HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-08-06 14:17:13
A+ A- Printo artikullin



Sot, lutje për paqen në Irak. Imzot Sako: vendi digjet



Sot, në festën e Shndërrimit të Zotit tonë Jezu Krisht, shoqata “Ndihmë për Kishën që vuan”, e mirënjohur në Shqipëri, organizoi Ditën e lutjes për paqen në Irak, që u kremtua me pjesëmarrjen e Kishës Katolike vendase. Që mbrëmë, të krishterët u mblodhën në kishën e Shën Gjergjit dhe u lutën për të krishterët e Mosulit e për ata të Pllajës së Ninives, e cila kërcënohet nga milicët e Shtetit Islamik të Irakut e Sirisë (ISIS). Me shpalljen e Kalifatit mysliman, të krishterët shpërngulen me forcë nga shtëpitë e nga toka e stërgjyshërve të tyre. Jo më larg se pardje, në veri të Irakut, në Sinjar, teatër dhune nga ana e xhihadistëve, u gjetën trupat pa jetë të 40 fëmijëve të pakicës etnike e fetare “yazid”. Patriarku i Babilonisë së Kaldejve, imzot Louis Raphael I Sako, i trishtuar për ngjarjet e fundit, shprehet kështu në mikrofonin tonë:

Ne besojmë shumë tek lutja, tek solidariteti, tek vëllazërimi, edhe pse gjendja është shumë e rëndë. Në Sinjar kanë vrarë 70 yazid. ISIS ka marrë peng gratë, të krishterët janë larguar drejt maleve… Gjithnjë në veri të Mosulit, gjatë bombardimit të një fshati, është vrarë një i krishterë, ndërsa një grup të rinjsh së bashku me priftin po iknin nga ai vend. Ka anarki kudo. Sot, jemi ne në shënjestër, sepse të krishterë, por ka edhe të tjerë, që janë kthyer në objektiv të terroristëve.
Sot është festa e Shndërrimit të Krishtit. Pse është zgjedhur kjo ditë?
Kjo datë është simbolike, sepse Jezusi kishte folur tashmë për vuajtjen dhe vdekjen e tij. Në këtë ditë, Ai u dha shpresë të madhe dishepujve e duke u bazuar në këtë shpresë, ne lutemi për një zgjidhje paqësore.
Ju shkruat një lutje enkas për sot. Çfarë i kërkoni Zotit përmes saj?
Më ranë ndërmend Psalmet, kur populli i Zotit ishte në vështirësi, në krizë… Edhe ne këtu kemi shumë vështirësi t’i mbajmë e t’u japim guxim njerëzve. Dhimbja është tepër e madhe. Nuk ka perspektivë për të ardhmen. Gjithçka është në flakë në Lindjen e Mesme, në Liban, në Palestinë. E ku të shkojmë atëherë? I themi Zotit: “O Hyj, mjaft më! Mjaft, jemi lodhur… na ndihmo!”. Njerëzit kanë frikë: dikush merret peng, familjet kërcënohen… Edhe këtu, në Bagdad, kemi situata të këtij lloji. Përpiqem të bëj ç’është e mundur për t’i liruar të rrëmbyerit e për të ndihmuar familjet e kërcënuara. Mendoj se, së bashku me njerëz të tjerë, jam për ta një atë, një mbështetje.
Cila është thirrja juaj në këtë Ditë lutjeje e reflektimi për paqen?
Të them të vërtetën, dje në mëngjes i dërgova një letër Atit të Shenjtë dhe patriarkëve të Lindjes së Mesme, që të mobilizojnë opinionin ndërkombëtar e të bëjnë presion mbi krerët e shteteve për të na ndihmuar. Gjithashtu, duhet bërë presion mbi vendet, që financojnë grupet terroriste dhe ekstremiste, mbi autoritetet myslimane, që t’i dënojnë sulmet kundër të krishterëve e kundër jomyslimanëve. Jemi anëtarë të së njëjtës familje njerëzore. Papa Françesku më telefonoi e më inkurajoi të mos dorëzohemi, ta mbajmë gjallë fenë, shpresën e, lart moralin.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama