HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-07-06 15:38:16
A+ A- Printo artikullin



Papa në Engjëllin e Tënzot: jo, ekonomisë që e shfrytëzon njeriun, ngushëllim të varfërve



“Shumë mbartin zgjedha të padurueshme për shak të sistemit ekonomik, që e shfrytëzon njeriun”. Është denoncimi i Françeskut gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar sot në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa nënvizoi se i krishteri është i thirrur t’i kërkojë vëllezërit nevojtarë e t’i gjejë, kudo që janë, duke e mundur logjikën e indiferencës. Në çastin e përshëndetjeve, falënderoi nga zemra molisanët për ngrohtësinë, me të cilën e pritën kudo, gjatë vizitës së djeshme baritore.RealAudioMP3

“Ejani tek unë, ju të gjithë, që jeni të lodhur e të shtypur, e unë do t’ju çlodh!”. Papa Françesku u ndalua tek ftesa e Jezusit, në faqen e Ungjillit të së dielës. Zoti, tha, ka parasysh njerëzit, që i takon ditë për ditë, njerëz të thjeshtë, të varfër, të sëmurë, mëkatarë, të shtypur:
“Këta njerëz e ndoqën gjithnjë për ta dëgjuar fjalën e Tij, fjalë, që jepte shpresë - Fjalët e Jezusit japin gjithnjë shpresë! – e edhe për të çikur vetëm një kind të petkut të Tij. Jezusi vetë i kërkonte këto turma të lodhura e të këputura, si delet pa bari (cfr Mt 9,35-36): kështu thotë Ai vetë; i kërkonte, për t’u kumtuar Mbretërinë e Hyjit e për t’i shëruar shumë prej tyre në korp e në shpirt. Tani i thërret të gjithë: ‘Ejani tek unë’, e u premton prehje”.
Kjo ftesë e Jezusit, theksoi Papa, vijon edhe në ditët tona, për t’i takuar shumë vëllezër e motra, të ndrydhura nën barrën e jetës së varfër, të jetës pa shpresë e pa asnjë pikë mbështetjeje. Në vendet më të varfra, por edhe në ato më të pasurat, theksoi, ka shumë njerëz të lodhur e të këputur nën barrën e padurueshme të braktisjes e të indiferencës:
“Indiferenca: sa keq u bën nevojtarëve indiferenca njerëzore! E edhe më keq, ajo e të krishterëve. Në skutat e shoqërisë ka shumë burra e gra, thyer më dysh nga skami, por edhe nga pakënaqësia e jetës e nga zhgënjimi. Shumë detyrohen të ikin nga Atdheu i tyre, duke vënë në rrezik edhe vetë jetën. Të tjerë vijojnë të mbartin mbi shpinën e këputur, një sistem ekonomik, që e shfrytëzon deri në palcë njeriun, që e vë nën një zgjedhë të padurueshme, të cilën vetëm pak të privilegjuar nuk duan ta mbartin. Secilit nga këta bij të Atit, që është në qiell, Jezusi i përsërit: ‘Ejani tek unë, ju të gjithë!”.
Jezusi, shtoi Françesku, ua thotë këtë edhe njerëzve, që kanë gjithçka, por zemra e tyre është bosh. Edhe të kamurve ua drejton këtë ftesë Jezusi: “Ejani tek unë!”. Ftesa e Jezusit ka vlerë për të gjithë. Por në mënyrë të posaçme, pohoi, për ata që vuajnë më shumë.
Jezusi, kujtoi Papa, na bën edhe një ftesë, që tingëllon si urdhër: “Merreni zgjedhën time mbi vete e mësoni nga unë, që jam zemërbutë e i përvujtë” (Mat 11. 29). Zgjedha e Zotit, vijoi të shpjegonte Papa, është të marrësh mbi vete barrën e tjetrit, e ta marrësh me dashuri:
Si ta kemi marrë prehjen e ngushëllimin e Jezusit, jemi të thirrur të bëhemi prehje e ngushëllim për vëllezërit, me sjellje të butë e të përvujtë, duke i përngjarë Mësuesit. Butësia e përvujtëria e zemrës na ndihmojnë jo vetëm të marrim mbi vete barrën e të tjerëve, por edhe të mos bëhemi ne vetë barrë, për të peshuar mbi ta me këndvështrimet tona personale, me gjykimet tona, kritikat e indiferencën tonë”.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, të shumtë edhe sot në Sheshin e Shën Pjetrit, pavarësisht nga vapa e madhe verore, Papa falënderoi nga zemra banorët e Molises, një ditë pas përfundimit të vizitës së tij baritore:
“Dëshiroj të përshëndes në mënyrë të veçantë e të përzemërt të gjithë njerëzit e mirë të Molises, që dje më pritën në tokën e tyre të bukur e edhe në zemrat e tyre. Ishte pritje e ngrohtë: nuk do ta harroj kurrë! Shumë faleminderit!”.
Në fund Papa përshëndeti besimtarët e Salcanos, në dioqezën e Trevizos, ku pati qenë famullitar don Giuseppe Sarto, që më pas u bë papë me emrin Piu X e u shpall edhe shenjt. Besimtarët e famullisë së priftit Papë e Shenjt ishin në Shesh për të përkujtuar, bashkë me Françeskun, 100-vjetorin e vdekjes së don Giuseppe-s.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama