HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-06-26 15:53:58
A+ A- Printo artikullin



Letra e Gjon Palit II drejtuar familjeve (IV)



Në rubrikën “Çelësi i fjalëve të Kishës”, vijojmë të lexojmë Letrën drejtuar familjeve, që shkroi Shën Gjon Pali II më 1994. Në pritje të sinodit të ardhshëm kushtuar temës së familjes. Në tekstin e sotëm flitet për besëlidhjen bashkëshortore.RealAudioMP3

Familja është vështruar gjithmonë si shprehja e parë e natyrës shoqërore të njeriut. Në thelbin e vet të qenësishëm, ky vështrim nuk ka ndryshuar as sot. Në ditët tona, megjithatë, vihet në dukje më shumë çfarë sjellin në mënyrë vetjake burri dhe gruaja në familje, që është qeliza më e vogël dhe fillestare e bashkësisë njerëzor. Familja është bashkësi njerëzish, të cilët kanë bashkësinë si mënyrë të vetën të bashkimin: communio personarum. Edhe këtu, një herë që është sqaruar transcendenca absolute e Krijuesit ndaj krijesave, del në pah lidhja shembullore me “ne”-në hyjnore. Vetëm personat janë të aftë të ekzistojnë “të bashkuar”. Familja zë fill me bashkimin bashkëshortor, të cilin Koncili II i Vatikanit e cilëson si “besëlidhje”, ku burri e gruaja “dhurohen dhe pranohen në mënyrë të ndërsjellë” (Gaudium et Spes, 48).
Libri i Zanafillës tregon këtë të vërtetë, duke folur për themelimin e familjes me anë të martesës, kur pohon: “Burri do ta braktisë të atin dhe nënën, do të bashkohet me gruan e vet dhe të dy do të jenë në trup i vetëm” (Zan 2,24).
Në Ungjill, Krishti, në polemikë me farisenjtë, citon të njëjtat fjalë dhe shton: “Kështu, nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Çfarë ka bashkuar Hyji, njeriu të mos e ndajë” (Mt 19,6). Ai zbulon përsëri përmbajtjen normative të një fakti që ekziston “që prej fillimit” (Mt 19,8) dhe që e ruan gjithmonë në vetvete këtë përmbajtje. Mësuesi, duke e e pohuar “tani”, synon ta bëjë të qartë dhe të pakeqkuptueshëm qysh në fillim të Besëlidhjes së Re, karakterin e pazgjidhshëm të martesës, si themeli i të mirës së përbashkët të familjes.
Kur biem në gjunjë, bashkë me Apostullin, para Atit, prej të cilit merr emër çdo atësi e amësi (khs Ef 3,14-15), bëhemi të vetëdijshëm se të bërit prind është ngjarja me të cilën familja, e themeluar tashmë me paktin martesor, realizohet “në kuptimin e plotë dhe të veçantë” (Gjon Pali II, Familiaris consortio, 69). Amësia nënkupton domosdo atësinë dhe, anasjelltas, atësia nënkupton domosdo amësinë: është fryti i dualitetit, që Krijuesi ia ka dhënë qenies njerëzore që “nga fillimi”.
Përmenda dy koncepte të ngjashme, por jo të njëjtë: konceptin e “bashkimit” dhe të “bashkësisë”. “Bashkimi” ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet “unit” dhe “ti”-së, ndërsa “bashkësia” e tejkalon këtë skemë, në drejtim të një “shoqërie”, në drejtim të “ne”-së. Familja, bashkësi personash, është “shoqëria” e parë njerëzore. Ajo lind kur zbatohet pakti martesor, i cili i hap bashkëshortët në drejtim të bashkimit të përhershëm, që është bashkim dashurie dhe jete dhe që përmbushet plotësisht e në mënyrë të veçantë me lindjen e bijve: “bashkimi” i bashkëshortëve i jep zanafillën “bashkësisë” familjare. Bashkësia familjare përshkohet katërcipërisht nga ajo që përbën esencën e veçantë të “bashkimit”. A mund të eksitojë, në rrafshin njerëzor, një tjetër “bashkim”, i krahasueshëm me atë që vendoset ndërmjet nënës dhe fëmijës, të cilin ajo në fillim e mban në bark e pastaj e nxjerr në dritë?
Në familjen e përbërë në këtë mënyrë, shfaqet një bashkim i ri, tek i cili gjen përmbushjen e plotë “bashkimi” i prindërve. Përvoja na mëson se kjo përmbushje është gjithashtu detyrë dhe sfidë. Detyra u përket bashkëshortëve, për zbatimin e paktit të tyre fillestar. Bijtë e lindur prej tyre – e këtu qëndron sfida – do të duhej ta përforconin këtë pakt, duke e pasuruar dhe duke e thelluar bashkimin martesor të atit dhe të nënës.
Kur nuk ndodh kështu, duhet shtruar pyetjen nëse egoizmi, i cili, për shkak të prirjes së keqe të njeriut fshihet edhe tek dashuria e burrit dhe e gruas, është më i fortë se kjo dashuri.
Është e nevojshme që bashkëshortët të jenë të vetëdijshëm për këtë gjë. Duhet që, qysh nga filllimi, t’i drejtojnë zemrat drejt atij Hyji “prej të cilit merr emër çdo atësi”, në mënyrë që atësia dhe amësia e tyre të ushqehen tek ai burim me forcën për t’u përtërirë vazhdimisht në dashuri.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama