HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-07-17 12:05:18
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku në Korenë e Jugut. Atë Hur: paqe dhe ungjillëzim në Azi



Edhe një muaj, e Papa Françesku do të shkojë në Korenë e Jugut, në udhëtimin e tretë ndërkombëtar të papnisë, në program nga 13 deri më 18 gusht. Çastet më të rëndësishme të vizitës janë takimi me të rinjtë, me rastin e Ditës së Rinisë aziatike, lumnimi i 124 martirëve koreanë dhe mesha për paqen e pajtimin. Për këtë shtegtim të rëndësishëm, ftuam në mikrofonin tonë zëdhënësin e Kryedioqezës së Seulit, atë Hur Young-yup:RealAudioMP3

Kisha koreane është Kisha e parë aziatike, që pret Papën Françesku. Përmes kësaj ngjarjeje domethënëse, Kisha koreane do të bëhet porta për ungjillëzimin në Azi. Ati i Shenjtë vjen si bari për t’u takuar me njerëzit e me të rinjtë e kontinentit. Mund të themi se Koreja është vend, që simbolizon nevojat e botës së paqes e të pajtimit. Prandaj, vizita e Papës mund të sjellë një mesazh të rëndësishëm shprese e paqeje në vendin tonë.
Ç’opinion kanë koreanët për Papën Françesku?
Jo vetëm katolikëve, por gjithë koreanëve u pëlqen Papa Françesku. Vlerësojmë mënyrën e tij të thjeshtë, kujdesin që ka për të varfërit e të braktisurit. E gjithë popullsia koreane pret me padurim të takohet me Papën. Së bashku me Kishën, qeveria po bën ç’është e mundur për ta përgatitur sa më mirë këtë vizitë baritore të Atit të Shenjtë. Mendoj se përgatitjet e brendshme janë më të rëndësishme se ato jashtë Kishës. Vizita nuk është vetëm ngjarje e veçantë për Kishën e Koresë, por edhe rast i rëndësishëm për reforma të brendshme dhe për ungjillëzimin e botës jashtë saj. Kisha koreane ka shumë rrugë për të bërë.
Kujtojmë se Ungjilli në Kore ka hyrë përmes laikëve, në vitet 1700…
Katolicizmi erdhi në vendin tonë, pasi u përkthyen në gjuhën koreane librat katolikë dhe pasi filluan të studioheshin nga disa vendas. Më vonë, këta formuan bashkësi katolike e u predikuan fenë të tjerëve. Pra, e veçanta e Kishës koreane është se e ka filluar jetën përmes laikëve e jo përmes misionarëve. Kjo Kishë është persekutuar shumë. E megjithatë, paraardhësit tanë e ruajtën fort fenë dhe vazhduan ta përhapnin Lajmin e Mirë të Jezu Krishtit.
Cili është impenjimi i Kishës për bashkimin e vendit, aktualisht i ndarë në Korenë e Jugut e në atë të Veriut?
Ky është misioni i Kishës koreane: të punojë për pajtimin dhe bashkimin e vendit. Mendoj se përkrahja humanitare dhe dialogu i sinqertë janë më të nevojshmet. Kisha ka vazhduar të japë ndihma humanitare edhe kur marrëdhëniet ndërmjet Veriut e Jugut ishin të tendosura.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama