HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Politika >  2014-07-17 15:24:02
A+ A- Printo artikullin



Lindje e Mesme: nuk ka marrëveshje për armëpushimin izraelito-palestinez



Konfirmohet, përgënjeshtrohet, konfirmohet e sërish përgënjeshtrohet: ky qe fati i sotëm i lajmit për arritjen e armëpushimit në Rripin e Gazës, duke filluar nga ora 6.00 e ditës së nesërme (5 në Shqipëri). Paqja në Lindjen e Mesme, për të cilën po punon pa rreshtur diplomacia ndërkombëtare, sidomos Egjipti, varet edhe nga një fjalë e thënë në erë. Organizata palestineze Hamas nuk respektoi as armëpushimin humanitar pesë orësh të paradites së sotme dhe mohon se është arritur ndonjë armëpushim për nesër, pavarësisht nga bisedimet e gjata në Kajro, me presidentin Al-Sisi. Deri tani, kjo lojë ka shkaktuar 220 të vdekur.RealAudioMP3
Në Rripin e Gazës, është zvogëluar jashtëzakonisht furnizimi me ushqime i agjensive dhe i organizatave humanitare e popullsia varfërohet gjithnjë e më shumë. Dëme të shumta ka në bujqësi, e domosdoshme për mbijetesën e njerëzve, të penalizuar edhe nga bllokimi i imponuar nga Izraeli. Të dëgjojmë punonjësin e organizatës humanitare Oxfam, Marco Tinchelli, i cili këto ditë lëviz në Betlehem e në Hebron:
Ka tre nënsektorë në bujqësi: i pari është ai i peshkimit. Tani, peshkatarët e Gazës nuk mund të dalin në det, sepse janë dëmtuar barkat dhe mjetet e peshkimit. Përveç kësaj, zona e peshkimit, e cila zakonisht është gjashtë milje, është reduktuar edhe më, duke u bërë tri milje. Sektori i dytë është ai i bujqësisë. Bujqit nuk mund të shkojnë në arë, në sera e në fusha, duke mos pasur mundësi as të kujdesen për to, as të korrin të mbjellat. Vazhdimi i krizës do të thotë humbje për prodhimet bujqësore, me dëm të rëndë për ekonominë e Gazës. Sektori i tretë është ai i blegtorisë, që ka të bëjë edhe me beduinët e Gazës. Jemi në sezonin riprodhues e stresi, që pësojnë kafshët, sjell humbje të mëdha në lindje. Ekonomia e Gazës do të dalë jashtëzakonisht e dëmtuar nga kjo gjendje.
Kjo situatë dramatike bën pjesë në një kontekst, që vuante edhe më parë për shkak të bllokimit izraelit…
Ashtu është, bllokimi i imponuar nga Izraeli në Rripin e Gazës e ka keqësuar gjendjen. Për shembull, siç e thashë më parë, reduktimi i zonës së peshkimit në 6 milje është bërë nga Izraeli, i cili tani e ka reduktuar edhe më shumë, deri në tri milje; pastaj krijimi i një Buffer Zone në kufi me Izraelin, që u ka marrë terrene prodhuese bujqve palestinezë; e më tej, bllokimi i hyrjes së mallrave, i materialeve për ndërtim, që e dëmton rëndë ekonominë e Rripit të Gazës. Kjo do të ndikojë edhe kur të vijë momenti i rindërtimit. Parashikohen kohë të gjata për rehabilitimin e strukturave të dëmtuara, sepse bllokimi i imponuar nga Izraeli do ta kufizojë hyrjen e materialeve që nevojiten.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama