HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-08-03 11:39:07
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e javës 4 – 10 gusht



Më 4 gusht përkujtohet Shën Gjon Maria Viane. U lind më 8 maj 1786 në afërsi të Lionit (Francë) në një familje fshatare, që nuk kishte mundësi t’i krijonte kushtet për të studiuar. Pati vështirësi në studimet teologjike, por falë ndihmës së famullitarit, Sharl Ballej i kapërceu vështirësitë dhe u shugurua meshtar. E caktuan famullitar në Ars-en-Dembes dhe aty iu përkushtua krejtësisht ungjillëzimit, duke dëshmuar mirësinë dhe dashurinë. I brejtur nga brenga e mendimit se nuk ishte i denjë për misionin që i ishte besuar, i kalonte ditët në lutje dhe duke dëgjuar rrëfimet e njerëzve, pa u kursyer. Vdiq më 1859. Papa Piu XI e shpalli shenjtor më 1925. Më vonë u caktua pajtor i famullitarëve.
Më 5 gusht përkujtohet kushtimi i bazilikës së Shën Marisë së Madhe në Romë. Njihet si shenjtërorja më e vjetër kushtuar Nënës së Krishtit në Perëndim. U ndërtua nga papa Siksti III (432-440) dhe iu kushtua Hyjit, por duke i dhënë titullin e Virgjërës, të cilën Koncili i Efesit sapo e kishte shpallur Nëna e Hyjit.
Më 6 gusht përkujtohet Shndërrimi i Zotit. Liturgjia romake e lexonte pjesën ungjillore të shndërrimit të Shtunën e Katër Kohëve të Kreshmëve, duke e lidhur këtë mister me misterin e mundimeve. Mateu ungjilltar e nis tregimin me fjalët: “Gjashtë ditë më vonë...” (domethënë, pas shpalljes solemne të Pjetrit dhe lajmërimit të parë të mundimeve), “Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e vëllain e tij Gjonin dhe i çoi në një mal të lartë, më vete. U shndërrua para tyre dhe fytyra e tij shkëlqeu si dielli e petkat iu bënë të bardha, si drita”.
Më 7 gusht përkujtohet Shën Siksti II me shokë. U zgjodh papë më 257, pas vdekjes së Stefanit I. Shën Cipriani, i cili e përmend si “meshtar të mirë dhe paqësor” në një letër drejtuar ipeshkvit afrikan Suksesi, tregon për përndjekjen e vitit 258 me vendim të Valerianit. Parashikohej dënimi me prerje koke për ipeshkvinjtë, priftërinjtë dhe diakonët, si edhe konfiskimi i pronave të Kishës, përfshirë edhe varrezat. Nga dëshmitë e papës Damasi dimë se Siksti u kap në varrezën e Shën Kalikstit, duke mësuar fjalën e Hyjit, dhe iu pre koka bashkë me gjashtë prej shtatë diakonëve të Romës (Felicissimus, Agapitus, Gennarus, Magnus, Vincensi e Stefani). I shtati, protodiakoni Lorenc, u vra pas tri ditësh në rrugën Tiburtina.
Më 8 gusht përkujtohet Shën Domenik Guzman. U lind më 1170 në Caleruega, në Spanjë. I bindur se kleri duhej të bënte një jetë të thjeshtë, themeloi në Tuluzë Urdhrin e Fretërve Predikatarë, jeta e të cilëve bazohej në predikimin endacak, në lypje (për herë të parë në historinë e jetës rregulltare) dhe në studim.
Shën Domeniku u dallua si njeri i drejtë, i sakrificës dhe plot me zell apostolik. I sfilitur nga puna apostolike dhe i drobitur nga jeta pendestare, më 6 gusht 1221 vdiq i rrethuar me fretërit e vet në kuvendin e Bolonjës. U shpall shenjtor më 3 korrik 1234.
Më 9 gusht përkujtohet shën Tereza Benedikta e Kryqit. U lind në Breslavë, keyeqendra e Slesës së Prusisë, në një familje hebraike të gjermanizuar. Në moshën 14-vjeçare e e braktisi fenë dhe u bë ateiste. Studioi filozofi në Gëtingen, ku u bë ndjekëse e Edmund Huserlit, themelues i shkollës së fenomenologjisë.
Më 1921 përqafoi katolicizmin dhe më 1922 u pagëzua. Më 1932 e thirrën të mbante ligjërata në Institutin pedagogjik të Mynsterit, por nuk mundi të vijonte për shkak të ligjeve raciale. Më 1933 hyri në Karmelin e Këlnit dhe mori emrin Tereza Benedikta e Kryqit. Më 1942 forcat e Gestapos e nxorën me forcë nga kuvendi dhe e mbyllën në kampin e shfarosjes në Aushvic-Birkenau, ku vdiq, në dhomën e gazit, më 9 gusht.
Më 10 gusht është e diel, festa e Zotit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama