HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-07-13 15:06:50
A+ A- Printo artikullin



E diela XV gjatë vitit



Leximi i Parë (Is 55, 10-11)

Kështu thotë Zoti: “Sikurse zbret shiu e bora nga qielli e atje nuk kthehet, por e ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim, kështu edhe fjala ime që del prej gojës sime, s’do të kthehet tek unë pa fryt, pa pasë kryer gjithçka më pëlqen dhe pa pasë zbatuar atë për çka e nisa.

Nga Psalmi 65 (64)

Ref. Vizitoje tokën tënde, o Zot,
dhe bekoji të mbjellat në të

Ti kujdesesh për tokën dhe e ujit,
e ngarkon me prodhime të begatshme.
Lumi i Hyjit është plot me ujë:
ti bën të rriten drithëra për njerëz!

Tokën ti kështu e përgatit:
hullitë ia lag, bucat ia imtëson,
me shi e zbrun, të mbjellat ia bekon.

E kurorëzon vitin me mirësinë tënde,
gjurmëve të tua rrjedh begatia,
kullotat e shkretëtirës rijnë njomësi,
mballesat bregoreve ngjeshen me hare.

Livadhet janë të veshura me dele,
luginat mbulohen me drithëra:
gjithkah këngë e brohoritje me hare!


Leximi i dytë (Rom 8, 18-23)

Në të vërtetë, unë mendoj se të gjitha vuajtjet e tanishme nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme që do të zbulohet në ne. E njëmend, edhe vetë krijesa me afsh e pret zbulimin e bijve të Hyjit: krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë ‑ jo pse do, por për arsye të atij që e nënshtroi ‑ porse njëmend në shpresë. Sepse, edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit. Sepse e dimë: mbarë krijesa gjëmon dhe vuan në dhimbjet e lindjes deri tani. Dhe jo vetëm ajo! por, gjithashtu edhe ne, që kemi frytet e para të Shpirtit Shenjt, gjëmojmë në vetvete, duke pritur adoptimin ‑ shpërblimin e trupit tonë.


Ungjilli (Mt 13, 1-23)

Atë ditë Jezusi doli prej shtëpisë dhe u ul të rrijë buzë detit. Një turmë e madhe populli ngarendi tek ai kështu që hipi në barkë e u ul ndenjur, kurse mbarë populli zuri vend në breg.
U foli për shumë gjëra në shëmbëlltyra.
Kështu u tha: “Doli mbjellësi për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, disa kokrra ranë pranë udhës, erdhën shpendët dhe i hëngrën. Disa ranë në zallinë, ku kishte pak dhe. Mbinë shpejt, sepse nuk e kishin tokën e thellë. Porse, kur doli dielli, u vyshkën prej vapës dhe u thanë, pse nuk kishin rrënjë. Disa të tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën e ua zunë frymën. 8 Kurse disa të tjera ranë në tokë të mirë e ato dhanë fryt: njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra tridhjetëfish. Kush ka veshë, le të dëgjojë!”
Nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Pse po u flet me shëmbëlltyra?”. Ai u përgjigj: “Sepse ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit, ndërsa ata nuk e morën. Për të vërtetë, atij që ka do t’i jepet edhe më dhe do të ketë me shumicë, kurse atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka. Për këtë arsye atyre u flas në shëmbëlltyra, sepse shikojnë e nuk shohin, dëgjojnë e nuk ndiejnë as nuk kuptojnë. Mbi ta plotësohet profecia e Isaisë që thotë: “Mirë do të dëgjoni ‑ por s’do të kuptoni, mirë do të shikoni ‑ por nuk do të shihni. Vërtet zemra e këtij populli s’ka më ndjenja, u bë i rëndë ndër veshë, sytë i janë mbyllur, që të mos shohë me sy, të mos dëgjojë me veshë, që të mos kuptojë shpirti i tyre e të mos kthehen. E unë i kisha shëruar!” Lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë! Përnjëmend po ju them: shumë profetë e të drejtë dëshiruan të shohin çka ju po shihni, por nuk e panë, të dëgjojnë çka ju po dëgjoni e nuk e dëgjuan.”
“Tani dëgjoni ç’do të thotë shëmbëlltyra e mbjellësit: Secilit që e dëgjon Fjalën e Mbretërisë e nuk e kupton, i vjen i Keqi dhe ia rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër. Ky është ai që u mboll ‘pranë udhës’. E i mbjelli ‘në zallinë’, është ai që e dëgjon Fjalën dhe me gëzim e pranon, porse, për arsye se s’ka rrënjë në vetvete ‑ pse është i paqëndrueshëm, posa të vijë ndonjë ngushticë ose salvim për shkak të Fjalës, përnjëherë e bjerr besimin. E i mbjelli ‘në ferra’, është ai që e dëgjon Fjalën, por kujdesi i tepruar i kësaj bote dhe gënjimi i pasurisë, ia marrin frymën Fjalës e ajo mbetet pa fryt. E i mbjelli në ‘tokë të mirë’, është ai që e dëgjon Fjalën, e kupton dhe bie fryt: njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri tridhjetëfish.”



Fjala

“Kanë gojë, por nuk flasin” (Ps 1,13). Kjo satirë e idhujve të shurdhër vë në dukje, me të kundërtën e vet, njërën nga vetitë më karakteristike të Hyjit të gjallë. Ai flet me njerëzit. Zbulohet jo vetëm me anë të gjuhës së heshtur të natyrës dhe të shenjave të botës së krijuar, por “flet” me anë të ndërhyrjeve të tija historike, që sjellin shëlbim e mëshirë, që qortojnë dhe ndëshkojnë. Ai flet, në Besëlidhjen e Vjetër, me anë të profetëve, ndrëmjetësuesit e tij më të dashur, pothuajse zëdhënësit e tij të mirëfilltë. Atyre u flet me anë të ëndrrave dhe vegimeve (Nm 16,6); zbulohet nëpërmjet frymëzimeve personale (2 Mbr 3,15); me Moisiun flet “sy më sy” (Nm 12,8).

Fjala, si përvojë e jetuar

Në Besëlidhjen e Vjetër fjala e Hyjit është para së gjithash një fakt, një përjetim: Hyji flet drejtpërsëdrejti me njerëzit e privilegjuar dhe, me anë të tyre, me të gjithë popullin. Qendërsia e Fjalës së Hyjit në Besëlidhjen e Vjetër përgatit ngjarjen çoroditëse të Besëlidhjes së Re, ku kjo fjalë – Fjala – bëhet njeri. Leximet e sotme na ftojnë ta kuptojmë më thellësisht dhe si të vetme temën e fjalës. Në historinë e Kishës, epokat e “përditësimit” e kanë ripërtërirë gjithmonë gatishmërinë për ta dëgjuar fjalën e Hyjit dhe për t’u përballur me të. Kjo gjë ndodh edhe sot. Këtë e vërteton përkushtimi me të cilin çohen përpara studimet që hapi Koncili II i Vatikanit, si edhe reforma liturgjike, e cila përpiqet t’i japë kremtimit të fjalës vendin që i takon.
Edhe sot, si në kohën e Jezusit, është Fjala ajo që e thërret dhe e mbledh Kishën rreth Atit dhe me anë të thellimit në fjalën e Hyjit të krishterët bëhen të vetëdijshëm se janë familja e Hyjit, populli i të shpëtuarve të tij. E, më tej, qëndrimi kundrejt fjalës (indiferenca, refuzimi, shkujdesja ose pranimi) përcaktojnë qëndrimin tonë në mbretërinë e Hyjit (Ungjilli).

Indiferenca dhe mospranimi i Fjalës

Qëndrimit të mos-dëgjimit ose të kundërshtimit të fjalës së Hyjit, që vihej re në kohën e Jezusit, i bën jehonë sot qëndrimi indiferent dhe mungesa e dëshirës për ta kuptuar nga ana e njerut modern. Nganjëherë barinjtë, predikatarët dhe misionarët kanë përshtypjen se flasin një gjuhë të huaj për njeriun e sotëm.
Vetë të krishterët e kanë ndjesinë e një largësie ndërmjet jetës së tyre të përditshme dhe fjalës që u kumtohet në asamblenë eukaristike. Ajo duket tepër e lidhur me kohët e dikurshme, duket statike dhe në mospërkim me jetën reale. A është fjala e Hyjit ajo që duhet të vihet në dyshim? Apo është vetëm takimi i Kishës me botën dhe njeriun modern, që nuk e gjen ende gjatësinë e valës? Në rrjedhën e shekujve të krishtërimit, teologjia e fjalës e ka vënë theksin pothuajse vetëm tek shpallja e fjalës. Fjala ishte objekti i predikimit: një “e dhënë” që duhet dorëzuar me besnikëri, duke e përçuar si një depozitë të çmuar. Jeta e të krishterit, përvoja e tij e përditshme, shihej vetëm si trualli në të cilin fjala vihet në zbatim. Përvoja, jeta, ekzistenca konkrete, nuk shikoheshin si një “e folur”, as si zbuluese të aspekteve të reja e domethënëse të fjalës. Hyji fliste vetëm atje ku kumtohej fjala, atje ku lexoheshin dhe kumtoheshin Shkrimet.
Ka disa kohë që po vërtetohet një kthesë në vështrimin dhe kuptimin e fjalës së Hyjit. Po zbulohet se Hyji i fesë flet para së gjithash përmes ngjarjeve, domethënë përmes historisë, jetës së jetuar të popullit të Hyjit, që është i përfshirë në aventurën e përbashkët të të gjithë njerëzve.
Në praktikën baritore dhe mbi të gjitha në katekezë, përvoja e njeriut merret parasysh gjithnjë e më shumë në tërësinë e saj, jo vetëm si mjet didaktik apo si shpjegues psikologjik, por me të vërtetë si vendi i privilegjuar, ku fjala e Hyjit shfaqet me tërë pasurinë dhe fuqinë e saj.
Katekizmi i kuptuar si Hyji që flet dhe njeriu që dëgjon po zëvëndësohet dalëngadalë me katekizmin më të mishëruar të situatave, i cili është më i vëmendshëm ndaj problemeve të njeriut, domethënë më “antropologjik”, gjë që mund ta shprehim si vijon: Njeriu pyet e Hyji përgjigjet. Po vërtetohet, pra, përmbysja e perspektivës, në të mirë të kuptimit më të thellë të fjalës së Hyjit.
Mesazhi duhet ta shndrisë ekzistencën. Përvoja nuk vihet në shërbim të mesazhit, për ta ilustruar, por mesazhi duhet të përdoret për t’i dhënë ekzistencës tërë domethënien, që ka sipas fesë. Vetëm kështu shpallet vërtet fjala, sepse vetëm kështu jehon thellë në përvojën e njeriut të sotëm.
***
Nga traktati “Misteret”, i Shën Ambrozit, ipeshkëv

Çdo ditë kemi mbajtur nga një fjalim me temë morale ndërsa lexoheshin ose gjestet e patriarkëve, ose mësimet e Fjalëve të Urta, me qëllim që, të formuar dhe të udhëzuar prej tyre, të mësoheshit të hynit në udhën e të lashtëve, të ecnit asaj udhe dhe t’u bindeshit kumteve hyjnore, në mënyrë që, të ripëprtërirë me anë të pagëzimit, të silleshit siç u ka hije të pagëzuarve.
Tani ka ardhur koha të flasim për misteret dhe të shpjegojmë natyrën e sakramenteve. Po ta kisha bërë këtë para pagëzimit, me të papagëzuarit, do ta kisha tradhëtuar, më shumë se sa shpjeguar, këtë doktrinë. Duhet shtuar edhe se drita e mistereve është më depërtuese kur vjen papritur, sesa kur arrin pas shenjave të para të ndonjë trajtese paraprake.
Hapini, pra, veshët dhe shijoni harmonitë e jetës së amshuar që dikoi në ju dhurata e sakramenteve. Jua kemi treguar domethënien, kur, duke kremtuar misterin e hapjes së veshëve, ju kemi thënë: “Effata, domethënë: Hapu!” (Mk 7,37), në mënyrë që secili prej jush, që po i afrohej hirit, të kuptonte për çfarë po pyetej dhe të kujtonte si duhej të përgjigjej. Krishti, siç lexojmë në Ungjill, e ka kremtuar këtë mister, kur shëroi shurdhmemecin.
Pastaj është hapur për ty Shenjti i Shenjtërve, ke hyrë në shenjtëroren e rilindjes. Kujto çfarë pyetjesh të janë drejtuar. Mendo çfarë përgjigjesh ke dhënë. I ke rënë mohit djallit dhe veprave të tij, botës dhe shthurjes e kënaqësive të saj. Fjala jote nuk ruhet në varrin e të vdekurve, por në librin e të gjallëve. Pranë burimit ke parë levitin, ke parë priftin, ke parë kryepriftin. Mos u kujdes për pamjen e jashtme të njeriut, por për dhuntinë e shërbesës së shenjtë. Ti ke folur në praninë e engjëjve, siç është shkruar: Buzët e priftit duhet ta ruajnë dijen dhe nga goja e tij duhet të dalë mësimi, sepse ai është engjëlli i Zotit të ushtrive (khs Ml 2,7). Nuk mund të gabohet. Nuk mund të mohohet. Kush kumton mbretërinë e Hyjit është engjëll. Ai që lajmëron jetën e pasosur është engjëll. Nuk duhet ta gjykosh nga pamja e jashtme, por nga funksioni. Mendo çfarë të është dhënë, thellohu në rëndësinë e detyrës që ke marrë, prano çfarë bën Ai.
Kur të hysh për të parë kundërshtarin tënd, të cilin pandehet se e ke mohuar me gojë, drejtohesh kah lindja: sepse kush e mohon djallin kthehet kah Krishti, e shikon sy më sy.

***
Nga “Fjalimet” e shën Atanasit, ipeshkëv

Fjala e Hyjit, jolëndore dhe pa substancë të korruptueshme, zuri vend ndër ne, edhe pse as përpara nuk ka qenë larg. Në asnjë rajon të universit nuk ka munguar prania e saj, sepse, duke ekzistuar bashkë me Atin e vet, e mbushte çdo realitet me praninë e saj. Erdhi tek ne për dashuri dhe na u shfaq neve në mënyrë shqisore. I shtyrë nga dhembshuria për gjininë njerëzore dhe nga ligështia jonë, nuk deshi që të mbesnim viktima të vdekjes. Nuk deshi që gjërat e krijuara të shkatërroheshin dhe që vepra krijuese e Atit për njerëzit të asgjësohej. Për këtë arsye ai vetë mori trup njerëzor, një trup të barabartë me tonin, sepse ai nuk deshi vetëm të banonte në trup, ose vetëm të dukej si njeri. Po të kishte dashur vetëm të dukej si njeri, do të kishte mundur të zgjidhte një trup më të mirë, por zgjodhi pikërisht trupin tonë.
Ai vetë ndërtoi tek Virgjëra një tempull për vete, domethënë trupin, dhe, duke banuar në të, e bëri trupin e vet elementin me anë të të cilit do të shfaqej. Mori një trup të shkatërrueshëm dhe, në dashurinë e tij të pafundme, ia kushtoi Atit, duke pranuar vdekjen.
Kështu e asgjësoi ligjin e vdekjes tek të gjithë ata që do të vdesin të bashkuar me të. Kur goditi Fjalën, vdekjes iu shteruan forcat krejtësisht, duke humbur çdo mundësi për t’u bërë keq të tjerëve. Njerëzit e rënë në vdekshmeri, u bënë të pavdekshëm në të dhe u kthyen nga vdekja në jetë. Falë trupit që mori Fjala dhe falë ringjalljes që arriti, e shkatërroi vdekjen, siç bën zjarri me një gjethe të thatë.
Ai, pra, mori një trup të vdekshëm, në mënyrë që ky, duke marrë pjesë në Fjalën sovrane, të mund ta shuante vdekjen për të gjithë. Trupi që mori, duke qenë se u banua nga Fjala, u bë i pavdekshëm dhe, me anë të ringjalljes, bar pavdekshmërie për të gjithë ne. I kushtoi vdekjes si flijë dhe kushtim të dëlirë trupin që kishte marrë dhe, duke e kushtuar trupin e vet për të tjerët, i çliroi nga vdekja të ngjashmit e vet.
Fjala e Hyjit, epërore ndaj çdo gjëje, kushtoi dhe flijoi për të gjithë tempullin e trupit të tij dhe i pagoi vdekjes çmimin për të cilin i detyrohej. Në këtë mënyrë, Biri i padekshëm i Hyjit, solidar me të gjithë me anë të trupit të përbashkët të vdekshëm, falë premtimit të ringjalljes, i bëri të gjithë të pavdekshëm, duke u dhënë drejtësinë. Vdekja, tashmë, nuk ka më asnjë ndikim tek njerëzit, falë Fjalës, që e vuri mes tyre banesën e vet, me anë të një trupi të njëjtë me të tyrin.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama