HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-07-08 12:55:11
A+ A- Printo artikullin



shpjegimi i shëmbëlltyrës së mbjellësit



Jemi gjithnjë në kapitullin e katërt të Ungjillit sipas Markut, ku Jezusi tregon shëmbëlltyrën e mbjellësit, i cili “del” dhe e “hedh farën” me bujari anës rrugës, në zall, në ferra dhe në tokë të mirë. Në vargjet e sotme (14-20) Jezusi shpjegon domethënien e kësaj shëmbëlltyre.
“Mbjellësi mbjell fjalën” (Mk 4,14). Ara e madhe ku mbillet fjala është njerëzimi mbarë, që nganjëherë ngjan me anën e një rruge të shkelur nga njerëzit, nganjëherë me zallin e thatë, nganjëherë me tokën e mbuluar me ferra e nganjëherë me tokën pjellore. Tek ky njerëzim, Hyji ka dërguar Birin e vet, bujkun bujar, i cili është, në të njëjtën kohë edhe fara, sepse ai është Fjala e bërë njeri.RealAudioMP3
Hyji dëshiron ta begatojë njeriun me dhuratën e Fjalës. Dëshiron që ajo, si fara, të vdesë brenda njeriut, që të mbijë e të japë fryte. Në fillimin e Ungjillit sipas Gjonit lexojmë se “Fjala ishte pranë Hyjit e Fjala ishte Hyji” dhe “Fjala u bë njeri e banoi ndër ne”. Fara dhe fjala, që Hyji u ka dërguar njerëzve, është Jezusi vetë. Ai u dhurohet me bujari në misterin e mundimeve, të vdekjes dhe të ringjalljes. Përsëri, në Ungjillin sipas Gjonit, Jezusi thotë: “Nëse fara e grurit, e rënë në tokë, nuk vdes, mbetet e vetme; por, nëse vdes, jep shumë fryt” (Gjn 12,14).
Shëmbëlltyra e mbjellësit është shëmbëlltyra e marrëdhënieve të njeriut me Jezusin. Ai vetë i shpjegon natyrët dhe karakteret e njerëzve tek të cilët ka ardhur. Jezusi e njeh mirë njeriun: e di se është i tunduar nga satani, i cili vjen dhe e rrëmben fjalën e mbjellë mbrenda tij; e di se njeriu është “i paqëndrueshëm” (v.17) dhe zmbrapset përballë mundimeve për shkak të fjalës; e di se gënjehet nga tundimet e kësaj bote (v. 19), por ai e di dhe beson se njeriu e ka aftësinë për ta dëgjuar e për ta pranuar fjalën dhe për të dhënë fryte.
Tri gjëra bien në sy, në këtë shëmbëlltyrë: rëndësia e fjalës, që Hyji dëshiron të zërë rrënjë brenda jetës së njerëzve, për të dhënë frytet e jetës; bujaria me të cilën bujku hyjnor e shpërndan farën, pa llogaritur fitimet e të mbjellave; njohja e përpiktë e të gjitha sjelljeve njerëzore kundrejt hirit hyjnor. Shëmbëlltyra e mbjellësit është shëmbëlltyra e ungjillit, i cili, me anë të shërbesës së Kishës, është fara, që Hyji vijon ta mbjellë me bujari në arën e njerëzimit, duke korrur frytet e shenjtërisë së njerëzve, herë tridhjetëfish, herë gjashtëdhjetëfish, herë njëqindfish (v. 20).




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama