HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-07-18 12:17:37
A+ A- Printo artikullin



Françesku për Papën, Kishën e Botën: intervista (3)



Në sa kalojnë ditët e afrohet 21 shtatori, dita kur Ati i Shenjtë do t’i shkelë e do t’i bekojë trojet shqiptare, ne vijojmë rrëfimin e Françeskut për Papën, Kishën e Botën, duke nisur nga intervista e tij dhënë gazetës “La Vanguardia”. Sot Françesku, intervistuar nga Henrique Cymerman, flet për revolucionin, qëndrimin ndaj protokolleve, varfërinë e Kishës e rolin e saj në ngushtimin e hendekut ndërmjet të pasurve e të varfërve…RealAudioMP3
Disa thonë se ju jeni revolucionar?

Duhet të thërrasim të madhen Mina Mazzini (në realitet, Iva Zanicchi) këngëtaren italiane, e t’i themi: “Merre këtë dorë, cigane, e ma lexo të kaluarën…”. Ku ta dish ç’do të dalë… Për mua, revolucion i madh do të thotë të shkosh deri në rrënjë, t’i njohësh rrënjët e të shikosh ç’u thonë ditëve tona. Mund të jesh revolucionar e të shkosh deri në rrënjë: këtu nuk ka kurrfarë kundërvënjeje. E jo vetëm, por unë besoj se mënyra për të bërë ndryshime të vërteta, duhet të jetë identiteti. Nuk mund të bëj kurrë një hap në jetë, nëse nuk nisem nga e kaluara, nëse nuk e di prej nga vij, si quhem, ç’emër kulturor a fetar kam.

Ju shpërfillni shumë protokolle sigurie, për të qenë sa më pranë njerëzve…

E di se mund të më ndodhë ndonjë gjë, por është në dorë të Zotit. Kujtoj se në Brazil më kishin përgatitur një papamobil të mbyllur, me qelqe. Po unë nuk mund ta përshëndes popullin e t’i them se e dua fort, nga kutia e sardeleve, ku jam mbyllur. Për mua ky është mur ndërmjet meje e njerëzve. E muret nuk mund t’i duroj. Është e vërtetë se mund të më ndodhë ndonjë e keqe, por të jemi realistë, në moshën time nuk humbas ndonjë gjë të madhe!

Pse është e rëndësishme që Kisha të jetë e varfër dhe e përvuajtur?

Varfëria dhe përvuajtëria janë në qendër të Ungjillit në kuptimin teologjik, jo në atë sociologjik. Ungjilli nuk mund të kuptohet pa varfërinë, që duhet dalluar nga pauperizmi. Ipeshkvijtë duhet të jenë shërbëtorë e jo princa.

Ç’mund të bëjë Kisha për të ngushtuar hendekun ndërmjet të pasurve e të varfërve?

Dihet tashmë se me ushqimin që tepron, mund të ngopen njerëzit e uritur. Kur njeriu shikon foto me fëmijë të paushqyer në të katër anët e botës, i vjen të zërë kokën me duar. E nuk arrin ta kuptojë psenë. Besoj se kemi një sistem ekonomik botëror, që nuk është i mirë. Në qendër të çdo sistemi ekonomik duhet të jetë njeriu, burri e gruaja, e gjithçka tjetër duhet të jetë në shërbim të këtij njeriu. Po ne kemi vënë paranë në qendër, hyjin para. Duke rënë, kështu, në mëkatin e idhujtarisë, idhujtarisë së parasë. Ekonomia vihet në lëvizje nga dëshira për të pasur gjithnjë më shumë e, paradoksalisht, ushqehet nga kultura e hedhurinës. Skartohen të rinjtë, kur kufizohen lindjet. Skartohen edhe pleqtë, sepse nuk shërbejnë më, nuk prodhojnë, janë klasë pasive…Duke i skartuar të rinj e pleq, skartohet ardhmëria e një populli, sepse të rinjtë ecin me forcë përpara e pleqtë na japin urtinë, kanë kujtesën e popullit e duhet t’ua komunikojnë të rinjve. Po tani është koha, e edhe moda, për t’i përjashtuar të rinjtë me papunësinë. Më shqetëson shumë papunësia e të rinjve që, në disa vende të Evropës, e kalon 50%-shin. Dikush më ka thanë se 75 milionë të rinj evropianë, nën moshën 25 vjeç, janë pa punë. Është shifër vigane. Flakim një brezni të tërë, për të mbajtur sistemin ekonomik, që nuk mund të qëndrojë më në këmbë, sistemin që, për të mbijetuar, duhet të bëjë luftë, siç kanë bërë gjithnjë mbretëritë e mëdha. E, me që nuk mund të shpërthejë një Luftë III Botërore, atëherë rrofshin luftërat lokale. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë se fabrikohen e shiten armë, e duke bërë kështu, bilancet e sëmura për vdekje të ekonomive idhujtare, ekonomive të mëdha, që e flijojnë njeriun tek këmbët e zotit të tyre, idhullit para, shërohen. Ky mendim i vetëm, e rrafshon pasurinë e larmisë së mendimit e edhe atë të pasurisë së dialogut ndërmjet njerëzve. Globalizimi, i kuptuar si duhet, është pasuri. I keqkuptuar, i zhduk larmitë. Është si sferë, në të cilën të gjitha pikat kanë të njëjtën largësi nga qendra. Globalizimi, që pasuron, është si poliedri: të gjithë të bashkuar, por secili me veçoritë e veta, me pasuritë, identitetin. E kjo nuk ndodh!




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama