HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-07-08 13:00:16
A+ A- Printo artikullin



Imzot Lucjan Avgustini, ipeshkëv i Sapës dekorohet nga presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin e lartë “Nënë Tereza”



Me propozim të këshillit bashkiak të Vaut të Dejës, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, dekoroi me titullin e lartë “Nënë Tereza” Ipeshkvin e Sapës, imzot Lucjan Avgustini. Ceremonia e dekorimit u mbajt gjatë kremtimit të meshës, të dielën, datë 6 korrik 2014, në katedralen Nënë Tereza në Vaun e Dejës. Të dëgjojmë informacionin e Violeta Marashit...RealAudioMP3
Në prani të Nuncit Apostolik, Imzot Ramiro Moliner Ingles, Imzot Zef Gashi, ipeshkev i Malit te Zit, Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Kryetari i bashkisë Vau-Dejës, z. Gjon Marku, autoritete të larta civile dhe vendore, konsujt e nderit si dhe një numër i madh besimtarësh, kreu i shtetit shqiptar i shoqëruar nga zonja e parë, Odeta Nishani shprehi falenderimin dhe ngrohtësinë për ftesën me rastin e kësaj ceremonie, në të cilën bashkë me vlerësimin e veprimtarisë dhe misionit të Ipeshkvit të Sapës, Imzot Lucjan Avgustinit i akordoi edhe dekoratën “Nënë Tereza” me motivacionin “Në nderim të veprimtarisë së vazhdueshme dhe të çmuar për bamirësi dhe ndihmesën e veçantë në harmoninë ndërfetare, duke forcuar solidaritetin e shoqërisë dhe vlerat bashkëpunuese”.
Ndërsa pas përshëndetjes drejtuar gjithë të pranishëmve, në fjalën e rastit Presidenti i Republikës u shpreh se “ s’ka vend më të paqtë dhe të qetë se sa të jesh në Shtëpinë e Zotit. Ndaj edhe unë sot, tha ai, ndiej qetësinë dhe paqen më të madhe e më të veçantë që kam pasur ndonjëherë në jetën time. Jam i lumtur që sot gjendem këtu mes jush, në “Shtëpinë e Zotit”, në këtë Katedrale të fisshme që mban emrin e Shenjtores sonë të dashur. Presidenti u ndal edhe në shpalosjen e vlerave historike, kulturore e fetare që mbart me vete Vau-Dejësi dhe mbarë Dioqeza e Sapës që ruan vlera kombëtare, dhe është një ndër dioqezat më të lashta të Shqipërisë ku nga gjiri i saj ndër shekuj kanë dalë figura të larta historike të penës, pushkës dhe besimit. Ai vlerësoi edhe Vizitën historike të Papa Françeskut në Tiranë, si një vizitë e veçantë, vlerësuese dhe inkurajuese për çdo shqiptar, për çdo atdhetar kudo ku jeton e punon në Shqipëri dhe anembanë botës.
Duke marrë në dorëzim dekoratën e lartë nga Kreu i Shtetit shqiptar, Imzot Lucjan Avgustini në fjalën e tij të falenderimit pohoi se: “Titulli me të cilën bartë emrin dekorata, duke pasur parasysh punën e madhe të humanistes shqiptare, të së Lumes Nënë Tereza, më krijon një emocion jashtëzakonisht të madh, e njëkohësisht më bën të ndihem edhe i lumtur për shembullin që na e ka lënë që edhe ne të mund të shfaqim dashuri dhe kujdes për vëllezërit dhe motrat tanë në nevojë. Si meshtar dhe si ipeshkëv, jam munduar ta kryej detyrën time të përkushtimit në shërbim të Zotit, popullit dhe vendit. Do të mundohem edhe më tutje të punoj duke mos kursyer fuqitë e mia, gjithmonë në shërbim të Zotit dhe popullit dhe në zhvillimin dhe përparimin e vendit tonë. Dekorata me të cilën më nderoni sot vazhdoi më tej, Imzot Avgustini, është meritë e të varfërve, të të sëmurëve, të vuajturve të një ideologjie pa Zot dhe e të gjithëve me të cilët kam punuar, përfundoi Ipeshkëvi”.
Menjëherë pas mbarimit të ceremonisë, Zonja e Parë Odeta Nishani bëri një vizitë në Shtëpinë e Bamirësisë ku u njoh më nga afër me banorët dhe realitetin e kësaj shtëpie të ndërtuar me iniciativën e vetë Shkëlqesisë së Tij Imzot Lucjan Avgustini, e vetmja e këtij lloji në Dioqezën e Sapës, për të mos thënë ndoshta dhe në Shqipëri.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama