HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-07-21 15:37:02
A+ A- Printo artikullin



Në Sudan, ndalohet ndërtimi i kishave të reja



Ministri i Sudanit për orientimet dhe institucionet fetare deklaroi se qeveria nuk do të japë më autorizime për ndërtimin e kishave të reja në vend. I menjëhershëm, reagimi i krerëve të krishterë. Sipas gazetës “El Jareeda” të Khartoumit, ministri Shalil Abdallah deklaroi se kishat ekzistuese janë të mjaftueshme për të krishterët e mbetur në Sudan, pas ndarjes së Sudanit të Jugut në vitin 2011. Nënvizoi gjithashtu faktin se pjesa më e madhe e Sudanit të Jugut banohet nga të krishterë, ndërsa në Sudan janë pak.
Me të marrë vesh lajmin, rev. Kori El Ramli, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Kishave të Sudanit, deklaroi në radion lokale se pohimi i ministrit bie ndesh me Kushtetutën e vitit 2005. “Natyrisht – theksoi ai – jemi pakicë, por gëzojmë lirinë e kultit e të besimit, ashtu si pjesa tjetër e Sudanit, përderisa jemi qytetarë sudanezë si ata”. Pastori kritikoi shkatërrimin e kishës sudaneze të Krishtit, ndërtuar në vitin 1983, në zonën El Izba të Khartoumit.
Që nga viti 2012, janë shtuar arrestimet, burgosjet dhe internimet e të krishterëve të Sudanit. Shumica e tyre janë të etnisë Nuba, e së bashku me etni të tjera, pësojnë prej kohësh sulme sistematike nga ana e një politike zyrtare, që synon islamizimin dhe arabizimin e vendit. Për shkak të keqtrajtimit të të krishterëve dhe për shkelje të tjera të të drejtave të njeriut, në vitin 1999, Sudani është shënuar në listën e zezë të Departamentit amerikan të shtetit. Në prill të vitit 2013, Komisioni i SHBA-ve për Lirinë Fetare në Botë vuri në dukje se vendi është akoma në atë listë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama