HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-07-27 16:00:49
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e javës 28 korrik – 3 gusht



Më 28 korrik përkujtohet shën Viktori I, papë. U zgjodh në selinë e Shën Pjetrit më 189 dhe vdiq dhjetë vjet më vonë. Gjatë pesë viteve të para të papnisë së tij, perandor i Romës ishte Komodi, i cili nuk e vijoi përndjekjen e të krishterëve falë ndërmjetësimit të Marcjes, e cila kishte simpati për besmtarët në Krishtin dhe për të cilën perandori kishte dobësi. Papa Viktori mbrojti me vendosmëri fenë e pastër dhe dënoi lëvizjet e ndryshme heretike, që sulmonin doktrinën e Trinisë. Nuk ka të dhëna të sakta për vdekjen e tij, por duke qenë se gjysmën e dytë të papnimit e ushtroi nën përndjekjen e ashpër të perandorit Septimius Severius, që herët u krijua bindja se vdiq i martirizuar.
Më 29 korrik përkujtohet Shën Marta. Është motra e Marisë dhe Lazrit nga Betania. Në shtëpinë e tyre mikpritëse ndalej Jezusi, kur gjendej në Jude për të predikuar. Ungjilli na e paraqet Martën si guran shtëpiake, të kujdesshme dhe të përkushtuar për të pritur si duhet bujtësin hyjnor. Marta shfaqet përsëri në Ungjillin sipas Gjonit, në ngjarjen dramatike të ringjalljes së Lazrit, ku kërkon mrekullinë e madhe, duke shpallur, me thjeshtësi e në mënyrë të mahnitshme, besimin në gjithpushtetësinë e Shpëtimtarit, në ringjalljen prej të vdekurve dhe në hyjninë e Krishtit.
Më 30 korrik përkujtohet shën Pjetër Krizologu (Fjalarti). Më 433 u shugurua ipeshkëv i Ravenës nga Papa Siksti III. Nga 180 predikimet që janë ruajtur, del figura dhe personaliteti njerëzor e baritor i Pjetrit, kultura e tij e gjerë, karakteri i tij i ngrohtë dhe qartësia e fesë. Ravena e kohës së tij është udhëkryq i të gjitha lëvizjeve fetare e politike. Kur nga Kostandinopoja e pyetën për mendimin që kishte në lidhje me dy natyrët e Krishtit, Pjetri u përgjigj me pranimin e vendimit të Papës. Përgjigjja e tij e shkruar është e përpiktë dhe gjuha që përdor miqësore dhe e përzemërt.
Më 31 korrik përkujtohet Shën Injaci i Lojolës, meshtar. Protagonisti i madh i reformës katolike të shekullit XVI u lind në Azpeitia (zona bake e Spanjës), më 1491. Filloi karrierën kalorsiake, por përjetoi kthimin rrënjësor në fe, duke lexuar jetët e shenjtorëve, gjatë një periudhe pushimi për shërimin e një plage në gju. Rrëfeu mëkatet e tërë jetës në manastirin benediktin të Monserratit, hoqi rrobat kalorsiake dhe premtoi pastërti të përjetshme. Kaloi më se një vit në lutje në qytezën e Manrezës, ku vendosi të themelonte Shoqërinë e rregulltarëve. Në vetminë e një shpelle, filloi të shkruante një sërë meditimesh dhe normash, të cilat i përpunoi më vonë dhe i paraqtit si Ushtrimet Shpirtërore. Priftërinjtë shtegtarë, që iu bashkuan misionit të tij, u quajtën që në fillim jezuitë dhe u përhapën në mbarë botën. Më 27 shtator 1540 Papa Pali II miratoi Shoqërinë e Jezusit. Injaci vdiq më 31 korrik 1556.
Më 1 gusht përkujtohet Shën Alfonso Maria de Liguori. U lind në Napoli, më 27 shtator 1696, në një familje fisnike e qytetit. Studioi filozofi dhe drejtësi. Pas disa vitesh si avokat, vendosi t’i kushtohej krejtësisht Zotit dhe u shugurua meshtar më 1726. Punoi me përkushtim me banorët e lagjeve më të varfra të Napolit. Në maj 1730 u takua me disa barinj të maleve të Amalfit dhe, pasi u njoh me gjendjen e tyre të rëndë njerëzore e fetare, vendosi të shkojë e të jetojë mes tyre, duke themeluar kongregatën e Shpëtimtarit të Shenjtërueshëm. Më 1760 u emërua ipeshkëv i Shën Agatës dhe udhëhoqi me devotshmëri grigjën e Krishtit deri kur ai i Lumi e thirri në qiell, më 1 gusht 1787.
Më 2 gusht përkujtohet Shën Euzebi, ipeshkvi i parë i Verçelit (Piemont). Përforcoi Kishën këndej Alpeve dhe i qëndroi besnik doktrinës së Nikesë, gjë për të cilën u dëbua në Kapadoki. U kthye në selinë e vet ipeshkvnore pas tetë vitesh dëbim dhe iu kushtua plotësisht mbrojtjes së rajonit nga përhapja e herezisë ariane.
Më 3 gusht është e diel, festa e Zotit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama