HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-06-29 15:34:05
A+ A- Printo artikullin



Aktualiteti i Solemnitetit të Apostujve Pjetër e Pal



Dy Apostujt, Shën Pjetri - "Shkëmbi", dhe Shën Pali "Mjeti i zgjedhur nga Zoti", të nisur nga viset e largëta të lindjes në një shtegtim misterioz feje e dashurie, pasi përshkuan troje të huaja e të panjohura, u takuan në Romë për një mision të përbashkët, për të predikuar Krishtin, të vetmin shëlbues të botës. Për Të ata do të derdhnin edhe gjakun pikërisht këtu, duke i skalitur përgjithnjë emrat e tyre në historinë e Romës së krishterë. Shtegtimi i tyre është model i shtegtimit simbolik që është i thirrur të bëjë çdo i krishterë për ta kumtuar Krishtin nëpër botë.
Në besojmën e Pjetrit, mund ta ndjejmë se jemi të gjithë një gjë e vetme, pavarësisht nga ndarjet që në rrjedhë shekujsh e copëzuan unitetin e Kishës, me pasoja që vijojnë edhe sot e kësaj dite. Prandaj në Solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal, Kisha vë gjithnjë theksin mbi kërkimin e ‘bashkimit të plotë’, dëshirë e përhershme e Patrikut Ekumenik të Kostandinopojës dhe e Ipeshkvit të Romës. E theksojnë fort ngjarjet e fundit, shtegtimi i Françeksut në Tokën Shenjte e lutja për paqen në Lindjen e Mesme, në Vatikan.Kujtojmë se Zoti e mbiquajti Simonin - Çefë, që do të thotë Pjetër – shkëmb.
Jezusi pohon kështu se mbi këtë shkëmb dëshiron të themelojë Kishën e vet e, në këtë perspektivë, i jep Pjetrit pushtetin e çelësave (cfr Mt 16, 17-19). Nga këto rrëfime del qartë se besojma e Pjetrit është e pandashme nga detyra baritore që i besohet lidhur me grigjën e Krishtit.

Jezusi i fton të zgjedhin rrugën që do t’i dallojë nga turma, për t’u bërë bashkësi njerëzish që besojnë në të, familja e tij, fillesa e Kishës. Në të vërtetë Jezusin mund ta shikojmë e ta njohim në dy mënyra: njëra është ajo e turmës, më e cektë; tjetra – e nxënësve – më depërtuese e më e vërtetë. Me pyetjen e dykuptimtë : “Çka thonë njerëzit, kush jam unë? e “Po ju, kush thoni se jam?”- Jezusi i fton nxënësit e vet të fitojnë vetëdijen e kësaj perspektive, që ndryshon nga ajo e turmës.
Njerëzia mendon se Jezusi është profet. Nuk është pohim i rremë, por nuk mjafton, është i papërshtatshëm. Është e nevojshme të hyhet shumë më thellë, të njihet veçantia e vetjes së Jezusit të Nazaretit, e reja që sjell Krishti.
Edhe sot është po kështu: shumë i afrohen Jezusit, por duke e parë thjeshtë nga jashtë. Studiuesit e mëdhenj, që ia njohin lartësinë shpirtërore e morale dhe ndikimin mbi historinë e njerëzimit, e krahasojnë me Budën, me Konfucin, me Sokratin, me dijetarë e personalitete të tjerë të mëdhenj të historisë. Por nuk arrijnë të kuptojnë se ai është unik.
Shpesh Jezusi konsiderohet edhe si një nga themeluesit e mëdhenj të feve, nga i cili gjithkush mund të marrë diçka, për të formuar bindjet e veta. Si atëherë, njerëzit kanë opinione të ndryshme për Jezusin e, si atëherë, Jezusi na e përsërit edhe neve pyetjen: “E ju, kush thoni se jam unë?”. E ne, pikërisht kur na drejtohet kjo pyetje, duhet të bëjmë tonën përgjigjen e Pjetrit: “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë!”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama