HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-07-16 14:14:38
A+ A- Printo artikullin



Guadalupe. Kardinali Parolin: emigrantët janë shpesh fytyra e vuajtur e Krishtit



“Emigrantët, shpesh, janë fytyra e vuajtur e Krishtit” në ditët tona. Kështu tha sekretari i shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në homelinë e Meshës së kremtuar dje në Shenjtëroren e Guadalupes. Sekretari i shtetit gjendet në Meksikë për të folur për temat lidhur me fenomenin e emigrimit.
“Të mësojmë nga virgjëra, të ndjekim Jezusin, si në çastet e qeta, ashtu edhe në mes të provave”. Thirrjen e bën kardinali Pietro Parolin, nga shenjtërorja e Guadalupes. Në qendër, figura e Marisë, e cila, me nxitim, shkon tek Elisabeta, siç vrapoi me nxitim tek ipeshkvi edhe indiano-amerikani Huan Diego, me petkun plot me lulet e Kastijës, kur mbi gunën e tij u shfaq mrekullisht shëmbëllimi i Zojës së Guadalupes. T’i lutemi Marisë “të na dhurojë Krishtin” dhe “të pranojmë në zemrën tonë vullnetin e Hyjit”, bën thirrje kardinali. “Kisha ka mësuar nga Maria se ungjillëzimi i vërtetë bëhet duke shpallur madhështinë e Zotit”. “Tek Maria – vijoi më tej – mund të shohim mënyrën si bëhet e pranishme Kisha, me dritën e Ungjillit, në jetën e popujve, në shndërrimet shoqërore, ekonomike dhe politike”.
“Shën Maria e Guadalupes është modeli i Kishës shtegtare”, që nuk kërkon vetveten, që ecën me popullin e vet dhe nuk dëshiron të rrijë jashtë sfidave dhe projekteve të tij, jashtë vuajtjeve dhe shpresave të tij. Pastaj prelati i lartë u kujtoi ipeshkvinjve se angazhimi për ripërtëritjen e bashkëjetesës kombëtare dhe të dialogut me veprimtarët e ndryshëm shoqërorë është rasti i duhur për të paraqitur vlerat dhe rrënjët e krishtera. Ato janë të nevojshme për ndërtimin e një shoqërie më solidare, të themeluar mbi kulturën e takimit, mbi respektimin e padiskutueshëm të jetës njerëzore dhe për të përkrahur përpjekjet për mirëkuptim të ndërsjellë.
Kardinali kërkoi t’i drejtohen Marisë lutje të veçanta për emigrantët. Foli edhe për pjesëmarrjen në seminarin mbi emigrimin, gjatë të cilit u diskutua për mbrojtjen e atyre që detyrohen të braktisin shtëpitë, në kërkim të një pune ose në kërkim të kushteve më të mira të jetesës, por që shpesh herë janë viktima të modelit ekonomik përjashtues, i cili nuk ka në qendër njeriun. Prandaj pohoi: “Nëse nga njëra anë kufinjtë hapen gjithnjë e më shumë për tregtinë, për paranë, për teknologjitë e reja, nga ana tjetër njerëzit pësojnë shtrëngesa të shumta, dhunë dhe shpërdorime, dhe mbesin të lëndueshëm”. “Emigrantët – përfundoi kardinali Parolin – shpesh janë fytyra e vuajtur e Krishtit” në ditët tona, që e mbushin me mallëngjim zemrën e Nënës së tij.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama