HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-07-01 16:18:37
A+ A- Printo artikullin



Ju kumtojmë lajmin e mirë – Shembëlltyrat dhe misteri i mbretërisë së Hyjit (XXIII)



Ju kumtojmë lajmin e mirë – Shëmbëlltyrat dhe misteri i mbretërisë së Hyjit
Jemi në kapitullin e katërt të Ungjillit sipas Markut, ku ungjilltari rendit disa nga shëmbëlltyrat më të njohura të Jezusit. Në vargjet e sotme, 10-13, Jezusi është përsëri vetëm me nxënësit dhe këta, bashkë me të Dymbëdhjetët, e pyesin për shëmbëlltyrat. Përgjigjja e Jezusit është kjo: “Juve ju është dhënë ta njihni misterin e mbretërisë së Hyjit, por atyre që janë përjashta gjithçka u jepet me shëmbëlltyra” (Mk 4,11).
Në qendër të kumtimit të Krishtit është mbretëria e Hyjit. Ajo është e pranishme në botë, por e fshehur. Përballë mbretërisë së Hyjit, Jezusi vendos dy realitete: njerëzit që janë në bashkësinë e tij, dhe ata që janë “përjashta”. Kush rri me Jezusin, kush e dëgjon dhe e ndjek me dashuri dhe vullnet të mirë, hyn në misterin e mbretërisë, falë lidhjes dhe miqësisë me vetë Mbretin, që u bë shërbëtor e mësues. Por, edhe atyre që janë “përjashta” Kishës, Jezusi dëshiron t’u flasë me anë të shëmbëlltyrave.
Kush janë ata që gjenden “përjashta”? Nuk bëhet fjalë, sigurisht, në radhë të parë, për mosbesimtarët. Jezusi citon profetin Isaia dhe shpjegon se flet me shëmbëlltyra, në mënyrë që ata, të cilët gjenden “përjashta”, të shikojnë, por mos të shohin; të dëgjojnë, por të mos kuptojnë, që të mos kthehen e të mos u falet (Mk 4,12). Kush nuk pranon personin e Jezu Krishtit dhe nuk i gëzohet takimit me të, humb misterin e mbretërisë, të cilës nuk mund t’i afrohet vetëm me anë të shëmbëlltyrave, por sidomos me anë të përvojës. Vetëm personi i Krishtit e lejon njeriun ta përjetojë praninë e mbretërisë së Hyjit, sepse vetëm ai është udha dhe dera për tek mbretëria. “Përjashta” mbetet ai që e përjashton Krishtin nga jeta e vet.
Shëmbëlltyrat janë njëra nga mënyrat më të parapëlqyera të Jezusit për të shpjeguar misterin e njeriut dhe të Hyjit, por çelësi i vetëm i kuptimit të tyre është Jezusi vetë, misteri i lindjes, mundimeve, vdekjes dhe ringjalljes së tij. Shëmbëlltyra nuk mund të jetë doktrinë më vete, prandaj, kush e shkëput atë nga misteri i Krishtit, mbetet “përjashta”, sepse sheh, por nuk shikon, ngaqë i mungon drita e fesë; ka veshë, por nuk dëgjon, ngaqë i mungon takimi me Fjalën e mishëruar, dhe, kështu, nuk kthehet dhe nuk i falen mëkatet, sepse nuk njeh mëshirën, që Hyji dhuron me anë të Birit të bërë njeri. Këto vargje të shkurtra të Ungjillit sipas Markut na kujtojnë edhe një herë se feja e krishterë nuk është teori, as doktrinë, por takim me Krishtin dhe ecje pas tij e me të, sepse vetëm kështu “na është dhënë misteri i mbretërisë së Hyjit” (Mk 4,11).




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama