HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-07-02 17:16:24
A+ A- Printo artikullin



Irak: parlamenti i përçarë. Isil kërcënon një 11 shtator të ri kundër SHBA



Gjithnjë më kaotike, situata në Irak, ku dje seanca e hapjes së Parlamentit përfundoi me polemika të ashpra ndërmjet partive shiite, sunnite e kurde, që duhet të merren vesh për të caktuar autoritetet më të larta shtetërore. Në veri të vendit vijon kundërsulmi i xhihadistëve të Isil, të cilët kërcënuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një 11 shtator të ri. Ndërkaq patriaku kaldeas, imzot Sako, bën thirrje për dy rregulltaret si dhe për jetimët e rrëmbyer të shtunën nga rebelët sunnitë.RealAudioMP3

Dje, në seancën e parë të parlamentit, pas zgjedhjeve të prillit të kaluar, u ndjenë përsëri përçarjet në gjirin e kombit irakian. Grupet shiite, që sundonin sallën, nuk mundën të merren vesh për emërimin e kryeministrit të ardhshëm, që duhet të jetë pikërisht shiit. Ndërsa kryetari i Parlamentit duhet të zgjidhet nga gjiri i sunnitëve e presidenti, nga kurdët. Por edhe për caktimin e njerëzve të përshtatshëm në këto detyra, nuk u arrit asnjë marrëveshje. Seanca u ndërpre, pa përfundime konkrete dhe mbledhja u shty për një javë. Në këtë atmosferë, kryetari i zonës së pavarur kurde, Mustafa Barzani, kërkoi organizimin e referendumit për pavarësi. Ndërkaq milicët e Isil mbajnë nën kontroll zonat e veriut e, pas shpalljes së Kalifatit, përmes një mesazhi audio të liderit të Shtetit islamik, i kërcënuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një 11 shtator të ri. Në Tikrit, një nga qytetet në dorë të rebelëve, ka nisur përparimi i ngadaltë i ushtrive qeveritare. E në Falluja, gjithashtu nën kontrollin e kryengritësve, bombardimet shkaktuan vdekjen e më se 9 civilëve. Aviacioni i Bagdadit goditi, për herë të dytë në pak ditë, edhe Mosulin, ku milicët e Isil mbajnë peng dy rregulltare e tre jetimë të krishterë. Dje, thirrja e imzot Sakos për lirimin e tyre. Sot, denocimi i fuqishëm i imzotit Bashar Warda, në mikrofonin tonë:

Përgjigje:Well, what we are asking to the international community is …
Kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion mbi politikanët irakianë. Gjëja kryesore është se në këtë çast këtu nuk ka qeveri. Kërkojmë të shpejtohet procesi i unifikimit të bashkësisë, për ta formuar qeverinë sa më shpejt që të jetë e mundur sepse, siç e kujtuat edhe ju, situata është kaotike, vërtet kaotike, e kjo po shkakton shumë probleme. Njerëzit kanë gjithnjë më pak shpresa, dëshpërohen, humbasin durimin e edhe dëshirën për të jetuar. Të gjithë i bëjnë vetes pyetjen: “A thua do të ketë ardhmëri ky vend?”. E ne, si barinj të Kishës, e kemi thënë fjalën tonë: “Ju lutemi, nëse e keni në mendje ta ndani vendin, bëjeni, por në paqe, pa dhunën, që vijon të na e shkatërrojë të pritmen tonë.

Pyetje: - Ju thatë se ka shumë mundësi që vendi të ndahet…

Përgjigje: - Hopefully not, because everyone...
Nëse gjithçka shkon mirë, jo, sepse ndarjet nuk janë shkaku i vërtetë e nuk mund t’i zgjidhin problemet, madje i thellojnë edhe më tepër. Shumëkush e shikon ndarjen si të vetmen rrugëzgjidhje. Por nuk është kështu. Shkaqet janë tejet të ndërlikuara, pasojë e historive të pambyllura të së kaluarës, e prandaj njerëzit mendojnë se ndarja mund t’i shërojë plagët. Po në thellësi të zemrës, të gjithë duan ta shikojnë Irakun, ashtu si ishte: Irak!

Pyetje: - Ditët e fundit shumë njerëz ikën nga Karakoshi e vende të tjera të krishtera për shkak të luftës. Si është gjendja e tyre në këtë çast?


Përgjigje: – It was very difficult…
E patëm vërtet të vështirë të strehonim 20 mijë vetë, në tri ditë. Më vështirë e patëm në Ankawa. Mundëm ta përballojmë situatën, ndonëse dihet që mundësitë e Kishës janë të kufizuara. Pastaj nuk e kemi as përvojën e duhur për të përballuar vërshime të tilla njerëzish. Për fat të mirë 90 % e familjeve të qendrës kanë ikur; pak kanë mbetur në shtëpi me miqtë e farefisin, të tjerë janë mikpritur në Ankawa. Është tejet e trishtuar t’i shikosh njerëzit duke u përgatitur për të ikur nga vendi, nga Karakoshi nga Ankawa… shumë nga bashkësitë tona po mendojnë seriozisht ta lënë vendin. Janë të mërzitur, tepër të mërzitur e të terrorizuar. Udhëhiqen më shumë nga frika për të nesërmen, sesa nga dëshira për të mos u larguar kurrë nga vatrat e tyre.

Pyetje: - Kërkojnë një vend të ri për ta rifilluar jetën…

Përgjigje: - They know it would not be...
E dinë se kjo mund të mos jetë zgjidhje e drejtë, vendim i mirë; e dinë se të ikësh nuk është aspak e lehtë, e dinë edhe se vendet evropiane, Amerika, Kanadaja e Australia ka shumë mundësi t’ua mbyllin portat në fytyrë. Por gjithsesi mendojnë se është më mirë të ikësh, sesa të rrish duke pritur më kot që jeta të ndryshojë, të përmirësohet, ndërsa vijon të keqësohet çdo ditë, e çdo ditë e ndjejnë veten gjithnjë më të poshtëruar në vend të vet, ku duhet të ishin zot shtëpie. Më mirë i huaj në vend të huaj, apo i huaj në vendin tënd? Nuk është vendim i lehtë, por duhet marrë, kur nuk ka asnjë rrugë tjetër.

Pyetje: - A ka pasur sulme kundër njerëzve, vrasje…


Përgjigje: - Two churches were looted...
Dy kisha u rrënuan. U mor vendim që gratë të mos i ngasin makinat. U rrëmbyen të gjitha shtatoret, edhe ajo e Zojës së Al Tahirës. Tani e dimë ç’na pret….

Pyetje: - Bashkësia e krishterë është pakicë këtu, në Irak. Nëse të gjithë do të marrin arratinë, ç’do të ndodhë në të ardhmen?

Përgjigje: - We need the international community to interfere...
Duhet që bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë, sepse pakicat janë begati për vendin. Nuk mund të lihen në mëshirën e fatit. Nëse të drejtat e tyre do të mbrohen, për t’u krijuar kushte të qëndrojnë, kjo do të jetë pasuri për të gjithë. Nuk është, prandaj, fjala, të jesh i krishterë, është të jesh njeri, të jesh pakicë. Nuk kemi shumë pakica në Irak, prandaj mund të themi: “Ju lutem, bëni diçka!”.

Pyetje: - Nëse do të dëshironit t’i drejtoni një mesazh botës, ç’do të thoshit?

Përgjigje: - The first message...
Mesazhi i parë është se kemi nevojë të formojmë një qeveri, që të kujdeset për të gjithë irakianët, nga Veriu, në Jug: sunnitë, shiitë, kurdë, të krishterë, shabakë… Të gjithë janë irakianë e kanë nevojë për një qeveri, që të kujdeset për ta, përndryshe nuk do të ketë të ardhme për të krishterët e, ndoshta, as për vendin!







Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama