HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-08-07 15:32:58
A+ A- Printo artikullin



Çelësi i fjalëve të Kishës – atësia dhe amësia e përgjegjshme (IX)



Në rubrikën e përjavshme “Çelësi i fjalëve të Kishës”, vijojmë leximin e Letrës së Shën Gjon Palit II drejtuar familjeve. Pasi kemi folur, gjatë javëve të shkuara, për dhuratën e fëmijëve, me anë të së cilës shfaqet natyra e dhuratës që karakterizon marrëdhëniet bashkëshortore, sot lexojmë kalimet ku flitet për përgjegjësinë e prindërve (n. 12). Shkruan Shën Gjon Pali II:RealAudioMP3

“Ka ardhur çasti të përmendim dy çështje që kanë lidhje me njëra-tjetrën. Njëra, më e përgjithshme, ka të bëjë me qytetërimin e dashurisë; tjetra, më e veçantë,ka të bëjë me atësinë dhe amësinë e përgjegjshme.
E kemi thënë se martesa përfshin thirrjen për një përgjegjësi të veçantë ndaj të mirës së përbashkët të bashkëshortëve, më parë, e pastaj të familjes. Kjo e mirë e përbashkët është vetë njeriu, vlera e njeriut dhe gjithçka që përfaqëson përmasat e dinjitetit të tij. Njeriu e mbart me vete këtë përmasë në të gjitha sistemet shoqërore, ekonomike e politike. Në rrafshin e martesës dhe të familjes, megjithatë, kjo përgjegjësi bëhet edhe më e madhe, për shumë arsye. Kushtetuta baritore "Gaudium et spes" nuk flet më kot për “vlerësimin e dinjitetit të martesës dhe të familjes”. Tek ky “vlerësim” Koncili shikon detyrat e Kishës dhe të shtetit, megjithatë, në të gjitha kulturat detyrimi bie mbi njerëzit që, të bashkuar në martesë, formojnë një familje të caktuar. “Atësia dhe amësia e përgjegjshme” shprehin angazhimin konkret për ta zbatuar këtë detyrim, që në botën bashkëkohore ka karakteristika të reja.
Atësia dhe amësia e përgjegjshme prekin drejtpërdrejt çastin në të cilin burri e gruaja, duke u bashkuar e duke u bërë “një mish i vetëm”, mund të bëhen prindër. Është çast me vlerë të veçantë si për marrëdhënien e tyre personale, ashtu edhe për shërbimin e tyre ndaj jetës: mund të bëhen prindër – atë e nënë – duke i dhënë jetën një qenieje të re njerëzore. Dy përmasat e bashkimit martesor, përmasa e bashkimit dhe e riprodhimit, nuk mund të ndahen në mënyrë artificiale, pa e dëmtuar të vërtetën e thellë të vetë aktit martesor.
Ky, që është mësimi i përhershëm i Kishës dhe “shenjat e kohës”, dëshmitarë të të cilave jemi sot, na japin arsye të reja për ta përsëritur me forcë të veçantë. Shën Pali, aq i vëmendshëm ndaj kërkesave baritore të kohës së vet, kërkonte haptas dhe me ngulm “të ngulej këmbë në çdo rast, të volitshëm e të pavolitshëm” (khs 2 Tm 4,2), pa asnjë frikë për faktin se “nuk durohet më doktrina e shëndoshë” (khs 2 Tm 4,3).
Fjalët e tij i njohin mirë ata që, edhe pse i kuptojnë me themel ngjarjet e kohës sonë, presin që Kisha jo vetëm të mos e braktisë “doktrinën e shëndoshë”, por ta shpallë me më shumë forcë, duke kërkuar brenda “shenjave të kohës” sonë arsyet për ta thelluar edhe më shumë.
Shumë prej këtyre arsyeve i gjejmë tek shkencat që kanë dalë nga trungu i lashtë i antropologjisë dhe janë zhvilluar në degë të ndryshme, si biologjia, psikologjia, sociologjia dhe degëzimet e tyre të mëtejshme. Të gjithë sillen, në një farë mënyre, rreth mjekësisë, e cila është vetë dija dhe arti (ars medica) në shërbim të jetës dhe të shëndetit të njeriut. Por arsyet që përmendim këtu burojnë kryesisht nga përvoja njerëzore, që është e shumëllojshme dhe që, në një farë kuptimi, i paraprin shkencës dhe e pason.
Prindërit mësojnë me përvojën e tyre çfarë do të thotë atësia dhe amësia e përgjegjshme. E mësojnë edhe përmes përvojës së çifteve të tjera, që jetojnë në kushte të ngjashme dhe janë bërë kështu më të hapur ndaj të dhënave të shkencës. Mund të thuhet se “studiuesit” gati mësojnë nga “bashkëshortët”, në mënyrë që, pastaj, të jenë në gjendje t’u mësojnë në mënyrë më kompetente domethënien e riprodhimit të përgjithshëm dhe metodat e zbatimit të tij.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama