HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-06-29 13:34:59
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e Javës 30 qershor – 6 korrik



Më 30 qershor përkujtohen martirët e parë të krishterë. Siç dëshmon Papa Klementi, u masakruan në lëndinat e kodrës së Vatikanit nga Neroni, pas djegjes së Romës (korrik 64). Sipas historianëve, disa prej tyre i shqyen qentë, të tjerë i kryqëzuan, të tjerë u dogjën të gjallë.
Më 1 korrik përkujtohet i lumi Antonio Rosmini. U lind në veri të Italisë më 1797. I lumi Rosmini qe meshtar i zellshëm dhe studiues i kujdesshëm i teologjisë dhe filozofisë. Më 1849 qeveria e Piemontit e garkoi me një mission në Romë, pranë Papës Piu IX. Papa e priti me dashamirësi, por në atë kohë, në Itali, u shumëfishuan sulmet kundër Rosminit. Katolikët konservatorë e akuzonin se ishte tepër i gatshëm për dialog me projektuesit e Italisë së bashkuar, ndërsa laicistët e akuzonin se ishte tepër i ngurtë në pikëpamjet katolike. Ai, atëherë, u vendos në Stresë, ku kaloi në heshtje vitet e fundit të jetëls dhe ku vdiq më 1855.
Më 2 korrik përkujtohen Shenjtorët: Liberati, Bonifaci, Servi, ristiku, Rogati, Septimi e Maksimi, martirë. Ndër manastirët afrikanë, që mendohet se ishin me frymëzim agostinian, një rëndësi të veçantë ka ai i Gafsës, në Tunizi, për shkak të martirizimit të murgjërve. Këta shtatë martirë u burgosën e më vonë u martirizuan në Kartagjenë, pas urdhërit të Hunerikut, i cili më 484 vendosi që manastiret t’u dorëzoheshin morëve.
Më 3 korrik përkujtohet Shën Toma apostull. Emri i tij del për herë të parë në listën e të dymbëdhjetëve, por në kapitullin 11 të Ungjillit sipas Gjonit del në pah një aspekt i karakterit të tij të zjarrtë. Kur vë re, bashkë me të tjerët, se Jezusi po shkonte drejt rrezikut, thotë: “Të shkojmë edhe ne e të vdesim me të”. Megjithëse është i njohur si apostulli dyshues, sepse deshi të vinte gishtin në plagën e Krishtit të ringjallur për ta provuar personalisht lajmin e mirë, ai është edhe apostulli i adhurimit, sepse fjalët e fundit, që thotë në Ungjill, janë: “Zoti im e Hyji im!”.
Më 4 korrik përkujtohet Shën Elizabeta e Portugalisë. U lind në Spanjë më 1271. Ishte bija e mbretit të Spanjës dhe u martua me Dionizin, mbretin e Portugalisë, me të cilin pati dy djem. Pasi i vdiq i shoqi, ua dha pasuritë e familjes manastirëve dhe u bë anëtare e urdhrit të tretë françeskan.
Më 5 korrik përkujtohet Shën Asti i Durrësit, martir. Kur perandor i Romës ishte Traiani dhe qeveritari i Ilirikut ishte Agrikolau, u martirizua, sepse nuk pranoi të nderonte statujën e Dionisit. Pasi e frushkulluan, e lidhën në një kryq, e lyen me mjaltë dhe e lanë në diell derisa insektet e thumbuan për vdekje. Vdiq rreth vitit 100.
Më 6 korrik është e diel, festa e Zotit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama