HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-07-06 12:30:11
A+ A- Printo artikullin



E diela XIV gjatë vitit



Dashuria për të fundmitRealAudioMP3

Leximet e sotme na paraqesin disa paradokse. Mbreti mesianik, “i cili do ta shtrijë zotërimin e tij nga deti në det” (leximi i parë), paraqitet si i butë dhe i pambrojtur, hipur mbi gomar dhe jo mbi një kalë lufte të tërbuar. “Epifania” e tij nuk është shkëlqimplote dhe ngadhënjimtare, si ajo e mbretit luftëtar e fitimtar, që tërheq zvarrë pas vetes kolonat e të burgosurve, pre e luftës. Ai është mbreti i paqes, që i copëton simbolet dhe mjetet e luftës. Vetja e tij dhe programi i tij sjellin në mendje më tepër figurën e Shërbëtorit të Jahvesë, i cili, siç lexojmë tek Is 42,1-4, paraqitet si modeli i të varfërve të Jahvesë.
Është paradoksi i një mbreti të përvuajtur, por që ka në zotërim botën. Është e pashmangshme të të shkojë mendja tek Jezusi, që ditën e larit hyn ngadhënjimtar në Jeruzalem, si mbret paqësor, hipur mbi një visk të butë (Lk 19,35vv). Po aq paradoksale janë edhe pohimet e Ungjillit. Duket se dëgjojmë jehonën e fjalimit mbi mal. Atje gjinia letrare ishte ajo e lumnive, ndërsa këtu është ajo e bekimit dhe e falënderimit ndaj Atit. Atje të varfrit, të përvuajturit, të përndjekurit thirren të lumë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve; këtu janë përsëri të përvuajturit, të paditurit dhe të shtypurit ata të cilëve Hyji u zbulon sekretin e mbretërisë së vet.

Ligji i mbretërisë

Në të vërtetë e dimë se Hyji u zbulohet të gjithëve, por shpesh të diturit bëjnë që të duket i kotë zbulimi i Hyjit. Të mençurit dhe të diturit janë këtu mësuesit fetarë të kohës: skribët, farisenjtë, njohësit e ligjit dhe manipuluesit e shkathtë të traditave. Meqë njohin ligjin, bëhen shtypës dhe u ngarkojnë mbi shpatulla skamnorëve dhe të paditurve “barrët e padurueshme, ato barrë që ju nuk i prekni as me gisht” (Lk 11,46). Jezusi, përkundrazi, thërret pranë vetes ata, që janë të lodhur e të shtypur; zgjedha që ai vendos, është e ëmbël dhe e lehtë. Zgjedha e tij nuk është e lehtë ngaqë ai është më pak kërkues, a thua se morali i tij lejon gjithçka dhe nuk kujdeset për asgjë, por sepse ai vetë e bën të lehtë peshën, duke u treguar solidar dhe duke e ndarë me ne në mënyrë konkrete. Ai është i pari skamnor, i thjeshtë dhe i butë. Ai e mbart i pari kryqin. Afërsia e tij me ne e bën të durueshëm dhe të lehtë kryqin e atij që e ndjek.
Ligji i mbretërisë së Hyjit është ligji i më të voglit, i më të varfrit. Hyji zgjedh të përvuajturit, të thjeshtët, të paditurit. Është ligji i farës së sinapit, i fillesave të përvuajtura dhe të fshehura... Në këtë pikë ua tërheq vëmendjen Pali korintasve, të semurë me ndjenjën e madhështisë, plot me dëshirë për dhunti dhe veti që bien në sy, vlerësues të tepruar të urtisë së botës: “Mendoni për thirrjen tuaj, vëllezër: nuk ka mes jush shumë të urtë sipas mishit, nuk ka shumë të fuqishëm, nuk ka shumë fisnikë. Por Hyji zgjodhi çfarë është e marrë për botën, për t’i pështjelluar të diturit, Hyji zgjodhi çfarë në botë është e dobët, për t’i pështjelluar të fortët, Hyji zgjodhi çfarë në botë është e padenjë dhe e përçmuar dhe çfarë nuk është asgjë, për t’i kthyer në asgjë gjërat që janë, që asnjë njeri të mos mund të lavdërohet para Hyjit” (1 Kor 1,26-29).

Pengesat e mbretërisë

Nuk duhet ngatërruar varfëria sociologjike me gjendjen që përshkruan Jezusi në Ungjill, a thua se varfëria dhe shtypja e bëjnë njeriun vetvetiu bir të mbretërisë. Sigurisht, Jezusi ka dashur të thoshte se pasuria, dija, madhështia “sipas vlerësimit tkësor” mund të jenë pengesa të mëdha për mbretërinë e Hyjit, me qenë se japin siguri, besim në forcat e veta, autonomi, domethënë ato qëndrime prej të vetëkënaqurish, të cilët ai i ka dënuar tek të “mëdhenjtë” e kohës së vet dhe që ishin arsyeja e mospranimit të mbretërisë nga ana e tyre. Sigurisht, Jezusi ka dashur të pohojë përsëri se të varfrit, të fundmit, i kanë kushtet ideale për ta pranuar mesazhin e tij të çlirimit, por edhe ata kanë nevojë të kalojnë nëpërmjet procesit të çlirimit të pashkëve, për ta jetuar atë mesazh.

Gatishmëria për të shpresuar

Aftësia për ta pranuar mesazhin e Ungjillit ka lidhje me lirinë nga nevoja për të zotëruar, por moszotërimi si i tillë nuk e prodhon vetvetiu vetëdijen ungjillore. Të varfrit i kanë kushtet (që u mungojnë të pasurve) për ta jetuar Ungjillin, sepse janë të gatshëm për të shpresuar, por nuk e jetojnë nëse nuk bëhen të vetëdijshëm se njeriu është bir i Hyjit jo kur ka sa më shumë gjëra nën zotërim, por kur është solidar me njerëzit e tjerë dhe e kupton jetën si diçka që duhet ndërtuar me anë të shpresës.


Leximi parë: Zak 9,9-10.
Lexim prej Librit të Zakarisë profet

Kështu thotë Zoti: “Gëzo me gjithë shpirt, Bija e Sionit, galdo, Bija e Jerusalemit! ja, mbreti yt, po vjen te ti: është i drejtë e Shpëtimtar, por i përvuajtur e në shpinë të gomarit, në shpinë të gaçit, zogut të gomarit! Nga Efraimi do ta zhdukë karrocën, kalin nga Jerusalemi. Do të copëtohet harku i luftës. Kombeve do t’u shpallë paqen. Sundimi i tij prej detit në det prej Lumit në skajet e tokës!

Fjala e Zotit


Psalmi 145
Ref I bekuar je ti, o Zot, mbret i përvuajtur i lavdisë.

Do të lartësoj, o Mbret, Hyji im,
Dhe do ta bekoj Emrin tënd
Për gjithmonë e jetës.
Çdo ditë do të të bekoj
Dhe do ta lavdëroj Emrin tend.

Zoti është vetë butësia e mëshira,
I ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mire për të gjithë,
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.

Le të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua
e le të bekojnë shenjtërit e tu.
Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate,
le të kuvendin për pushtetin tënd.

Leximi dytë: Rom 8,9,11-13.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij. Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju.
Këndej, o vëllezër, ne kemi detyrim, por jo kundrejt mishit, që të jetojmë nën ndikimin e mishit: sepse, në qoftë se jetoni sipas ndikimit të mishit, do të vdisni, por, përkundrazi, po qe se i bëni të vdesin veprat e mishit nën ndikimin e Shpirtit, atëherë do të jetoni.

Fjala e Zotit

Aleluja!
Po të bekoj, o Atë, Zotërues I qiellit dhe I dheut,
Që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.
Aleluja!

+ Ungjilli Mt 11,25-30.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha: “Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtët, e ua zbulove të vegjëlve. Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu! Ati më dorëzoi mua gjithçka dhe askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit, dhe askush s’mund ta njoh Atin, përveç Birit e përveç atij kujt Biri do që t’ia zbulojë.
Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvuajtur. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.”

Fjala e Zotit


Në ungjillin e sotëm, Jezusi i kthehet edhe një herë temës së vogëlsisë. Të vegjlit janë vazhdimisht në qendrën e vëmendjes së tij. Duhet të bëhemi të vegjël, për të hyrë në mbretërinë e qiejve, duhet të dimë të pranojmë të vegjlit, nëse dëshirojmë të na zbulohen misteret e mbretërisë, nuk duhet të shkandullojmë të vegjlit, për të mos u dënuar. Këtë herë Jezusi i drejtohet Atit, duke e quajtur Zotin e qiellit dhe të tokës. Ai, pra, që është Zoti i qiellit dhe i tokës, i madhi dhe madhështori, ua zbulon të vegjëlve misteret e mbretërisë. Madhështia e Zotit të qiellit dhe të tokës mund të arrihet vetëm me anë të thjeshtësisë së shpirtit.
Jezusi e falënderon Atin, pse ua ka mbajtur të fshehura misteret e veta të diturve dhe të mençurve. Kush janë të diturit dhe të mençurit? Ungjijtë na tregojnë se të diturit dhe të mençurit janë doktorët e ligjit, skribët dhe farisenjtë, të cilët mendojnë se i zotërojnë misteret e mbretërisë. Ai u drejtohet atyre me fjalë shumë të ashpra në një tjetër vend në Ungjillin sipas Mateut: “Mjerë ju, skribë e farisenj shtiracakë, sepse ua mbyllni njerëzve mbretërinë e qiellit. As vetë nuk hyni brenda, as ata që dëshirojnë të hyjnë nuk i lini të hyjnë” (Mt 23,13).
Ndërmjet Hyjit Atë, që dëshiron t’u dhurohet njerëzve, për të vendosur tek ata banesën e vet, dhe njerëzve që e kanë humbur udhën e nuk e njohin më as Hyjin e as veten, gjendet Jezusi, njeriu që mund të thotë: “Gjithçka më është dhënë nga Ati im”. Njeriu i Hyjit jeton me vetëdijen se gjithçka është dhuratë e Hyjit dhe se gjithçka i përket, nëse rri i bashkuar me Hyjin. Forca e Jezusit qëndron pikërisht në bashkimin me Hyjin. Ai nuk e mbështet mësimin e vet në arsyetimet e kësaj bote, por flet si “dikush që ka autoritet” e jo si skribët, prandaj mund të deklarojë: “Askush nuk e njeh Birin përveç Atit dhe askush nuk e njeh Atin, përveç Birit dha atij të cilit Biri dëshiron t’ia zbulojë”.
Gjëja e parë që bie në sy, tek fjalët e Jezusit, është bashkimi i tij me Atin dhe përfshirja e njeriut në këtë bashkim, si rruga e vetme për të njohur misterin e Hyjit. Jezusi ka ardhur për ta përfshirë njeriun në misterin e Hyjit, i cili është mister dashurie para se të jetë mister diturie. Për këtë arsye, nuk është e mundur ta njohim Jezusin, nëse nuk na e zbulon Ati. Edhe Pjetrit, pasi i thotë Jezusit se ai është “Biri i Hyjit të gjallë”, Jezusi i gjegjet se këtë nuk ia kishte zbuluar mishi as gjaku, por Ati, që është në qiell. Pra Ati na paraqet Birin dhe Biri na paraqet Atin. A nuk ndodh shpesh kjo gjë në Ungjill. Ati jep dëshmi për Birin në pagëzim, në shndërrimin mbi malin Tabor dhe mbi të gjitha duke e ringjallur nga të vdekurit. Edhe Biri flet për Atin që në vegjëli, kur prindërit e qortojnë pasi e gjejnë në tempullin e Jeruzalemit, e deri në kryq, ku vdes pasi thotë: “Atë, në duart tuaja po e dorëzoj shpirtin tim”.
Ata që mendojnë se e njohin Hyjin vetëm me anë të zbulimit të Moisiut, apo me anë të teorive fikozofike, apo me anë të ushtrimit të virtytit moral, mbesin të mbyllur në pandehjen për dituri dhe nuk lejojnë të befasohen nga thjeshtësia me të cilën Jezusi na zbulon se misteri i Hyjit është misteri i bashkësisë në dashuri. Kush i afrohet Jezusit, duhet të zhvishet nga gjithçka, mbi të gjitha duhet të zhvishet nga ndjenja e madhështisë, të bëhet i vogël e ta lejojë mësuesin hyjnor të flasë për Atin qiellor, sepse “askush nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe ai të cilit Biri dëshion t’ia zbulojë”.
Zhveshja nga gjithçka nuk është vetëm veprim intelektual, por edhe ekzistencial, sepse Jezusi nuk sjell vetëm dritën e mendjes, por edhe atë të shpirtit. Ai na mëson dhe na fal, ose, më saktë, na mëson me anë të faljes. Për këtë arsye duhet të shkojmë tek ai si të vegjël, domethënë si njerëz të vetëdijshëm për përmasën tonë mëkatare, e cila ka nevojë për faljen e tij, që të mund t’i afrohemi misterit të dashurisë, që është misteri i Hyjit.
Edhe vetë rruga e Jezusit është rruga e vogëlsisë. Ai shkon drejt kryqit, drejt zhveshjes së plotë nga gjërat e kësaj bote dhe nga vetitë e pushtetit hyjnor, për ta jetuar lidhjen e tij me Atin në shenjën e skajshme të vogëlsisë, që është braktisja nga Ati në kryqin e gjykimit njerëzor, ku ai thërret: “Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje?”.
Të jesh i krishterë do të thotë ta njohësh Hyjin jo me anë të njohurive mendore, por me anë të ndjekjes së Jezusit, duke mësuar të shkojmë pas tij me vëmendje dhe besim, duke e lejuar të na përfshijë në marrëdhëniet e tij me Atin qiellor, duke pranuar të na dhurojë faljen e mëkateve dhe jetën e re. Si mund të bëhemi të vegjël, që Hyji të na zbulohet? Vetëm Jezusi është udha e vogëlsisë së vërtetë.


Shpirti i penduar është flijë për Hyjin
(Nga “Fjalimet” e Shën Agostinit)

Davidi u rrëfye: “E pranoj mëkatin tim” (Ps 50,5). Nëse unë e njoh mëkatin tim, atëherë ai e fal. Nuk pandehim aspak se jemi të përsosur dhe se jeta jonë është pa mëkat. Sillemi në mënyrë të përshtatshme kur thurim atë lavd që nuk e harron nevojën për falje. Njerëzit pa shpresë, sa më pak t’u kushtojnë vëmendje mëkateve të veta, aq më shumë merren me mëkatet e të tjerëve. Në të vërtetë, nuk kërkojnë çfarë duhet të ndryshojnë tek vetja, por për çfarë t’ua vënë fajin të tjerëve. Dhe, meqë nuk mund ta shfajësojnë veten, janë të gatshëm të akuzojnë të tjerët. Nuk është kjo mënyra për t’u lutur apo për t’i kërkuar falje Hyjit, siç na ka mësuar psalmisti, duke thënë: “E pranoj fajin tim, mëkatin tim e kam gjithnjë parasysh” (Ps 50,5). Ai nuk merrej me mëkatet e të tjerëve. Përmendte vetveten, nuk tregohej i butë me veten, por gërmonte dhe depërtonte gjithnjë e më thellë brenda vetes. Nuk e falte vetë veten e vet, prandaj lutej që t’i falej, por pa pandehur.
A dëshiron të pajtohesh me Hyjin? Kupto çfarë ke bërë me veten tënde, në mënyrë që Hyji të pajtohet me ty. Vëri mendjen asaj që lexohet tek po ai Psalm: “nuk të pëlqen flija dhe, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, nuk i pranon” (Ps 50,18). Pra, do të mbetesh pa flijuar? Nuk do të kesh asgjë për të kushtuar? Me asnjë kushtim nuk do të mund ta qetësosh Hyjin? Çfarë ke thënë? “Nuk të pëlqen flija dhe, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, nuk i pranon”. Vijo, dëgjo dhe lutu: “Shpirti i penduar është flijë për Hyjin, zemrën e keqardhur e të përulur ti, o Hyj, nuk e përçmon” (Ps 50,19). Pasi e hodhe tej atë që do të kushtoje, e ke gjetur çfarë të kushtosh. Në fakt, në lashtësi kushtoje viktimat e grigjës dhe quheshin flijime. “Nuk të pëlqen flija”: nuk i pranon më ato flijë të së shkuarës, por një flijë e kërkon.
Thotë psalmisti: “Nëse kushtoj flijë shkrumbimi, nuk i pranon”. Prandaj, meqë nuk të pëlqejnë ato flijë, do të mbetesh pa flijime? Larg qoftë. “Shpirti i penduar është flijë për Hyjin, zemrën e keqardhur e të përulur ti, o Hyj, nuk e përçmon” (Ps 50,19). E ke lëndën për të flijuar. Mos shko në kërkim të grigjës, mos merr anijen, për të shkuar në skajet më të largëta prej ku do të sjellësh barëra erëmirë. Kërko në zemrën tënde çfarë i pëlqen Hyjit. Duhet ta thërrmosh zemrën në grimca. A ke frikë se do të rrënohet për shkak të thërrmimit? Në gojën e psalmistit do të gjesh këtë shprehje: “Krijo në mua, o Hyj, një zemër të pastër” (Ps 50,12). Pra, duhet shkatërruar zemra e papastër, që të krijohet e pastra.
Kur mëkatojmë duhet të na vijë keq për veten, sepse mëkatet nuk i pëlqejnë Hyjit. Dhe, meqë e vëmë re se nuk jemi pa mëkat, të paktën në këtë të përpiqemi të jemi të ngjashëm me Hyjin: duke mos pëlqyer çfarë nuk i pëlqen Hyjin. Në një farë mënyre je i bashkuar me Hyjin, sepse ty nuk të pëlqen çfarë Krijuesi yt urren.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama