HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-07-15 11:21:53
A+ A- Printo artikullin



Ju kumtojmë Lajmin e Mirë



Jemi në kapitullin e katërt të Ungjillit sipas Markut, vargjet 21-25.RealAudioMP3 Jezusi pohon se drita nuk ndizet për t’u fshehur, por për t’u vënë mbi pishtar, dhe pohon se asgjë nuk do të ngelë pa dalë në dritë.
Drita është njëri nga elementet për të cilët flitet shumë shpesh në Shkrimin e Shentjë. Mjafton të mendojmë se, sipas librit të Zanafillës, me dritën fillon vetë krijimi i botës: “Hyji tha: le të bëhet drita!” (Zan 1,3). Njeriu biblik është gjithmonë në kërkim të dritës dhe e di se atë e gjen tek burimi i saj i vetëm, prandaj psalmisti i drejtohet Hyjit: “Llambë për hapat e mi është fjala jote, dritë për udhën time” (Ps 118). Ky pohim i Psalmit 118 na ndihmon të kuptojmë se drita për të cilën po flasim nuk është vetëm drita materiale, por ajo që vjen prej fjalës dhe u jep kuptim gjërave të pakuptueshme. Janë pikërisht gjërat e pakuptueshme me arsyen njerëzore ato për të cilat flet Jezusi, kur thotë se “nuk ka asgjë të mbuluar, që nuk do të ndriçohet, nuk ka asgjë të fshehur, që nuk do të dalë në dritë” (Mk 4,22).
Me gjërat e mbuluara dhe të fshehura nuk duhet të kuptojmë në radhë të parë (apo vetëm) gjërat që të tjerët i kanë bërë dhe ne nuk i dimë. Drita për të cilën flet Jezusi nuk ndizet për të shuar kureshtjen tonë për punët e të tjerëve. Në atë dritë duhet të lexojmë jetën tonë, me dëshirën për të kuptuar çfarë nuk arrijmë të kuptojmë pa të. Një vështrim gjithëpërfshirës mbi tërë ungjijtë na lejon të kuptojmë se Krishti është drita e ndezur për të ndenjur jo nën magjë apo nën shtrat, por mbi pishtar. Në Ungjillin sipas Gjonit, ai thotë: “Unë jam drita e botës; kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Gjn 8,12).
Nxënësi i vërtetë i Jezusit është ai që e vendos Mësuesin në qendër, pa e fshehur skutave të jetës, edhe pse ajo nganjëherë mund të mos jetë sipas vullnetit të tij. Dhe nëse e vendos Mësuesin në qendër, edhe nxënësi vetë bëhet dritë, prej Mësuesit dhe si Mësuesi: “Ju jeni drita e botës” (Mt 5,13) u thotë Jezusi atyre që kanë vendosur ta ndjekin. Errësira e botës mund t’i trembë, nganjëherë nxënësit e mësuesit hyjnor, sidomos kur shfaqet më dhunshëm misteri i së keqes, por Jezusi është drita e botës pikërisht në mes të misterit të së keqes: në kryq. Ai është dritë jo vetëm pse është kryqëzuar, por sepse është i kryqëzuar i ringjallur, që na jep të gjithëve dritën e jetës.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama