HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-07-16 14:14:49
A+ A- Printo artikullin



Takimi i Kardinalit Parolin me presidentin Penja Nieto dhe mediat mexikane



Roli i Kishës në shoqërinë meksikane, gjendja e të varfërve dhe e emigrantëve, si dhe lufta kundër narkotrafikut. Këto ishin disa nga temat kryesore që preku kardinali Pietro Parolin në fjalimet e tij, me rastin e takimit me mediat meksikane dhe gjatë darkës shtruar në nder të tij nga ana e presidentit të Meksikës, Enrike Penja Nieto. Këto takime u zhvilluan pasi kardinali hapi seminarin mbi emigrimin, në kryeqytetin meksikan.
“Kisha do t’i mbështesë gjithmonë politikat që shkojnë në drejtim të respektit të dinjitetit të njeriut dhe të të drejtave të tij themelore”. Këtu e vuri theksin kardinali Pietro Parolin në fjalimin mbajtur gjatë darkës së shtruar në nder të tij nga presidenti Nieto. Sekretari i Shtetit të Vatikanit vuri në dukje fazën e rëndësishme të reformave strukturore dhe kushtetuese nëpër të cilën po kalon vendi në këtë periudhë dhe shfaqi vlerësimin e veçantë për reformën e emigrimit, e cila është në dobi të emigrantëve. Pikërisht për këtë temë, kardinali Parolin shprehu mirënjohjen e Papës dhe të Selisë së Shenjtë ndaj Kishës meksikane për “shërbimin” në dobi “të nevojave të emigrantëve” me anë të “qendrave të shumta të pritjes”. Ky shërbim, theksoi Kardinali, përfaqëson vijimin e “veprave të Samaritanit të Mirë”.
Edhe në takimin me mediat meksikane, kardinali Parolin foli përsëri për binomin varfëri-emigrim, që sjell të tjera sfida. Sekretari i Shtetit të Vatikanit nxori në pah në veçanti “shpërbërjen e familjeve” dhe “eksodin e fëmijëve që emigrojnë të pashoqëruar”. Nuk la pa përmendur “plagën e korrupsionit dhe trafikun e qenieve njerëzore”, si edhe dhunën “lidhur me narkotrafikun”. Përballë këtyre fenomeneve, prelati i lartë përsëriti thirrjen e Papës Françesku “të mos lejojmë të na e vjedhin shpresën”. Në botën e globalizuar, shtoi më tej, “asnjë qeveri nuk mund t’i përballojë me sukses e vetme këto sfida”. Për këtë arsye, nevojiten “strategji të përbashkëta” në kontekstin amerikan dhe ndërkombëtar, mbi të gjitha kur “bëhet fjalë për zhvilimin e njeriut dhe të të drejtave të tij”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama