HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-08-05 16:33:37
A+ A- Printo artikullin



Ju kumtojmë Lajmin e Mirë



Në rubrikën “Ju kumtojmë Lajmin e Mirë”, vijojmë leximin e Ungjillit sipas Markut, sot kapitulli 5, 1-20. Jezusi gjendet në rajonin e gerasenëve dhe i del para një njeri që jetonte nëpër varreza, sepse ishte i pushtuar nga shpirti i keq. Askush nuk kishte mundur as ta dëbonte shpirtin e papastër, as ta ndalonte dhunën e njeriut të pushtuar. Sapo Jezusi zbret nga barka (duhet të kujtojmë se sapo kishte qetësuar stuhinë mbi liqen), njeriu i pushtuar nga shpirti i papastër rend tek ai dhe bërtet me zë të lartë: “Çfarë ke me ne, o Jezus, Biri i Hyjit të tejetlartë? Të përbej, në emër të Hyjit, mos më torturo!” (v. 7).RealAudioMP3
“Jezus, Biri i Hyjit të tejetlartë!”. Shpirti i papastër e njeh Jezusin, por dëshmia e tij nuk është shprehje e fesë. Përballë Jezusit ai shfaq tërë frikën e vet. Jezusi sapo ka qetësuar stuhinë mbi leqen, por ka përpara një njeriu me stuhinë në shpirt. Ai ka ardhur për të sjellë bunacën në shpirtin e njeriut, duke ushtruar pushtetin mbi shpirtin torturues: “Dil, shpirt i papastër, nga ky njeri!” (v. 8). Fjala e Jezusit është plot autoritet, por ai dëshiron të njohë emrin e njeriut.
Në traditën biblike emri tregon esencën e njeriut. E keqja dhe mëkati i heqin njeriut esencën dhe e lënë pa emër, pa një thelb dhe pa bosht të vetin. Njeriu pa emër nuk mund të jetë më zot i jetës së vet, por shpëtohet vetëm nëse kërkon strehim nën pushtetin e Zotit të vërtetë. Këtë bën i pushtuari i Ungjillit të sotëm: bie tek këmbët e Jezusit. Nuk është i aftë as të kërkojë çlirimin, as të thotë emrin e tij: “Quhem legjion, sepse jemi shumë” (v. 9).
Çuditërisht, shpirti i keq i lutet Jezusit të mos e largojë nga ai rajon. Për të kuptuar këtë lutje, duhet të njohim gjeografinë e Tokës së Shenjtë. Ndodhemi në një zonë të papastër, sipas konceptit hebraik të pastërtisë. Në një zonë të papastër, të përzier me paganë, kullosin kafshë të papastra: derrat. Tek derrat i luten Jezusit të shkojnë shpirtrat e ndytë dhe bashkë me derrat përfundojnë në greminë.
Dy detaje e karakterizojnë këtë tregim: nga njëra anë njerëzit, të trembur nga çfarë kanë parë, i luten Jezusit të largohet nga krahina e tyre; nga ana tjetër, ish i djallosuri, i çliruar, kërkon ta ndjekë Jezusin, por ai i përgjigjet: “Shko në shtëpinë tënde, tek njerëzit e tu dhe kumto çfarë bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty”. Mëshira e Hyjit është burimi i veprës së tij çlirimtare. Të shkosh pas Jezusit, do të thotë të dëshmosh mëshirën e tij, siç e ke përjetuar vetë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama