HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2014-07-05 19:21:34
A+ A- Printo artikullin



Mesha e Papës në Kampobaso: dashuria e krishterë, udhë kryesore e ungjillëzimit



Kisha duhet të jetë gjithnjë në vijë të parë në dëshminë e në dashurinë e krishterë. Është një nga fragmentet e forta të homelisë së Papës Françesku gjatë Meshës, kremtuar në ish-stadiumin Romanjoli të Kampobasos, në praninë e më se 20 mijë besimtarëve, 80 mijë vetë, me gjithë ata, që e ndiqnin Meshën në zonat përreth. Papa pohoi me forcë se duhet përhapur kultura e solidaritetit, posaçërisht përballë situatave të mungesave materiale. RealAudioMP3
Kisha, që e njeh erën e deleve të veta, të cilën Papa e kujton shpesh, ishte tejet e pranishme sot, përmes elterit të Meshës, kremtuar në Kampobaso, në formën e një stani simbolik. Strukturë e varfër, realizuar me kallama, zbukuruar me një filiz ulliri, për të kujtuar kasollet ku strehohen barinjtë molisanë, kur dalin të kullosin grigjët. Kishë për udhë, pra, ashtu si barinjtë, e quajti kryipeshkvi Giancarlo Bregantini stolinë e elterit, realizuar nga një emigrant i ri senegalez.
Françesku nënvizoi se të gjithë jemi të thirrur të shërbejmë me dashuri të krishterë në mjediset e përditshme, në familje, në famulli, në punë:
“Dëshmia e dashurisë së krishterë është udha kryesore e ungjillëzimit. Në këtë drejtim, Kisha ka qenë gjithnjë në vijën e parë, si prani amëtare e vëllazërore, që ndan bashkë me njerëzit vështirësitë e ligështitë. Kështu bashkësia e krishterë përpiqet të dikojë në shoqëri atë shtesë shpirtërore, që të ndihmon të shikosh përtej së sotmes e të shpresosh”.
Papa i nxiti të gjithë të vijojnë ecjen në këtë rrugë, duke i shërbyer Zotit përmes shërbimit të vëllezërve e duke e përhapur kudo kulturën e solidaritetit. Për këtë impenjim, theksoi, ka shumë nevojë sot, përballë situatave të mungesave materiale e shpirtërore, posaçërisht përballë papunësisë, plagë, që kërkon përpjekje e guxim nga të gjithë: nga institucionet, ndërmarrjet, financa. Dinjiteti i njeriut duhet të jetë në qendër të çdo perspektive, të çdo veprimtarie. Të gjitha interesat e tjera janë të dorës së dytë.
Në qendër, shtoi, është dinjiteti i njeriut, sepse njeriu është shembëllim i Zotit. Ndërsa Kisha është populli, që i shërben Zotit. Lirinë e vërtetë, kujtoi, na e jep gjithnjë Zoti: mbi të gjitha, lirinë të çlirohemi nga mëkati, nga egoizmi e të gjitha format e tij, lirinë për ta dhuruar vetveten me gëzim, si Zoja e Bekuar, lirinë për ta adhuruar Zotin e për t’i shërbyer Hyjit e vëllezërve:
“Kjo është liria që, me hirin e Zotit, e provojmë në bashkësinë e krishterë, kur vihemi në shërbim të njëri-tjetrit. Pa xhelozi, pa përgojime…Atëhere Zoti na çliron nga ambicjet e rivalitetet, që e minojnë bashkimin. Na çliron nga mosbesimi, nga trishtimi, që është i rrezikshëm, sepse na shemb përdhe”.
Zoti, uroi Papa, na çliroftë nga frika, nga zbraztësia shpirtërore, nga vetmia, izolimi, keqardhjet, ankimet, që nuk mungojnë as në bashkësitë tona e që i bëjnë njerëzit të mbrohen, më shumë se të dhurohen. Po Krishti, kujtoi Papa, na çliron nga kjo jetë e zymtë, ngjyrë hiri, pa dritë, pa bukuri e pa shpresa:
“Prandaj dishepujt, ne, dishepujt e Zotit, edhe pse mbetemi gjithnjë të ligshtë e mëkatarë, jemi të thirrur ta jetojmë me gëzim e guxim fenë tonë, bashkimin me Hyjin e me vëllezërit, adhurimin e Zotit, e t’u bëjmë ballë burrërisht provave të jetës”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama