HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-07-31 14:32:36
A+ A- Printo artikullin



Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVIII (2)



Vijojmë rubrikën “Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”(Giovanni Sale S.I.; Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013). Në emisionin e dytë, Shekulli XVIII në Shqipëri

Shekulli XVIII është periudhë e decentralizimit të Perandorisë Otomane dhe lindjes së pashalleqeve të mëdha, me prirje të fuqishme për t’u shkëputur nga Porta e Lartë.
Historia e Kishës katolike në trojet Shqiptare lidhet kryesisht me Pashallëkun e Bushatllinjve të Shkodrës, sepse e kryente misionin kryesisht në zonat e Veriut, ndërsa Pashallëku tjetër, ai i Ali Pashë Tepelenës, banohej nga shqiptarë të besimit mysliman e ortodoks. Natyrisht edhe të krishterët nën Ali Pashën, nuk e patën aspak të lehtë: mjafton të kujtojmë tragjedinë e shfarosjes së suljotëve. Po ne këtu do të flasim kryesisht për mbrojtjen e të krishterëve katolikë, të lidhur pazgjidhshmërisht me Papën e tejet të persekutuar nga kundërshtarë të të gjitha natyrave.
Sundimi i dinastisë së Bushatllinjve përfshin gjithë periudhën, për të cilën shkruan atë Sale, që thellohet kryesisht në situatën e katolikëve në të tërë shtrirjen e Perandorisë, gjatë shekullit XVIII, pa prekur drejtpërdrejt gjendjen e katolikëve shqiptarë. Prej këndej, nevoja për ta shtuar këtë gur, në mozaikun vigan.
I pari i dinastisë ishte Mehmet Pashë Plaku, që do të vdiste i helmatisur nga turqit. Vendin e tij e zuri Mahmuti i Zi, i njohur me emrin Karamahmut Pasha (1775-1796), i cili u lidh me malësorët e krishterë dhe nuk iu kundërvu asnjë herë haptas Kishës katolike. Analet e kohës dëshmojnë se pati lidhje të ngushtë me një frat kapuçin, me profesion mjek, i cili e pati shëruar nga një sëmundje e rrezikshme. Në vijim Pasha e pati kapuçinin mësues e pastaj, edhe krah të djathtë për marrëdhëniet me jashtë, si njeri i ditur e njohës i gjuhëve kryesore evropiane. Me që kapuçini nuk pati pranuar të banonte në Kështjellë, Pasha e lejoi të ndërtonte kapelën e Shën Mërisë Magdalenë, pranë së cilës, edhe një banesë modeste, pikërisht atje, ku sot ngrihet Kisha dhe banesa e françeskanëve kapuçinë. Këtë histori e gjejmë të përshkuar hollësisht në veprën e atë Zef Pllumit “Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo da Balneo”.
Më 1787 Shkodra u rrethua nga turqit, që donin t’i jipnin një dënim shembullor Pashës rebel e të vinin në vend të tij, Mahmut Pashë Ajdosin. Në krye të ushtrisë ishte pikërisht Ajdosi i cili, së bashku me Mehmet Pashë Çaushollin, nisi plaçkitjet, shkatërrimet, e, sidomos, diskriminimin e jashtëzakonshëm fetar. Si rezultat i besëlidhjes së Karamahmutit me malësorët e krishterë, këta të fundit u dyndën nga malet, i sulmuan rrethuesit e kështjellës dhe i shpartalluan, duke siguruar një periudhë të shkurtër lirie fetare, që do të përfundonte më 22 shtator 1796, kur Pasha do të binte në luftë, në Mal të Zi. Pas Karamahmutit, dinastia ra në dorë të Ibrahim Pashës, që lidhi besë me klerin fanatik mysliman dhe rifilloi një sulm të rrebtë kundër katolikëve, duke u armiqësuar kështu, përfundimisht, me malësorët. Ky, thënë me dy fjalë, ishte kuadri historik i jetës së bashkësisë katolike në Shqipëri, kur Selia e Shenjtë rrekej të hynte në lidhje diplomatike me Portën e Lartë, pikërisht për t’i siguruar mbrojtjen grigjës së vet, që shpesh çohej në kasaphanë. E u ndje, në Shkodër, edhe zëri i konsullatave të huaja, posaçërisht asaj franceze.
Gur i vogël i mozaikut vigan, ky, të cilin po e vendosim në kuadrin e gjithë perandorisë otomane, që tashmë njihej si “i sëmuri i Bosforit”.
Në emisionin e tretë De Propaganda Fide - Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve dhe roli i saj në viset e misionit.






Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama