HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-08-03 11:38:30
A+ A- Printo artikullin



E diela XVIII gjatë vitit (A)



Uria në botë
Copëza e Ungjillit të kësaj të diele bën pjesë në një seksion të cilin egzegjetët e quajnë “seksioni i bukëve”, sepse ka në qendër dy tregimet e shumimit të bukëve nga ana e Jezusit. I tërë seksioni është konceptuar në mënyrë të tillë që Jezusi të paraqitet si Moisiu i Ri, që jep një manë shumë më të fisme se mana e lashtë (Mt 14,13-21: e diela e sotme), ngadhënjen mbi ujin e detit si Moisiu (Mt 14,22-33, e diela XX), çliron popullin nga legalizmi në të cilin kishte rënë ligji i Moisiut (Mt 15,1-9) dhe u hap rrugën për në tokën e premtuar jo vetëm anëtarëve të popullit të zgjedhur, por edhe paganëve (Mt 15,21-28).
Begatia, shenjë e kohës mesianike
Në Ungjillin e sotëm është mjaft e lehtë të shohim shëmbëllimin dhe zbulimin e Kishës: në Kishë realizohet begatia e madhe e të mirave, karakteristikë e kohëve mesianike. Kjo begati përjetohet në sofër dhe është shenjë e bashkimit me Zotin dhe e pjesëmarrjes në të mirat e Hyjit. Kështu, me pak rreshta, Mateu e paraqet Kishën si bashkësinë mesianike eskatologjike. Dhe e paraqet të gjallërishme dhe frytdhënëse: krejtësisht e realizuar me anë të vëllazërimit të nxënësve, falë lidhjes me Krishtin, në shërbim të turmës. Është shumë domethënës fakti se në tregimin e shumimit të bukëve ungjilltari përdor fjalorin e tregimit të darkës eukaristike.
Ngjarja e Kafarnaumit është parë në dritën e Darkës së Fundit, si realizim paraprak i saj dhe si premtim. Edhe mbledhja e tepricave, me të cilat u mbushën “dymbëdhjetë shporta”, jo vetëm që tregon begatinë mesianike, por përbën edhe një simbol për jetën e Kishës. Banketi i Kafarnaumit shkon përtej jehonës së vet historike, që ka të bëjë me shenjën e çuditshme me të cilën Jezusi shoi urinë e turmës: ai është simbol i bashkësisë së “kohëve të fundit”, ulja në sofër me Krishtin, dhe njëkohësisht është shenjë e pranisë së përhershme të Krishtit, i cili i jep njerëzimit të çdo kohe bukën e jetës.
Kisha është vendi dhe Eukaristia është çasti i privilegjuar ku zbulohet fuqia e Krishtit dhe gjendet aftësia për të përsëritur mrekullitë e kryera prej tij.
Shenja e bukës së jetës së amshuar
Jezusi u dha të hanin të uriturve. Mbretëria e Hyjit, ardhejn e të cilës e shpall Jezusi, nuk është e kësaj bote, por është në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me të. Nuk mund të mendohet që ajo të mos dëftohet edhe si përgjigje efektive ndaj asaj nevoje themelore të njeriut, që është nevoja për bukë.
Por turma e ka ndjekur Jezusin për të dëgjuar mesazhin e tij. Tani, Lajmi i Mirë që ai shpall nuk mund të ndalet kurrë tek nginja trupore. Thelbësorja është tjetër gjë dhe shumimi i bukëve nuk është tjetër përveçse shenjë e bukës së jetës që e shuan urinë për amshim. Por buka hyjnore, që e ngin njeriun, e bën të aftë të ketë më shumë dashuri për vëllezërit; ajo e mbush me dinamizmin e njerëzishëm, që e shtyn t’u japë bukën atyre që nuk e kanë. Mrekullia e shumimit të bukëv është për të krishterët shenjë dhe kërkesë.
Buka e përditshme
Pjesëmarrja në bukën e jetës dëftohet vetëm nëse bëhet i qartë vullneti për t’u orvatur në të gjitha mënyrat që të uriturit të ushqehen, të eturit të kenë për të pirë, të zhveshurit të vishen, etj... (Mt 25).
Pjesëmarrja në banketin eukaristik është për të krishterët burimi i të gjitha përpjekjeve për t’i ndihmuar njerëzit të zhvillohen, në mënyrë që të njihet dinjiteti personal i të gjithëve dhe i secilit brenda një familjeje të vetme e të madhe.
Kremtimi eukaristik i ndihmon gjithmonë e më shumë të krishterët që të hyjnë në bashkësinë kishtare, që është bashkësia e vëllezërve dhe e të varfërve. Buka që nuk prishet shpërndahet me begati, por nën dukjen krejtësisht modeste një ushqimit të thjeshtë të të varfërve. Kush merr pjesë në këtë banket përforcohet me bukën e jetës, e cila i bashkon njerëzit si vëllezër dhe i liron nga lidhja me të mirat kalimtare dhe nga skllavëria.
Në të njëjtën kohë Eukaristia i ndihmon të krishterët të jenë gjihnjë e më të gatshëm e të lirë për të kryer shërbimin e vetëm: shërbimin ndaj Hyjit, që identifikohet me shërbimin ndaj të gjithë njerëzve.

Shpresa e jetës është fillimi dhe fundi i fesë sonë
(Nga “Letrat”, që njihen si të Barnabës)

Ju përshëndes me përshëndetjen e paqes, bij e bija, në emër të Zotit që na ka dashur. Të mëdha dhe të shumta janë nderet që ju ka bërë Hyji, prandaj u gëzova shumë kur mora vesh se shpirtrat tuaj janë të bukur e të hareshëm për hirin dhe dhuratat shpirtërore që kanë marrë. Por edhe më shumë u gëzova kur ndjeva se po lindte në mua shpresa e gjallë për shpëtim, duke parë me sa bujari e ka dikuar në ju Shpirtin e vet burimi hyjnor. Me të vërtetë e mrekullueshme shfaqja që keni shpalosur para syve të mi!
I bindur se, duke folur me ju, kam përfituar shumë në rrugën e shenjtë të Zotit, ndjehem i shtyrë për t’ju dashur më shumë se vetë jetën time, edhe sepse shoh në ju fenë dhe dashurinë e madhe për shpresën e jetës hyjnore.
Për dashurinë që kam për ju, dëshiroj t’ju bëj pjesëmarrës të gjërave që më janë dhënë, i sigurtë se do të më kthehet shërbimi që po ju bëj. Po ju shkruaj, pra, disa gjëra, që feja juaj të arrijë të jetë njohje e përsosur.
Tri janë realitetet e mëdha të zbuluar nga Zoti: shpresa e jetës, fillimi dhe fundi e fesë sonë; shpëtimi, fillimi dhe fundi i planit të Hyjit; dëshira e tij për të na bërë të lumtur, pengu dhe premtimi i të gjitha ndërhyrjeve të tij shpëtimtare.
Zoti na ka bërë të kuptojmë, me anë të profetëve, gjërat e shkuara dhe të tashmet, dhe na ka bërë të aftë të shijojmë frytet e para të gjërave të ardhshme. Dhe, meqë shohim se secila prej tyre realizohet pikërisht siç ka thënë ai, duhet të vijojmë gjithnjë e më shumë në udhën e frikës së shenjtë të Hyjit.
Nga ana ime dëshiroj të tregoj disa gjëra që shërbejnë për të mirën tuaj qysh tani. Nuk po ju flas si mësues, por si vëlla.
Kohët janë të këqija dhe i Ligu sundon me veprimtarinë e vet djallëzore. Të kemi kujdes për veten tonë dhe të kërkojmë me përkushtim vullnetin e Zotit. Droja dhe durimi duhet të jenë mbështetja e fesë sonë; bujaria dhe vetëpërmbajtja aleatet tona në luftë. Nëse do të ushtrojmë këto virtyte dhe do të sillemi si duhet para Zotit, do të kemi urtinë, zgjuarsinë, dijen dhe njohjen. Këto janë gjërat që dëshiron Hyji nga ne. Zoti na ka mësuar, me anë të të gjithë profetëve, se ai nuk ka nevojë për flijime, as për fli shkrumbimi, as për kushtime. Çfarë më duhen, thotë ai, flijimet tuaja pa numër? Jam ngopur me flitë e shkrumbimit të deshëve dhe me dhjamin e cjepve; gjaku i demave dhe i qengjave dhe i cjepve nuk më pëlqen. As mos dilni para meje, që t’ju shoh. Kush ju ka kërkuar të bëni gjëra të tilla me duart tuaja? Mos guxoni më të hyni në tremen time. Nëse më kushtoni miellin më të mirë, kot e keni; temjani është i neveritshëm për mua. Hënën e re, që kremtoni, dhe të shtunat nuk mund t’i duroj (khs Is 1,11-13).

Hyji ushqen dhe shujton çdo jetë

Nxënësit e Ungjillit të kësaj të diele, njerëz praktikë, i bëjnë këtë kërkesë Zotit: “Lëri njerëzit të shkojnë e të blejnë për të ngrënë”. Nëse Jezusi nuk i nis, ata nuk largohen nga ai. Por Jezusi nuk i largon. Ai nuk ka larguar kurrë askënd.
Përkundrazi, u thotë nxënësve të vet: “Ju vetë jepuni të hanë”. Sa i butë është ky Jezus, që nuk dëshiron të largojë askënd nga vetja, i cili dëshiron që njerëzit ta rrethojnë e të hanë me të. Është shëmbëllimi i amësisë së Hyjit, të Hyjit që e ushqen dhe e shujton çdo jetë. Sa herë e gjejmë Jezusin në Ungjill duke ndarë bukën me të tjerët dhe të lumtur për këtë, nga Kana në Emaus.
Aq shumë i pëlqente të hante me të tjerët, t’i mbante afër, sa ngrënia me të tjerët u bë simboli i tërë jetës së tij: “kur do të largohem e nuk do të mund t’ju mbledh e t’ju jap bukë, ta thyej e ta ndaj me ju, ju mund të mblidheni e të hani prej meje”.
Ka disa mrekulli në këtë tregim. Mrekullia e parë është ajo e turmës, që, pasi kishte zbritur nata në shkretëtirë, nuk largohet, por rri aty, me Jezusin, e mahnitur nga diçka që ka vetëm ai e askush tjetër nuk mund ta japë. Mrekullia e dytë janë pesë bukët e dy peshqit, që dikush ia jep Krishtit, me besim të plotë, pa bërë llogari, pa mbajtur asgjë për vete. Është pak, por është gjithçka, tërë darka e tij. Është vetëm një pikë uji në det, por është ajo pikë uji që mund t’i japë kuptim tërë jetës së tij.

Mrekullia e tretë: ajo pak bukë, ato pak peshq, mjaftojnë për të gjithë, mjaftojnë, sepse ndahen me të tjerët. Në bazë të një rregulli hyjnor të mistershëm, çfarë ndahet me të tjerët, rritet: kur buka, nga “imja” bëhet “e jona”, në vend që të mpaket, shumohet. Mrekullia është se Hyji e ndalon urinë e botës me duar tona, kur mësojnë të dhurojnë. Ai vetë e ka thënë: “Ju do të bëni gjëra më të mëdha se unë”. Ne kemi tokën, tërë tokën dhe njerëzit që banojnë në të, dhe duhet t’u shuajmë urinë. Kjo është e mundur, me kusht që të ndajmë gjithçka me të tjerët.
E në fund: “Tepricat i mblodhën në dymbëdhjetë shporta”, një për secilin fis të Izraelit, një për çdo muaj të vitit. Të gjithë hanë e tepron për të gjithë, përgjithmonë. Edhe thërrimet kanë vlerë, edhe vobektësia ka vlerë.
Asgjë nuk është aq e vogël sa të mos i duhet bashkësisë. Asnjë nga gjërat që bën me gjithë zemër nuk është tepër e vogël, sepse çdo gjest ‘total’, pa gjysmakëri, sado i vogël të jetë, e afron fare pranë Hyjin. Çfarë të drejte kanë për bukë e peshk ata pesëmijë vetë? E drejta e tyre e vetme është uria, titulli i vetëm me të cilin mund të marrin është varfëria.
Para Hyjit unë nuk kam asnjë meritë, përveç varfërisë dhe urisë : dobësia ime, thoshte shën Pali. E ai, Hyji që na do dhe na ushqen, do të vijë e t’i japëbukë atij që ka uri. Ai do t’u japë uri për gjëra të mëdha atyre që kanë bukë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama