HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-07-27 16:00:35
A+ A- Printo artikullin



Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVIII (4)



Shqipëria në kohën e Papës Albani
Sot, emisioni ynë i tretë, mbështetur mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, botuar në revistën e mirënjohur të jezuitëve “Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013.
Studimi thellohet kryesisht në situatën e katolikëve në të gjithë shtrirjen e Perandorisë, gjatë shekullit XVIII, pa prekur drejtpërdrejt gjendjen e katolikëve shqiptarë në këtë shekull, që mund të quhet edhe shekull i misionit. Emisioni ynë i sotëm pasqyron pikërisht këtë gjendje, “në kohën e Papës Albani”.

Në shekullin XVII ledhet e fundme mbrojtëse bregdetare të Venedikut ranë. Depërtimi turk u thellua. Kushtet e jetës së klerit, në atmosferën e përhapjes gjithnjë më të madhe të fesë islame, u bënë tejet të vështira. Posaçërisht ndër qytete, nisen të ndërtohen jo vetëm xhami, por edhe shkolla fillore e të mesme (medrese) që pregatisnin klerin e ultë e të lartë islam. Përballë një kërcënimi të tillë, kleri e hjerarkia katolike nisën përpjekjet e lavdrueshme për t’u riorganizuar. Hierarkia u rikthye në selitë ipeshkvnore dhe filloi veprimtarinë për formimin e klerit shekullar, gjë që e nxiti Kongregatën e Propagandës së Fesë, të sapothemeluar, të jepte ndihmesën me kolegjet e veta: kolegjën greke të Shën Athanasit (1572), atë Urbaniane, Ilirike të Loretos (1580) e Ilirike të Fermos (1631) si dhe me rifillimin e misioneve françeskane italiane (1634). E pikërisht në këtë kohë, kur Kisha katolike shqiptare kishte nevojë më shumë se kurrë për ndihmë e mbështetje, në fronin e Shën Pjetrit u ul papa, që shpalli botërisht zanafillën e vet shqiptare: Klementi XI Albani. Papa shqiptar nisi të interesohej menjëherë për rilindjen politike e fetare të atmes së të parëve, përmes kryeipeshkvit reformator të Tivarit, Vinçenc Zmajeviç, të cilit i kërkoi të bënte vizitën kanonike në të gjitha kishat dhe qendrat katolike të Shqipërisë. Pas vizitës, që e kreu brenda tre muajve, në dhjetor 1703, prelati mblodhi në Kuvend kryetarët e klerit.
Ndërkaq, u ndje një frymë afrimi me Kishën ortodokse e nisi të flitet për një farë bashkimi. Kjo përpjekje, që nuk u realizua, ndikoi për krijimin e selive kryeipeshkvnore për latinët, në Ohër e në Shkup. Rreth vitit 1577, në Himarë u vendos një mision katolik lindor. Nën drejtimim e misionarëve bazilianë, ortodoksët e Himarës, të ndihmuar politikisht nga Papa, i prenë lidhjet me peshkopatën e Janinës, pa hequr dorë nga riti e liturgjia bizantine. Por shumë shpejt Patriarkana e Stambollit ndërhyu energjikisht dhe, rreth vjetës 1628, e rivendsoi ndikimin e vet në Shqipërinë e jugut.
Në shekullin XVIII vijoi puna për rifillimin e plotë të veprimtarisë së Kishës. Pritej që kjo punë të ecte me ritme të shpejta, falë autonomisë së fiseve malësore, të mbrojtur me armë për faqe, dhe lulëzimit të bashkësive të pasura tregtare kristiane. Por ritmet u ngadalësuan për shkaqe të vjetra e të reja. Shkaku i parë ishte mungesa e klerit, në sa lidhjet civile me mjediset myslimane ndikonin në përhapjen e indiferencës fetare. Shkak tjetër i rëndësishëm, joshja për të ndjekur karrierën ushtarake, që Turqia nuk ngurronte t’ua siguronte shqiptarëve, mjafton që të ktheheshin në fenë islame. Fanatizmit të sundimtarëve turq, i shtohej edhe apostazia e shumë familjeve vendase, që kishin zgjeruar feudet e tyre, duke siguruar edhe të drejtën e trashëgimisë. Por gjithsesi, nuk duhet menduar se kalimi në islamizëm qe aq i thjeshtë: shqiptarët zbuluan një mënyrë të re, për t’iu përshtatur rrethanave të reja: ndërruan emrat, por jo fenë. Nisi, kështu, fenomeni i kriptokristianizmit apo, më kuptueshëm, i laramanizmit. Laramanët përdornin emrin e ri turk në marrëdhëniet me mjediset sunduese e emrin e vjetër katolik, në vatrën familjare. Ishte kthim në islamizëm sa për sy e faqe. Shpesh vetëm i një dege të familjes, që zakonisht zgjidhte sektet më pak fanatike e më afër fesë së krishterë, si bektashinjtë.
Kjo ishte situata, që i parapriu shekullit XVIII dhe uljes së Papës Albani në fronin e Shën Pjetrit.





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama