HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Politika >  2014-07-15 13:43:14
A+ A- Printo artikullin



ISIS liron 5 të krishterë në Irak: 2 murgesha e 3 jetimë nga Mosuli



“Jam shumë i lumtur për lirimin e murgeshave e të tre jetimëve”, pasi ky është, më në fund, një lajm i bukur në kuadrin e përgjithshëm të luftës, dhunës e përçarjeve. Kështu pohon për agjensinë katolike AsiaNews, Patriarku i Kishës kaldease, Mar Louis Raphael I Sako, duke komentuar lajmin e lirimit të motër Aturit, motër Miskintës dhe të tre të rinjve, rrëmbyer më 28 qershor. Autorët e sekuestrimit janë elementë të lidhur me formacionin sunit xhihadist e kaedist ISIS - Shteti Islamik i Irakut dhe i Lindjes. Dy murgeshat kaldease të Kongregatës së Bijave të Zojës së Papërlyer, së bashku me simotrat, mbajnë një shtëpi-familje për fëmijët e braktisur e jetimët e Mosulit, e cila ndodhet krejt pranë kryeipeshkvisë vendase.
Patriarku Sako shpjegon se ka pasur kontakte me njerëz të qytetit, të cilët kanë kontribuar në lirimin e tyre. Murgeshat e jetimët janë mbajtur në një shtëpi të Mosulit, por janë trajtuar mirë. Në 17 ditët e mbajtjes së tyre peng, murgeshat janë lutur për lirimin e tyre e për paqen në Irak. Patriarku deklaron se nuk është paguar asgjë për lirimin, por islamikët u kanë marrë vetëm makinën.
Gjatë ditëve të kaluara, kryeipeshkvi kaldeas i qytetit, imzot Emil Shimoun Nona, pati bërë thirrje për lirimin e të pestëve, duke këshilluar të tregohej kujdes i veçantë për të mos vënë në rrezik jetën e pengjeve. Qyteti i dytë i rëndësishëm i Irakut, Mosuli ra i pari në duart e milicëve islamikë të ISIS-it. Rreth 500 mijë të krishterë e myslimanë u larguan prej tij, duke e lënë në një krizë të rëndë humanitare, ekonomike dhe politike.
Edhe lajmi i lirimit të murgeshave nuk e ndryshon gjendjen e luftës, të ndarjeve e të dhunës, që përjetohet jo vetëm në Mosul, por në të gjithë Irakun. Parlamenti po përpiqet për një tryezë tejet të vështirë bisedimesh ndërmjet palëve, por presionet autonomiste, sidomos nga Kurdistani irakian, bëhen gjithnjë e më të forta. Burime nga Kombet e Bashkuara bëjnë të ditur se në muajin qershor, së paku 2417 irakianë, ndër të cilët 1513 civilë, kanë humbur jetën për shkak të dhunës e të terrorizmit. E në këtë llogari nuk bëjnë pjesë viktimat në provincën e Anbarit, e cila ndodhet në duart e milicëve sunitë. Mëse një milion vetë kanë braktisur shtëpitë për shkak të ndeshjeve ndërmjet ushtrisë e islamikëve. Është kulmi i krizës së filluar në dhjetor të vitit 2011, kur trupat amerikane u larguan nga Iraku.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama