HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-07-04 16:41:05
A+ A- Printo artikullin



Lufta I Botërore: aktuale vepra e Benediktit XV



Profet i harruar, por që sot historianët po e rivlerësojnë si Papë i madh i shekullit të kaluar. Është Benedikti XV, të cilit sivjet do t’i kremtojmë njëqind vjetorin e zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, më 3 shtator 1914. Këto javë, kur përkujtohet një qindvjetor tjetër, ai i fillimit të Luftës I Botërore, mësimi dhe vepra e tij rifitojnë aktualitet të veçantë.RealAudioMP3

Kryeipeshvi i Bolonjës, Giacomo Della Chiesa, u zgjodh Papë, kur Evropa tundej e shkundej nga krismat e topave. Ishte shtatori i vitit ogurzi 1914. E pikërisht lufta, të cilën ai e quajti “masakër pa pikë kuptimi”, la gjurmë të thella në përvojën e tij si pasardhës i Shën Pjetrit. Në më pak se shtatë vjet papnimi, zhvilloi veprimtari që prekin të gjitha fushat: jo vetëm bëri çmos ta ndalojë konfliktin, por rilidhi edhe marrëdhëniet e këputura me botën e Lindjes së Mesme e të Largët, realizoi Kodin e ri të së Drejtës Kanonike, frenoi tonet shpërthimtare të modernizmit, riorganizoi misionet e mbështeti fuqimisht katolikët në jetën politike. Por impenjimi i tij më kryesor qe ai për rivendosjen e paqes.
I kërkuam të na flasë, për këtë figurë të ndritur, domenikanit, atë Massimo Mancini, pedagog i Historisë së Kishës pranë Fakultetit teologjik të Trivenetos, në Venedik.

Përgjigje: Është Papa që, në situata tejet të vështira, kur Selia e Shenjtë nuk njihej në planin ndërkombëtar, luajti rolin e një bashkëbiseduesi të aftë pranë fuqive të mëdha, për të rivendosur paqen. Ndonëse paqja do të vinte vetëm pas katër vjet lufte, Benedikti XV i ftoi mbarë popujt, të gjitha shtetet në luftë, t’u rikthenin paqen e humbur popujve. Nuk mbajti anën e askujt, e ky ishte një aspekt për të cilin nuk do t’i mungonin qortimet e ashpra nga të katër anët. Papa e dinte mirë detyrën e tij si atë i gjithë të krishterëve, e dinte se duhet t’ua çonte të gjithëve paqen, pa mbajtur anën e njërës palë, pavarësisht se këtë mund të mos e kuptonte pala tjetër. Siç edhe ndodhi.

Pyetje: - Nuk bëri vetëm thirrje teorike për paqen por, falë përvojës së tij të madhe diplomatike, Papa Della Chiesa u përpoq konkretisht për zgjidhjen e konflikteve…

Përgjigje: - Nga njëra anë u përpoq t’i ndihmojë të gjithë ata, që ishin dëmtuar rëndë nga lufta. Nga ana tjetër, pas tri vjet përleshjesh gjakatare e tragjike, Papa bëri një propozim dhe u dërgoi një notë diplomatike të gjitha fuqive në luftë, duke u treguar rrugëzgjidhjen për problemet konkrete. Por propozimi i tij konkret nuk u dëgjua nga fuqitë në luftë, me një përjashtim të vetëm, atë të Karlit Habsburg. Nuk ishte sukses, sigurisht, por nuk mund të mohohet se qe çast i një profecie të madhe nga ana e Papës.

Pyetje: - Benedikti XV la gjurnmën e vet edhe në kapitullin e misioneve…

Përgjigje: - Me “Maximum illud”, të vitit 1919, Benedikti XV i dha një nxitje të re misioneve në disa kontinente, duke kërkuar të realizojë projektin e formimit të klerit vendas. Pra, meshtarë e ipeshkvij, që i përkisnin popujve të tyre; mision që nuk lidhej më me kolonializmin e fuqive evropiane, por që i nxiste vetë popujt për të ungjillëzuar, për të kumtuar një mesazh pastërtisht ungjillor.

Pyetje: - Solli risi largpamëse edhe lidhur me impenjimin e katolikëve në politikë…

Përgjigje: - Benedikti XV i kushtoi vëmendje të madhe edhe pranisë së katolikëve në politikë në vende të ndryshme të botës. Posaçërisht në Itali, ku mbështeti fuqimisht themelimin e partisë së re popullore italiane të don Luigi Sturzos. Ishte partia e parë politike me frymëzim të krishterë. Nën papninë e Benediktit XV nisën edhe bisedimet, ndonëse të fshehura, për arritjen e zgjidhjes së problemit të rëndë të “Çështjes romake”, që zvarritej vit pas viti e vijonte të shkaktonte ndeshje ndërmjet Italisë e Selisë së Shenjtë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama