HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2014-07-05 20:20:21
A+ A- Printo artikullin



Takimi i Papës me qytetarinë e Isernies



Etapa e fundit e shtegtimit të Papës në Molise ishte takimi me qytetarinë e Izernies dhe shpallja e Vitit Jubilar Çelestinian, në Sheshin e Katedrales së qytetit. Pikërisht për katedralen foli Françesku, duke iu drejtuar turmës vigane. E quajti vend ku takojmë qytetarët e vend ku takojmë Zotin, ku dëgjojmë Fjalën e Tij, që na fton të jetojmë si vëllezër. RealAudioMP3
Në qendër të vëmendjes, në fjalën e Papës, ishin dy figura të spikatura të Kishës në Itali, Shën Çelestini V e Shën Françesku i Asizit. Të dy patën ndjesinë e fortë të mëshirës së Hyjit, asaj mëshire, që rinon botën. Pjetër Morrone, vijoi Papa, ashtu si Françesku i Asizit, e njihte mirë shoqërinë e kohës, me varfëritë e saj. Të dy qenë shumë pranë njerëzve, pranë popullit. Patën të njëjtën mëshirë të Jezusit për njerëzit e lodhur e të shtypur. Por nuk u mjaftuan duke dhënë këshilla të mira, as ngushëllime të mëshirshme. Ata, të parët, shkuan kundër rrymës, ia besuan gjithë jetën Provanisë së Atit, jo vetëm si lartim vetjak, por si dëshmi profetike e një atësie e një vëllazërie, që janë mesazhi i Ungjillit të Jezu Krishtit:
“Më prek gjithnjë fakti se me këtë mëshirë të fortë për njerëzit, këta shenjtorë ndjenë nevojën t’i japin popullit një gjë më të madhe, pasurinë më të madhe. Mëshirën e Atit, faljen: ‘Na i faj fajet e mëkatet tona, si i falim ne fajtorët tanë!’. Në këto fjalë të Atynës, është i gjithë projekti i jetës, bazuar mbi mëshirën”.
Mëshira, ndjesa, falja e fajeve, nuk është thjesht diçka devocionale, shpjegoi Papa, një lloj vaji, që na ndihmon të jemi më të ëmbël, më të mirë. Jo, është profecia për një botë të re, ku pasuritë e tokës e të punës ndahen me drejtësi e ku askush nuk mbetet pa gjërat e nevojshme, sepse solidariteti e ndarja e përbashkët janë pasojë konkrete e vëllazërimit.
Më pas, duke folur lirisht, Papa shtoi:
Këta shenjtorë dhanë shembull. Si klerikë që ishin - njëri diakon e tjetri ipeshkëv i Romës - e dinin të dy se duhet të jepnin shembullin e varfërisë, të mëshirës e të zhveshjes nga gjithçka”.
Ja, pra, theksoi Papa, kuptimi i qytetarisë së re, që e ndjejmë sonte fuqimisht këtu, në këtë shesh para Katedrales, ku flitet për Vitin Jubilar Çelestinian, të cilin që këtë çast e deklaroj të hapur e gjatë të cilit do të çelet për të gjithë porta e mëshirës hyjnore. Ja, pra, kuptimi tejet aktual i këtij Jubileu:
“Nuk është ikje nga realiteti e nga problemet e tij, është përgjigje që vjen nga Ungjilli: dashuria, si forcë spastruese e ndërgjegjeve, forca e përtëritjes së marrëdhënieve shoqërore, forca e projektimit të një ekonomie të ndryshme, që vë në qendër njeriun, punën, familjen, e jo paranë e fitimin”.

Gjatë këtij Viti, t’ia besojmë veten mëshirës së Zotit e të zotohemi që, me hirin e Tij, të bëjmë vepra mëshire. Kjo është muzika, që do ta shoqërojë këtë vit, u shpreh simbolikisht Papa, për ta përfunduar takimin duke iu lutur Virgjërës Mari, Nënës së Mëshirës, t’i shoqërojë të gjithë në shtigjet e këtij Jubileu.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama