhet të dijë si ta dallojë të vërtetën nga çfarë duket se është e vërtetë, por nuk është: njeri që di të vlerësojë. E i krishteri duhet të jetë njeri që di të përulet, që Zoti të rritet, në zemrën dhe në shpirtin e të tjerëve”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama