HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-08-01 14:41:40
A+ A- Printo artikullin



Françesku për Papën, Kishën e Botën: intervista (5)



Fletët e kalendarit ndërrohen me shpejtësi, duke zbuluar faqe të reja e duke premtuar ngjarje të reja, ndërmjet të cilave, edhe ngjarje të mëdha, që shënohen në analet e historisë. E tillë është vizita e Papës Françesku në Shqipëri, më 21 shtator, ditë që po afrohet e që do ta vërë Vendin në qendër të vëmendjes së mbarë botës, e cila e ndjek hap pas hapi Atin e Shenjtë, kudo shkel. Ashtu si i ndjek këto ditë të hidhura për Lindjen e Mesme, ku endet fantazma e vdekjes. Pikërisht në viset e konfliktit shkon sot mendimi i Papës. Françesku u përgjigjet pyetjeve të Henrique Cymerman, intervistues i gazetës “La Vanguardia”(08. 06.20154), për lidhjen e të krishterëve me hebrenjtë dhe risitë e papnisë së tij. E paraqitet si famullitar i botës.

Një vit më parë më keni thënë se në shpirtin e çdo të krishteri, është një hebre?

Ndoshta do të ishte më e drejtë të thuhej se “s’ mund të jesh i krishterë i vërtetë, nëse nuk i njeh rrënjët tuaja hebraike”. Nuk flas për hebreun në kuptimin semitik të racës, por në kuptimin fetar. Besoj se dialogu ndërmjet të krishterëve dhe hebrenjve duhet ta thellojë këtë pikë, rrënjën hebraike të krishterimit dhe lulëzimin e krishterë të hebraizmit. E kuptoj se është sfidë e mirëfilltë, patate e përvëluar, por mund të bëhet me frymë vëllazërore. Unë e them për ditë oficen hyjnore me Psalmet e Davidit, të 150 Psalmet i përsërisim çdo javë. Lutja ime është hebraike. Pastaj kam Eukaristinë, që është e krishterë!

Me ç’sy e shikoni antisemitizimin?

Nuk jam në gjendje ta shpjegoj nga vjen, por besoj se, në përgjithësi, pa pohuar se është rregull i përhershëm, lidhet me të djathtët. Antisemitizmi lëshon rrënjë më shumë në rrymat politike të së djathtës, sesa në ato të së majtës. Nuk e besoni? E vijon akoma! Ka nga ata, që e mohojnë holokaustin. Marrëzi e vërtetë!

Një nga planet tuaja është të hapni arkivat e Vatikanit për holokaustin.

Do të sjellin dritë të re.

Ju shqetëson ç’ mund të zbulohet?

Në këtë pikë, ajo që më shqetëson është figura e Piut XII, Papës, që i priu Kishës gjatë Luftës II Botërore. Për të varfërin Piun XII s’u la gjë pa thënë. Por duhet kujtuar se, më përpara, shihej si mbrojtës i madh i hebrenjve. Ishte Ai, që fshehu shumë prej tyre në kuvendet e Romës dhe të qyteteve të tjera italiane, e deri në selinë verore të papëve, në Kastel Gandolfo. Atje, në dhomën e Papës, në krevatin e atij vetë, lindën 42 fëmijë, bij hebrenjsh e njerëzish të tjerë të persekutuar, që strukeshin nën strehën e papnore. S’dua të them se Piu XII nuk bëri asnjë gabim- edhe unë vetë bëj shumë - por roli i tij duhet lexuar lidhur ngushtë me rrethanat e epokës. Duke u nisur, për shembull, nga pyetja: a bëri mirë që nuk foli, për t’ia ndaluar nazistëve hovin vrastar kundër hebrenjve, apo më mirë të kishte folur? Kur e shikoj se të gjithë kapen me Kishën e me Piun XII e i harrojnë fare fuqitë e mëdha, më duket si të kisha rënë ndërmjet hithërash ekzistenciale. A e dini se fuqitë e mëdha e njihnin përsosurisht rrjetin hekurudhor të nazitëve, që shërbente për t’i çuar hebrenjtë në kampet e përqendrimit? E se kishin edhe fotografitë? Po nuk e morën fare mundimin t’i bombardonin ata binarë. E pse? Do të ishte mirë, prandaj, të flitej nga pak për të gjithë e për gjithçka.

Ju e ndjeni ende veten si famullitar, apo e keni pranuar rolin e kreut të Kishës?

Përmasa e famullitarit i përgjigjet më mirë se asnjë tjetër thirrjes sime. Dëshira për t’u shërbyer njerëzve, më buron nga thellësia e shpirtit. E shuaj dritën, për të mos shpenzuar shumë para, për shembull. Janë gjëra që i bën famullitari. Por e ndjej veten edhe papë. Më ndihmon t’i bëj seriozisht gjërat. Bashkëpunëtorët e mi janë shumë seriozë e të aftë në profesion. Më ndihmojnë për të kryer detyrën. Nuk duhet luajtur roli i papës-famullitar, do të ishte mungesë pjekurie. Kur vjen një kryetar shteti, duhet pritur me dinjitetin e protokollit, që meriton. Është e vërtetë se me protokollet kam problemet e mia. Por s’kam ç’të bëj, duhen respektuar.

Ju po ndryshoni shumë gjëra. Drejt ç’ ardhmërie çojnë këto ndryshime?
Nuk kam kurrfarë shndritjeje, as projekti personal, që e mbaj nën sqetull, thjesht sepse nuk kam menduar kurrë se do të më linin këtu, në Vatikan. E dinë të gjithë. Kisha ardhur me një valixhe të vogël, për t’u rikthyer menjëherë në Buenos Aires. Kjo, që po bëj, s’është tjetër, veçse realizim i mendimeve që ne, kardinajtë, i shkëmbyem gjatë diskutimeve në Kongregacionet e përgjithshme, domethënë, në takimet që, gjatë selisë vakante, i mbanim çdo ditë për të diskutuar rreth problemeve të Kishës. Që aty vijnë reflektimet dhe porositë. Një nga më konkretet, ishte se Papa duhet të ndihmohej nga një këshill i jashtëm, një grup këshilltarësh, që të mos jetonte në Vatikan.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama